Rrugët nacionale të bllokuara me muaj nga “male” dheu

580
Petraq Barjami
Qeveria vjel 210 milionë Euro taksë për mirëmbajtjen e rrugëve, por paguan koncesionet
Në datën 09.12.2017 në orën 06 të mëngjesit ndodh një shembje në rrugën Elbasan – Tiranë, duke bllokuar tërësisht një pjesë të autostradës. Deri më sot, asnjë lopatë nga ky mal dheu në autostradë nuk është pastruar. 
Pse nuk pastrohet autostrada Elbasan – Tiranë nga gurët e shembura?
Kanë kaluar plot 4 muaj dhe asnjë gur, asnjë lopatë dheu nuk është hequr nga rruga. Çfarë ndodh në Shqipëri? Në çdo vend serioz, autostrada kryesore, që lidh Shqipërinë me pjesën Juglindore të vendit, do të ishte pastruar brenda ditës. Dhe njerëzit kalojnë rrugën çdo ditë, shikojnë dheun dhe gurët mbi mbi autostradë, askush nga qeveria nuk shqetësohet, dhe thonë me të drejtë: “Ky vend nuk bëhet!”
210 milionët e vjela si taksë për mirëmbajtjen e rrugëve ku shkojnë?
Autostrada e re Elbasan – Tiranë është më e reja e ndërtuar në Shqipëri, mirëpo, e bllokuar në një segment të saj nga gurët dhe dheu i rrëshqitur. 

Së pari, prokuroria duhet të hetojë shkaqet dhe fajtorët, sepse është e papranueshme, që në një autostradë të re, të paguar kaq shtrenjtë, të ndodhë rrëshqitje dheu, sa të bllokojë rrugën.

Së dyti, pse pas 4 muajve, ende nuk hiqet dheu dhe gurët nga rruga? Shteti vjel nga qytetarët, që përdorin automjete, 24 lekë për litër karburant, ose 210 milionë euro në vit, si taksë për mirëmbajtjen e rrugëve. Kur nuk hiqet dheu dhe gurët nga autostrada më e re e Shqipërisë, imagjinoni, sa keq mirëmbahen rrugët e tjera. Atëherë, pyesim: Ku dhe si i harxhon qeveria 210 milionë euro, të vjela taksë vetëm e vetëm për mirëmbajtje të rrugëve? Natyrisht, kur shteti ka braktisur në mëshirën e shiut, të borës, të diellit rrugët e Shqipërisë, është e kuptueshme, që 210 milionë euro taksë për mirëmbajtjen e rrugëve përdoren nga qeveria për qëllime të tjera, veç për mirëmbajtje rruge jo. 

Lin-Pogradec, gurët e mëdhenj ende në rrugë edhe për ketë sezon turistik!
Edhe pse afati i punimeve ka përfunduar që në muajin shkurt të këtij viti, rruga Lin-Pogradec ende nuk ka përfunduar. Ky aks rrugor nuk do të jetë gati as për këtë sezon turistik. Aktualisht po punohet në kilometrin e fundit, por përgjatë gjithë rrugës ka rrëshqitje të tokës. Nga muaji Dhjetor i vitit të kaluar është punuar vetëm në një segment prej 900 metrash, duke lënë pezull kilometrin e fundit të këtij aksi. Para dy vjetësh për këtë rrugë u kërkua shtesë fondi nga qeveria shqiptare për vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e saj. Por ajo që shihet edhe gjatë këtij viti janë vetëm gurë të mëdhenj anësh rrugës, shtylla betoni gjysmë të përfunduar dhe disa punëtorë që gërmojnë diku në një cep të rrugës. Në 2014 ndërtimi i këtij segmenti, u ndërpre, për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve ndaj firmës ndërtuese. Puna rifilloi pas garancisë se qeverisë për të marrë përsipër dhe shlyer detyrimet e akumuluara.
Sigal