“Rrugëtimi për Shqipërinë”, Basha me bizneset në autostradën Tiranë- Durrës: ta shndërrojmë Shqipërinë nga kryeqendrën e krimit në kryeqendrën e biznesit në Ballkan

119

Pas takimeve javën e shkuar me rininë në Elbasan, Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Krujë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nisi bashkëbisedimin me përfaqësues të biznesit prodhues në autostradën Tiranë-Durrës. Në fokus të bashkëbisedimit ishin shqetësimet për rritjen e taksave, rritjen e kostove, gjobat arbitrare dhe korrupsioni, mungesa e mbështetjes së prodhimit vendas. Kryetari Basha u shpreh se janë këto problem që lidhen me qeverinë, të cilat ka krijuar një klimë të keqe për biznesin, që i pamundëson atij të fuqizohet dhe të hapë vende të reja pune.

“Në kontrast me këtë qeveri, për mua, një biznes i çliruar, i rimëkëmbur dhe i fuqizuar është në zemër të vizionit tonë për Shqipërinë. Ju keni aftësitë dhe gjenialitetin për të çarë përpara, për të arritur sukses, për të qenë shtyllë e zhvillimit dhe prosperitetit. Ajo që ju duhet është një qeveri që ju kupton, që ju mbështet; një qeveri që ju jep pak ndihmë, kur keni nevojë; një qeveri që është atje jo për t’jua bërë jetën më të vështirë, por për t’jua bërë më të lehtë.

Për këtë arsye ne jemi të përkushtuar për uljen e taksave, për luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e kushteve të barabarta të barazisë përpara ligjit, konkurrencës së ndershme, aksesit të barabartë kudo, veçanërisht në treg, me tenderat, prokurimet publike, në faktorët bazë të prodhimit dhe shërbimeve. Kjo është në zemër të platformës sonë. Me anë të kësaj, duam t’ju shohim të keni sukses, të fuqizoheni, të punësoni, të rriteni, sepse një biznes i fuqishëm është prosperitet për vendin.

Për një kohë shumë të gjatë, Shqipëria po tregohet me gisht si kryeqendra e krimit në Ballkan. Ju ftoj që të bëjmë gjithçka së bashku që ta kthejmë në kryeqendrën e biznesit në Ballkan.”- u shpreh zoti Basha.

Basha siguron bizneset për konkurencë të ndershme. “Oligarkët dhe klientët e Edi Ramës nuk do të zëvendësohen me oligarkët dhe klientët e Lulzim Bashës.’

Zoti Basha ndau të njëjtin shqetësim me një arkitekt se vendi mund të ecë përpara vetëm nëse i jep mundësi rinisë dhe biznesit, pasi tek rinia është shpresa, tek biznesi është mirëqenia e një vendi. Duke shprehur të njëjtin vlerësim me arkitektin Xhorxhi Aleksi se suksesi i biznesit, nuk varet vetëm nga taksat, por edhe nga mundësitë e barabarta që u jepen të gjithëve, kreu i opozitës e krahasoi sistemin e ngritur nga Edi Rama, me atë të një kalçetto-je, ku punojnë vetëm klientët e kryeministrit.

“Jemi kthyer në një sistem feudal ku nuk ka rëndësi sesa i zoti je, por kë njeh. Këtë sistem feudal Europa ka 300 vjet që e ka flakur. Ky sistem oriental, feudal, despotik, ku nuk kemi më ekonomi të lirë të tregut, por ku ekonomia kombëtare ndahet në parcela dhe i jepet 13 vetave, pra i jepet kalçietto-s, siç më thanë të rinjtë e Shkodrës. E gjithë ekonomia është katandisur në një kalçietto, ku luajnë 5 oligarkë, 5 persona me të ardhura nga veprimtaria kriminale, kryeministri dhe 2 ministra të tij dhe të tjerët janë jashtë loje, janë spektatorë, në mëshirën e tyre. Do të bësh ndonjë punë, duhet të shkosh tek kalçietto e korrupsionit, tek kalçietto e oligarkisë, sepse vetëm aty jepen licencat, lejet, autorizimet. Aty merr tender, koncesion, aty merr PP. Po nuk pate lidhje me kalçietton e oligarkëve, po nuk pate lidhje me kalçietton e Edi Ramës, këtu nuk ecet përpara.”- u shpreh zoti Basha, i cili u tregoi bizneseve vizionin e tij dhe të PD për të çliruar ekonominë dhe për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.

