Ruçi- Palokës: Jeni të vonuar për kushtet e zgjedhjeve

514
Sigal

Ne seancën e parë plenare për këtë sesion të ri pas pushimeve të fundvitit, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, deklaroi se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë kusht i patjetërsueshëm për PD.
Paloka: Meqë jemi tek kalendari, opozita parlamentare ka përcaktuar tashmë si çështje të saj parësore, zhvillimin e zgjedhjve të lira dhe të ndershme. Nuk mund të ketë çështje më thelbësore për ne sesa garantimi i votës së lirë. Shqiptarëve duhet tu kthehet besimi tek një proçes i drejtë dhe i lirë, se vota e tyre do të shkojë atje ku ata duan dhe do të numërohet drejtë. Mbi 20 parti parlamentare dhe jo parlamenbtare kanë nënshkruar sot një memorandum.
Paloka i parashtroi deputetëve të mazhorancës pesë kushtet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Paloka: Parashtrojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme si më poshtë:
1.Realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve. Votimin elektronik dhe numërimin elektronik të votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi që integron në një proçes të tre komponentët e mësipërm.
2.Dekriminalizimin e proçesit zgjedhor nëpërmjet zbatimit me intensitet, shpejtësi dhe forcë të ligjit për dekriminalizimin si dhe dekriminalizimin e kandidaturave për zgjedhjet e rradhës, dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga proçesi zgjedhor, fushata dhe veçanërisht prania e tyre në ditën e zgjedhjeve.
3.Duhet të ulet kostoja e fushatës nëpërmjet reduktimit drastik për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në kodin penal, përfshirë cilësimin e shitëblerjes së votës si krim i rëndë.
4.Të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve njerëzore të adminsitratës publike në fushatë apo struktura zgjedhore partiake si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike.
5.Garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirë publicitare në fushatën zgjedhore me qëllim sigurimin e një fushatë të drejtë.
Shefi i grupit parlamentar demokrat tha se përmbushja e kushteve të mësipërme është minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proçes zgjedhor të lire dhe të ndershëm.
Paloka: Partitë nënshkruese të këtij memorandimi konsiderojnë se përmbushja e kushteve të mësipërme është minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proçes zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare. Mospërmbushja e tyre është tregues i qartë se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian. Partitë nënshkruese të këtij memorandumi i kërkojnë shumicës qeverisëse si përgjegjësja kryesore për sigurimin e standarteve të zgjedhjeve që të angazhohet për sigurimin e tyre nëpërmjet mbështetjes publike të kushteve të mësipërme dhe angazhimin për plotësimin e tyre.
Ruçi: Jeni të vonuar, ku ishit 3 vite e gjysëm?
Kushtet për zgjedhjet, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi i cilësoi tejet të vonuara. Ai pyeti PD: Ku keni qenë keto tre vite e gjysëm?
Ruçi: Do ishte mirë që në hapje të këtij sesioni të bënim një bilanc për sesionin e kaluar dhe të përcaktonin piketat për këtë sesion. Kjo nuk u bë. Është shumë e drejtë që ju u kujtuat për një problem që duhet të ishit kujtuar 4 vjet më parë.Ku keni qenë këto 3 vite gjysëm për këtë çështje kaq madhore sa çe quani ju. U kujtuat vetëm tashmë që nisim sesionin e fundit, që nuk është më i gjatë se katër muaj.E dini shumë mirë që ndryshimet thelbësore në kodin elektoral duhen bërë 6 muaj para zgjedhjeve. Nuk keni pasur vullnet për ndryshime, e kërkoni si alibi sot. Këtë kod e keni bërë ju dhe me dakordësinë tonë. Nuk jeni dakord me veten ju, nëse jo pse? Ky kod është verifikuar në zgjedhje, ata që na kanë parë këto zgjedhje, që i kanë monitoruar kanë arritur në disa përfundime, nuk kanë hedhur poshtë kodin dhe as sistemin, siç është depolitizimi i komisioneve, financimi i partive, blerja e votës, transparenca e reklamave të partive politike në media të ndryshme. Të gjitha këto ua kemi propozuar.
Nivelet e ndryshme të komisioneve, fillojmë me KQZ. Kishim mazhorancën dhe lamë pothuajse të njëjtin Komision siç e kishit ngritur ju.Kryetaren e Komisionit që kishit propozuar ju nuk e përjashtuam nga kandidimi për kryetare të KQZ, ju e hoqët. Te kodi nuk keni besim, tek OSBE-ODIHR nuk keni besim, tek kryetarja juaj e KQZ nuk keni besim. Të vimë tek ZAZ dhe KQV, në 50% të tyre keni mazhorancën. Në 50% të tyre keni tre veta. Në të gjitha komisionet e numërimit po kështu. Tek të gjitha nuk keni besim.Pse ne duhet të kemi besim tek ju?Listat e zgjedhësve janë bërë sipas atij programi që kishit vendosur ju.Dy gjëra ndryshojnë, pastrohen listat nga të vdekurit në këto katër vjet, shtohen 127 mijë votues për herë të parë. Kartën e identitetit ju e keni prodhuar, kompaninë ju e keni zgjedhur.Çfarë doni? E fundit është Kolegji Zgjedhor. I keni bërë gjykatat e Apelit siç deshët.E nxorët dhe Kolegjin Zgjedhor si e deshët. As tek Gjin Gjoni nuk keni besim ju? Po me Gjinin çkeni, do ta mbysni dhe si votues?U kujtuat tre muaj para zgjedhjeve për votimin elektronik. Ne jemi prapë të hapur.Nëse OSBE-ODIHR japin dakordësinë dhe marrin të gjithë përgjegjësinë për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri sipas pretrendimit tuaj ne si mazhorancë jemi terësisht dakord. Ndryshe e gjitha kjo është alibi politike që vetëm ju mund ta dini.
Bylykbashi: PS nuk do votimin elektronik se kërkon të vjedhë zgjedhjet
Sakaq bashkëkryetari demokrat i Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore Oerd Bylykbashi akuzoi PS se nuk do votimin elektronik sepse do të vjedhë votat.
Bylykbashi: Dëgjuam një fjalim me patos nga kryetari i grupit parlamentar socialist për të treguar se pse PS do që zgjedhjet e 2017 ti bëjmë me të njëjtin standart të 2015, ti vjedhë zgjedhjet.U përpoq të na bindë këtu se PS nuk e do votimin elektronik sespe do që kartat e identitetit ti merren zgjedhësve, ti blihen zgjëdhësve, të vazhdojnë me historitë e shitëblerjes së votës, që komisionerët të korruptohen ose kërcënohen, të jejojnë votimin e shumëfishtë, të vinë të votojnë në emër të emigrantëve me karta falco. Këto janë arsyet pse PS nuk e do votimin elektronik. Do të vjedhë votat në numërim siç bëri në Lezhë, në 2013 e vodhët një mandat.