Ruçi dhe plani i PS-së për mbrojtjen e Tahirit

594
Zbulohet strategjia/ Pas takimit me Ramën, si veproi kryetari i Kuvendit në Këshillin e Mandateve, duke synuar denigrimin e prokurorëve dhe kërkesës së tyre
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka qenë dje zbatuesi kryesor i planit të Partisë Socialiste për të mbrojtur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin prokuroria ka kërkuar autorizimin për ta arrestuar. Pas një mbledhjeje mëngjesin e djeshëm në zyrën e kryeministrit, deputetët socialistë kanë hartuar strategjinë e tyre lidhur me seancën e Komisionit të Mandateve, ku do të diskutohej heqja e imunitetit të Tahirit. Ndër pikat e para që është rënë dakord në takimin me Ramën ka qenë synimi për ta cilësuar kërkesën e prokurorisë si të pabazuar në prova dhe të mbështetur thjesht në fakte të publikuara nga media. Këtë e kanë theksuar disa herë deputetët Ulsi Manja dhe Bledi Çuçi, pavarësisht deklarimit të prokurorëve se ata kishin marrë tashmë një letër-porosi nga Itali. Megjithatë, për të ndikuar në opinionin publik është synuar të ngulitet ideja se gjithçka kundër Tahirit ka nisur nga shkrimet në media. Në pikën e dytë të planit Rama-Tahiri dhe të zbatuar nga Ruçi e deputetët e PS-së ka qenë sulmi direkt ndaj prokurorëve. Ata janë sulmuar në dy drejtime, së pari duke i mundësuar deputetit Tahiri, tashmë me statusin e personit në hetim, që t’u adresojë pyetje dhe së dyti, duke publikuar në media të dhëna për origjinën e përfaqësuesve të organit të akuzës. Plani ka synuar të ulë besueshmërinë e prokurorëve dhe dosjes që ata kishin vendosur në tryezën e deputetëve. Për rrjedhojë ka pasur debate të zgjatura gjatë pyetjeve të deputetit Tahirit. Ndërkohë, pika e tretë e strategjisë parashikonte zgjatjen dhe shtyrjen e kohës për dhënien e një vendimi. Në këtë pikë, Ruçi ka vepruar pa një vendim të Komisionit të Mandateve, duke e shtyrë për sot mbrojtjen e deputetit Tahirit. Në këtë pikë, mbetet për t’u parë edhe momenti i caktimit të seancës plenare, e cila mund të pësojë një shtyrje të mëtejshme. Në planin e hartuar në zyrën e Ramës synohej që shtyrja e një vendimi të ishte fitim kohe për ta “zhvlerësuar” politikisht goditjen e ardhur nga prokuroria. 

Për rrjedhojë, për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, do të vendoset sot paradite, kur do të mblidhet sërish Këshilli për Imunitetet dhe Mandatet. Ka qenë ky vendimi që kryetari i këshillit, Gramoz Ruçi i ka komunikuar mbrojtjes së Tahirit në përfundim të mbledhjes, pasi ka dëgjuar pretendimet e të gjitha palëve, përfshirë të opozitës dhe prokurorëve. Mbledhja filloi me avokatin e Tahirit, që kërkoi shtyrjen e marrjes së vendimit, duke deklaruar se, një mbrojtje e arsyeshme kërkon një afat kohor prej 3 ditësh. Kërkesë kjo që ka shkaktuar një debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. 

Debatet për shtyrjen
Enkelejd Alibeaj (PD): Kjo është alibia e radhës drejt pandëshkueshmërisë. Po vendosni ta shtyni. Zoti kryetar ju po shkelni procedurën. Sot nuk kemi për qëllim t’i vëmë prangat dikujt. Ky është momenti i së vërtetës për reformën në drejtësi. Keni pasur kohë, keni pasur dosjen, nuk ka elementë të rinj siç deklaroni, ndaj duhet të vijojmë një orë e më parë me procedimin. Boll kohë u kemi dhënë shkelësve të ligjit të prishin provat. 

Bledi Çuçi (PS): Personalisht nuk do ta zgjasja një sekondë këtë farsë të ardhur nga prokuroria. Por këtu jemi për të respektuar procedurat parlamentare, përfshirë të drejtat e çdokujt para Kushtetutës dhe ligjit. Nëse deputetit që akuzohet për një krim shumë të rëndë dhe prokuroria ka ardhur për ta arrestuar nuk i lind e drejta që të mbrohet, ky është një turp i këtij Parlamenti. Një kërkesë e tillë u bë për Lulzim Bashën në 2007. U bënë 6 mbledhje të Këshillit, më shumë se dy muaj kohë. Kurse ai po kërkon 3 ditë, brenda datës që kemi caktuar si seancë plenare. Jemi brenda çdo afati procedurial. Unë jam i bindur që kemi të bëjmë me një farsë. Por duhet të dëgjojmë deri në fund personin. Është në nder të këshillit që ne t’i lëmë afat mbrojtjes. 

Genti Strazimiri (PD): Mbrojtja bëhet në gjykatë, jo këtu.
Eduard Halimi (PD): Në 2007, Lulzim Basha ka kërkuar vetë t’i hiqet imuniteti. Ka ardhur këtu në sallë dhe ka thënë ‘ma hiqni imunitetin sot’. E dyta, në 2007 prokuroria nuk ka kërkuar arrestimin e Bashës dhe Basha nuk akuzohej për përfshirje në trafik droge. Sot është një akuzë e tillë dhe kërkohet arrestimi i deputetit. Provat e sjella nga prokuroria janë të mjaftueshme për të ngritur dyshime të arsyeshme. 

Gramoz Ruçi (PS): Nuk mund të vijë asnjë organ tjetër dhe t’i thotë Këshillit ‘miratojeni sot’. Organi i akuzës ka atributin për ta ndaluar Saimir Tahirin dhe rregullorja lejon që brenda 4 ditëve të shprehet po ose jo. Në rastin konkret, prokuroria ka paraqitur një kërkesë që kërkon ndalimin dhe sipas rregullores, ky Këshill ka në dispozicion 4 javë. Dhe Parlamenti e vendos në seancën më të parë, në fillim të rendit të ditës. 

Prokurori: Ne i kemi parashtruar kërkesat, argumentet dhe arsyet përse e kërkojmë një autorizim sot. Ne nuk e dimë se cili mund të jetë vendimi juaj, kështu që nuk mund të shprehemi. 

Gramoz Ruçi (PS): Vlerësoj se është e domosdoshme marrja në konsideratë e kërkesës. Zotërinj të palës mbrojtëse, e hëna është vonë. Keni kohë deri nesër. Nesër (sot) në orën 10 duhet të vini këtu. Me deputetin Basha ka zgjatur 60 ditë mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve. 

Enkelejd Alibeaj (PD): Hidhe në votim! Kjo është e turpshme! Ti sapo pranove fajin pa filluar gjyqin!
Sigal