“Rrugëtimi për Shqipërinë” në Krujë, Basha: Shpërblimi im më i madh, rinia shqiptare të ketë shanse të barabarta me rininë europiane

74

Bashkëbisedimi i Kryetarit të PD, Lulzim Basha, me të rinjtë në Krujë u përqendrua tek nevoja që ka vendi për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, si çelësi për të siguruar që qeveria të punojë për qytetarët dhe të sig​urohet konkurrenca e ndershme dhe barazia para ligjit. “Kjo qeveri ka vrarë shpresën duke detyruar dhjetëra mijëra të rinj të largohen në emigracion. Oferta e Edi Ramës për rininë krutane është ose si Artur Bushi, trafikant, ose emigracion. Ju jap fjalën se nuk do të zgjidhni më midis të dyjave, por do të keni dinjitetin, punën, kushtet të mira të jetës, arsim cilësor, këtu në Krujën tuaj.”- u shpreh kreu i opozitës në turin e nisur prej disa ditësh “Rrugëtimi për Shqipërinë”.

“Lekët që marrin sot oligarkët dhe klientët e Ramës, do të shkojnë në prioritetet e vërteta të vendit – arsimim i rinisë, punësim i rinisë.”

“Duhet të kthejmë në vend besimin e biznesit. Duhet të rikthejmë investimet, të krijojmë një klimë pozitive për punësim, për mirëqenie. Asgjë nuk na mungon si vend dhe si popull, jemi të talentuar. Mungon vetëm një qeveri që ju ka prioritet, ju, ekonominë tuaj, punësimin tuaj, mirëqenien tuaj.’ – tha zoti Basha

Në bashkëbisedimin me të rinjtë, që kërkonin të dinin çfarë do të bëjë PD për punësimin, për të ndalur emigracionin, për një arsim më të mirë, zoti Basha u shpreh se ajo që garanton PD është gara, konkurrenca, kushtet e barabarta. “Kush punon më shumë, do të ecë më shumë. Ajo që në synojmë të bëjmë është të sigurojmë që, së pari, rinia të dalë nga cikli arsimor e përgatitur për t’u futur në tregun e punës dhe, së dyti, të krijojmë treg pune. Për këtë, në programin tonë planifikojmë kualifikimin e rinisë nëpërmjet financimit të rritur të arsimit të lartë. Do të subvencionojmë tarifat për studentët dhe do të mbështesim universitetet me laboratorë dhe programe zhvillimi. Qëllimi ynë është të modernizojmë procesin mësimor, që të formojmë profesionistë. Modeli ynë është modeli dual gjerman, ku student e kalon gjysmën e kohës në universitet dhe gjysmën në një kompani publike apo private. Në fund të shkollës, 10 mijë më të mirët do të bëjnë stazh një vit të paguar nga shteti. Rëndësi ka që të kapim edhe në deri në 90 përqind punësim të atyre që mbarojnë shkollën e lartë. Kjo do të kërkojë investime, por lekët që marrin sot oligarkët dhe klientët e Ramë, do të shkojnë në prioritetët e vërteta të vendit. Për PD këto prioritete janë arsimim i rinisë, punësim i rinisë.

“Nuk punoj për historinë”, Basha: Shpërblimi im më i madh, rinia shqiptare të ketë shanse të barabarta me rininë europiane.

“Njerëzit që punojnë për të hyrë në histori, në përgjithësi, janë njerëz të tmerrshëm, o diktatorë, o psikopatë, u shkaktojnë shumë vuajtje popujve të vet, ose janë kaq shumë në dashuri me veten, sa nuk duan njëri tjetër. Prandaj, mos më kërko të jem kryeministër që bëj gjithçka për të mbetur në histori. Rama, ndryshe nga sa thua ti, mendoj se do të hyjë në histori për shumë të këqija që i ka bërë vendit.  Neroni ka ngelur në histori se dogji Romën, ky është Neroni i Shqipërisë, vetëm se nuk ia ka vënë flakën në kuptimin fizik dhe nuk do ta lëmë, por ka djegur shumë.

Meqë përmende BE, Macron në një intervistë që i dha The Economist, Makron tha ekzaktësisht atë që u thashë unë shqiptarëve para 4 javëve. Ai duhet t’i thotë faleminderit Makronit sena shpëtoi nderin. Macron tha se nuk do ta ndajmë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, sepse gjysma e vendeve ishin për ta ndarë Shqipërinë. Pse? Është rinia e Maqedonisë së Veriut më e zonja se rinia jonë?! Ishte ndëshkim për Edi Ramën, që na ndëshkon ne. Ishte dështim i tij që na ndëshkon ne.

Shpërblimi më i madh për mua nuk është të mbetem në histori, por t’i shoh shqiptarët, veçanërisht rininë, të kenë të njëjtat shanse dhe mundësi si rinia Europiane, kam jetuar në Europë, kam qenë student dhe një nga gjërat që më ka motivuar tek çështje publike, politika pra, ishte se jo vetëm nuk kishim asnjë inferioritet prej hollandezëve, por në shumë fusha ne garonim dhe dilnim të parët. Shqiptarit, po i dhe mundësi, nuk ka kufi në suksesin e vet.

