Rruga e Arbrit mbaron në 2021, kushton 50 milionë euro më pak se projekti i Berishës

1226

Kryeministri Rama: 85% e investimeve të paketës “1 miliard euro” është për Veriun

Sigal

Rruga e Arbrit, një premtim politik, që dibranët i ka zhgënjyer, pasi e kanë dëgjuar sa herë si premtime elektorale, si zotime qeveritare, por asgjë nuk është bërë deri më sot. Madje, ka filluar, por puna është ndërprerë.

Inaugurimi i projektit të qeverisë socialiste

Edhe qeveria e Rilindjes Socialiste u zotua se do ta mbaronte në mandatin e parë. Organizoi edhe një sërë tenderësh, por të interesuarit u tërhoqën nga ofertat. Një nga çështjet më të diskutueshme, ishte tarifa e pagesës së Rrugës së Arbrit, pasi, sipas studimeve të kompanive të interesuara, kjo rrugë nuk ka intensitetin e duhur të lëvizjeve dhe norma e fitimit nuk është e lartë. Qeveria u zotua se do të kompensonte nga buxheti i shtetit kuotën e parashikuar të fitimit, nëse qarkullimi i mjeteve motorike në këtë rrugë nuk do të ketë intensitetin e duhur.

Në 5 vite, asnjë aks i rrugës nacionale nuk është ndërtuar

Në 5 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste nuk ka filluar asnjë aks i rrugëve kombëtare, madje, as rruga Elbasan – Tiranë, nga tuneli deri tek TEG nuk ka përfunduar, edhe pse tuneli u inaugurua para zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. Nuk janë mbaruar akoma baipasset e Fier-Vlorë, nuk është bërë as mirëmbajtja e Rrugës së Kombit, pa folur paskëtaj, për përfundimin e saj, e cila ka mbetur në ato objekte ndërtimi, që u lanë para 2013-s. Për habi, as rruga Lin – Pogradec nuk ka mbaruar.

Kryeministri: Deri në fund të 2021-t Rruga e Arbrit inaugurohet

Kryeministri Edi Rama dje përpara dibranëve premtoi se Rruga e Arbrit nuk do të jetë më iluzion. Teksa foli para tyre ai tha se kjo rrugë është bërë objekt diskutimesh, debatesh dhe akuzash. “Ky është një takim i shumëpritur për një takim të lidhur me besë si Arbri dikur moti. Siç e deshën të parët tanë, e në radhë të parë të parët tuaj. Ky vizion do të jetë i vërtetë. Rruga e Arbrit nuk do të jetë më iluzion. Rrugë ka ngritur kaq shumë pikëpyetje. Kur rrugë ndërtohen dhe në vendin tonë mungojnë shumë. Pse rruga e Arbrit është çështje kombëtare?. Ata sot e gjithë ditëve u bien daulleve. Dhe prenë vetëm shirita. E njëjta situatë ishte dhe në gjithë Shqipërisë, rrugë të lëna rrugëve. Shkelnin me katër këmbët e veta kontratën dhe nuk paguanin ndërtuesit. Detyrimet në fund të 2013 ishin 43 miliard lekë të reja. Ne u detyruam 4 vjet t’i shlyejmë 1 për një, të kontraktuara për daulle, për shirita. 4 kontrata për rrugën Tiranë-Elbasan. 67 kontrata rrugësh në proces ndërtimi të pa likuiduara në falimentim. Është kollaj të bësh tenderë dhe të numërosh km. Jo me daulle e tam-tame për t’i hedhur hi syve”, tha Rama dhe tha se shkak i vonesës për nisjen e punimeve për Rrugën e Arbrit është bërë projekti i parë me kompaninë kineze, që ishte lidhur nga qeveria e kaluar. Mes të tjerash kreu i qeverisë tha se tashme kostoja e kësaj rruge do të jetë 250 milionë euro. Për pak sa nuk e qamë edhe Rrugën e Arbrit. Ai kishte lënë një projekt 300 e kusur milionë euro. Një aventurë me kompani kineze, pa buxhet. Na u desh ta negocionim atë marrëveshje, deri sa humbën kohë, por bëmë gjënë e duhur, e anuluam. Jo vetëm për shkak të kostot, por edhe produktit. Rruga kushton 250 mln euro. Mirë që kushton më pak, por edhe standardi i parashikuar nga inxhinierët e Saliut ishte C3, më i ulëti. Ne e bëmë me C2. Me projektin e Saliut do futeshit në tunel pa tub emergjence”, tha Rama..

Akuza e PD-së: Policia dhunon deputetin Gjunkshi gjatë protestave kundër Ramës në Peshkopi

Deputeti demokrat Xhemal Gjunkshi është dhunuar ditën e djeshme në Peshkopi. Këtë gjë e deklaron PD-ja. Ndërsa kryeministri Edi Rama vijon turin në qarkun e Dibrës dhe sot ndodhet në Peshkopi për të takuar banorët, ai është pritur me protesta nga mbështetësit e PD-së. Partia Demokratike thotë se policia ka dhunuar deputetin Xhemal Gjunkshi, teksa po protestonte bashkë me qytetarë kundër kryeministrit Rama. Sipas PD, deputeti Gjunkshi është tërhequr me dhune nga polica duke u penguar të protestojë. “Deputeti Gjunkshi ka shenja të dhunës në trup nga tërheqja e policëve. Ky është një akt i paligjshëm kundër një deputeti”, deklaron PD.