“Ne nuk kemi ndërmend që të zëvendësojmë kalçietto-n e Edi Ramës me kalçietto-n e Lulzim Bashës. Unë besoj se kapitalizmi i lirë, i ndershëm me barazi para ligjit, është çelësi për punësim, për standarde të mira jete për çdo shqiptar. Biznesin nuk e shoh si njësi për t’u marrë taksat, por si kapitenët e zhvillimit që sjellin vende pune, teknologji të reja, që mundësojnë rritjen e standardeve të jetës për çdo qytetar. Biznesi i vogël sot punëson 80% të shqiptarëve, pjesën tjetër biznesi i madh. Shteti është një e keqe e paevitueshme. Ta kthejmë në një të mirë. Po zbatuam ligjet, nuk ka pirateri, monopole, nuk ka biznese të falimentuara, të cilat mbyten nga taksat e larta të energjisë apo naftës. Sot ekonomia është kthyer në patronazh, ku është ndarë në 10 pjesë dhe çdo pjesë ka një padron. Padroni ecën përpara, të tjerët janë skllevër të padronit. Të rikthejmë konkurrencën e ndershme.”- theksoi zoti Basha.

Taksa e ndershme 9%, moratorium 6 mujor për inspektoratet deri në vendosjen e një modeli europian që punon për bizneset, jo për zhvatjen e tyre.

Duke iu përgjigjur interesimit të përfaqësuesit të Dhomave të Tregtisë së Durrësit, për sistemin fiskal dhe krijimit të një klime të mirë për biznesin, kreu i opozitës tregoi anët pozitive të taksës së sheshtë 9%, që është një nga themelet e ofertës ekonomike të PD, si dhe tregoi mënyrën për të shkuar drejt një modeli europian të kontrollit të bizneseve.

“Zgjidhja jonë bazohet edhe tek cilësia e njerëzve që do të vendosen, por edhe tek mënyra se do të funksionojë sistemi. Përse jemi ne për taksën e sheshtë 9%? Sepse taksa e sheshtë 9% shtyn drejt formalizmit. Në vend që të jeni me dy bilance, do të jeni me një bilanc. E dyta, duke nxitur bizneset të deklarojnë saktësisht veprimtarinë ekonomike, zvogëlon mundësinë për abuzim nga administrata shtetërore, e cila është e prirur gjithmonë nga abuzimi. Ne duhet të gjejmë mënyrat për të kufizuar autoritetin e tyre dhe këtë e bëjmë duke pasur ligje të qarta, rregulla të qarta loje. Një nga këto rregulla është 9% -shi. 9% dhe pikë. E shpërndarë me vetëdeklarime 3 herë në vit, me një analizë risku dhe jo me prani ushtarake të inspektorëve që u marrin bizneseve shqiptare më shumë kohë se çdo biznesi tjetër në Ballkan.

Propozimi ynë i parë është që do ta nisim me një moratorium. Në gjashtë muajt e parë të gjitha inspektoriatet do të shkrihen të gjitha dhe do të riformatohen me një model europian që ka në qendër shërbimin ndaj biznesit dhe jo lukuninë e inspektorëve që vijnë vërdallë për të mbushur sa xhepat e tyre, aq edhe xhepat e shefave të tyre deri në Tiranë. Një moratorium mbi inspektoriatet, i cili ka për qëllim të rishikojë dhe të vendosë çështjen e inpektoriateve mbi baza europiane, ku ata te jenë në shërbim të ligjit dhe të biznesit, por jo të terrorit ndaj biznesit.”- vuri në dukje zoti Basha.