Ruçi e Vasili i kërkojnë  Presidentit të rihapë procesin e kandidimit për tre vendet vakante në Gjykatën e Lartë

432
Sigal

Në afatin e fundit të lënë nga Presidenti i Republikës për krerët e grupeve parlamentare për konsultimin me ta, për anëtaët e Gjykatës së Lartë, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili i janë përgjigjur po përmes një letre Presidentit Nishani.  Në një sqarim të gjatë, për rëndësinë e transparencës me të cilën duhet të zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili në letër i kërkojnë Presidentit Bujar Nishani të rihapë procesin e kandidimit per tre vendet vakante në Gjykatën e Lartë, bazuar në ndryshimet ligjore për këtë çështje, kryer nga mazhoranca në fillim të dhjetorit të vitit që shkoi, ndryshime për të cilat Presidenti nuk është shprehur ende me dekretin për miratimin apo rrëzimin e tyre.  Këto ndryshime parashihnin ngritjen e një Këshilli Konsultativ pranë Presidentit të Republikës me krerët e institucioneve të pavarura, Këshill që do të bënte një raport vlerësuar për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por pa marrë parasysh këto ndryshime, Presidenti u kërkoi grupeve parlamentare bazuar në ligjin e vjetër për Gjykatën e Lartë. Në këto kushte, krerët e grupeve parlamentare të maxhorancës në këtë letër i kujtojnë Presidentit, që bazuar në këto ndryshime ligjore, të hapë procesin e emërimeve në Gjykatën e Lartë. Ruçi dhe Vasili i shkruajnë Presidentit se është detyrimi i tij ligjor që procesin të mos e konsiderojë thjesht formal, por të ngrihet në lartësinë e kërkuar nga Kushtetuta për ushtrimin e përgjegjësive. Emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë prej muajsh është shndërruar në konflikt mes presidentit dhe maxhorancës, ku kjo e fundit, për shkak se presidenti sipas saj nuk ka kryer detyrimin ligjor për pëlqimin e saj për kandidaturat, i ka rrëzuar Bujar Nishanit pesë dekretet për vendet vakante në Gjykatën e Lartë.