Ruçi pret Talat Xhaferrin: Zbatim të shpejtë të ligjit për gjuhën shqipe

Shqipëria mbështet Maqedoninë në perspektivën integruese dhe angazhohet për të shtuar bashkëpunimin dy palësh. Kjo ishte në thelb të diskutimeve mes kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kreut të Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferri, i cili është zgjedhur nga radhët e partive shqiptare në shtetin fqinj. "Shqipëria dhe Maqedonia duhet të anëtarësohen në organizmat Euroatlantike sepse Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e sigurisë Evropiane dhe Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë integrimin Euroatlantik të Maqedonisë. Nismën për ligjin e gjuhës shqipe shpresojmë ta shohim sa më shpejtë të miratuar", u shpreh kryeparlamentari Ruçi. Vetë kreu i Kuvendit të Kosovës, Xhaferri tha se do të angazhohej që të krijonte shanse të barabarta për të gjitha etnitë, shumëllojshmëria e të cilave tha ai, na bën më të fortë e jo më të dobët. "Shpreh kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe në aspekt të bashkëpunimit rajonal me përpjekje për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO të Maqedonisë dhe për përpjekjet e përbashkëta për anëtarësimin në Unionin Evropian", tha Xhaferri.