“Nuk kam ndërmend të lë në baltë rininë dhe shqiptarët”, Basha: Mjerë ata që do të guxojnë të prekin votën e shqiptarëve!

I pyetur për ndotjen e ambjentit nga fabrikat e çimentos, Basha kujtoi premtimin e pambajtur të Edi Ramës për guroret dhe ndotësit e tjerë të mjedisit atje.

“Fatkeqësisht asnjë masë nuk është marrë. Ju e shikoni, bëhen aksione propagandistike, goditen disa që nuk paguajnë rryshfetet dhe gjobat, ndërkohë që ambjenti mbetet i ndotur. Teknologjia për ta ndalur ndotjen ekziston. Kjo ka një kosto, por zyrtarët marrin rryshfet. Këtë nga përvoja ime në Elbasan dhe qytetarët vazhdojnë të helmohen. Problemi i ndotjes është problem korrupsioni. Nëse fabrikat e Krujës dhe të Shqipërisë aplikojnë të njëjtat masa siç merren në Perëndimm, atëherë nuk ka pse të ndotet ajri, por ata paguajnë një kosto më të lartë se mbrojtja e ambjentit, që është rryshfeti i qeveritarëve. Këtë duhet të ndalim! Cili është mekanizimi për ta ndalur? Nëse qeveritari premton se do ta ndalë ndotjen dhe nuk e ndal, ju të keni fuqi ta shkarkoni. Pikërisht, këtë mekanizëm ka shkatërruar Edi Rama se nuk jua ka dhënë fuqinë ju, por ia ka dhënë kriminelëve, ia ka dhënë Tur Bushëve me shokë, ia ka dhënë Rrajave dhe ata bëjnë ligjin. Ata marrin rryshfetet, bëjnë proteksionin, bëjnë gjithçka dhe kur vjen dita e zgjedhjeve, del ai bukuroshi atje dhe thotë “ta shohë Lulzim Basha, kur të vijnë zgjedhjet”. Dua t’i them sot: Do ta shohësh ti dhe gjithë soji e sorollopi i gangsterëve. Sepse kjo betejë nuk bëhet për Lul Bashën apo PD. Kjo betejë bëhet për gjithë shqiptarët. Unë nuk kam ndërmend të lë në baltë krutanët, nuk kam ndërmend të lë në baltë shqiptarët, nuk kam ndërmend ta lë në baltë rininë. Ne në zgjedhje do të shkojmë, do të përballemi dhe mjerë ata që do të guxojnë të prekin votën e shqiptarëve! Mjerë ata! Kjo do të jetë garancia për ju siç është garancia në çdo vend normal. Nëse nuk mban premtimet, ik në shtëpi. Kështu funskionon Europa, kështu do të funskionojë edhe Shqipëria, se këtë meritojnë shqiptarët.

“Shqiptarëve, po u dhe mundësinë, janë të pandalshëm në sukses”. Basha ndan me të rinjtë përvojën studentore të fitimtarit në një garë të vështirë.

“Kam jetuar në Europë, kam qenë student, nuk kam qenë emigrant, kam qenë student. Një nga gjërat që më ka motivuar dhe më ka tërhequr politika, sepse ne ishim disa shokë, jo vetëm që nuk kishim asnjë inferioritet krahasim e atë që kishim aty, holandezët, por ne në shumë fusha garonim dhe dilnim të parët. Shqiptari po i dhe mundësinë nuk ka kufij në përpjekjet dhe mundësinë e vet. Unë studiova Juridik. Ka disa konkurse ndërkombëtare ku, zakonisht, zgjidhen jo më shumë se 4 studentë në vit për çdo Fakultet Drejtësie, që garojnë në radhë të parë mes fakulteteve brenda vendit. Më pas, ekipi më i mirë prej katër vetash garon në nivel botëror, kryesisht për të Drejtën Publike Ndërkombëtare. Universiteti ku studioja unë kishte një garë të vjetër 25 vjeçare me një tjetër universitet. Më përzgjodhën që të jem pjesë e kësaj katërshe që do të përfaqësonte universitetin, kjo sigurisht ishte nder i jashtëzakonshëm sepse universiteti kishte mbi 30 mijë studentë dhe vetëm Fakulteti Juridik kishte 5 mijë studentë, shumica prej tyre holandez. Dhe më përzgjodhën mua, ishte nder dhe krenari për mua. Fituam brenda Holandës dhe unë isha një nga katër veta që përfaqësuam Holandën. Në SHBA në nivel botëror, kapëm vendin e 8-të, rekord që nuk e ka kapur asnjë universitet më. Sigurisht gara është shumë e fortë.  Shqiptarëve, po u dhe mundësinë, janë të pandalshëm në sukses. Ne nuk na mungon asgjë për të qenë të suksesshëm. Çfarë duhet të bëjmë? Duhet thjesht të rregullojmë disa gjëra që na ka lënë trashëgimi komunizmi; që vriste garën, që promovonte antivlerat, që godiste të aftin, godiste pronën, dinjitetit e njeriut. Për këtë kemi demokracinë, e cila duhet të garantojë zgjedhje të lira, barazi para ligjit, me institucione që i takojnë të gjithëve.”