Rroshi: Obelisku nuk është i PD, por i Kavajës

627
Kavaja, basti i dytë për bastionin” është tema e emisionit “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit. E konsideruar si një bastion i Partisë Demokratike, 4 vite më parë kreun e Bashkisë së këtij qyteti e fitoi socialisti Elvis Rroshi.
Pas mandatit të parë në krye të Bashkisë së Kavajës, Rroshi kandidon nën siglën e PS-së për një mandat të dytë. Përballë tij në këto zgjedhje vendore është kandidati i Partisë Demokratike, Ëngjëll Cara.
Dy kandidatët do të shpalosin në bisedën me gazetarin Rakipi programin e tyre për administrimin e Kavajës.
Ndryshe nga përballja e kandidatëve të Kamzës një javë më parë në studion e gazetarit Rakipi, me kandidatët e Kavajës do të zhvillohen intervista individuale, pasi kandidati socialist, Rroshi nuk ka pranuar të përballet me rivalin e tij.
Në pjesën e parë të emisionit është transmetuar një material filmik nga jeta në qytetin e Kavajës, situata zgjedhore dhe puna nga shtabet elektorale të të dy kandidatëve.
Më pas do të vijojë biseda në studio e moderatorit Ylli Rakipi me kandidatin socialist për Kavajën, Elvis Rroshi dhe me pas edhe me atë demokrat Ëngjëll Cara.
Sigal


Akuzat e PD, Rroshi: Me ndihmën e Carës u zgjodha Kryebashkiak, do votojë për mua

Moderatori Rakipi ka pyetur Elvis Rroshin për aktivitetet që ka pasur përpara se të bëhej kryebashkiak i Kavajës dhe akuzat e kundërshtarëve të tij politikë si i inkriminuar.

“Kryetari i PD e bëri akuzën kur e di që Kavajën e ka të humbur. Ai është vetë i inkrimuinuar se ka lënë 4 të vrarë në mes të Tiranës. Kandidati i PD sot për Kavajën hedh akuza kundër meje, kur ka qenë një shok i imi që ka kontribuar më 2011. Ai do të votojë për mua”, ka thënë Rroshi.

Rroshi:  Nuk kam probleme me ligjin, Basha e ka të humbur Kavajën

Ai ka shtuar se nuk ka pasur kurrë probleme me ligjin.“Nuk kam asnjë dosje të hapur, as kam pasur dhe as kam. Për këtë më votuan qytetarët e Kavajës dhe do të më votojnë prapë. Zoti Basha është i mbytur dhe nuk ka gojë të flasë pasi Kavajën e ka të humbur”, ka thënë Rroshi.

Arsimimi, Rroshi: Kam mbaruar ekonomi agrare, si Kryebashkiak më propozoi Ndreu

Moderatori Rakipi ka pyetur Rroshin për arsimin e tij.

“Kam mbaruar ekonomi agrare në Kamëz në vitin 2006″, ka thënë Rroshi.

Ai ka shtuar se nuk është anëtar i Partisë Socialiste.

“Partia ime është Kavaja. E kam thënë më 2011 dhe e them prapë. Nuk jam anëtar në asnjë parti”, u shpreh Rroshi.

I pyetur nga gazetari Rakipi se kush e propozoi emrin e tij për kryetar Bashkie të Kavajës, Rama apo Pjerin Ndreu, Rroshi u shpreh:

“Pjerin Ndreu sëbashku me strukturat dhanë idenë për emrin tim”.

Rroshi: Rama skeptik në 2011 se i dukesha i shkurtër, Berisha më la pa fonde

I pyetur nga Rakipi se kush besoi në fitoren e tij 4 vite më parë, Rroshi deklaroi:

“Edi Rama pas dy-tre takimesh në Kavajë i thashë, shiko Tiranën se Kavajën e kemi fituar.

Më shikonte si i gjatë dhe unë i shkurtër dhe u çudit. Por unë fitova. Stafi im dhe qytetarët më besuan dhe unë fitova”.

Ai shtoi se në mandatin e parë e gjeti Kavajën të rrënuar.

“Menjëhere pasi mora postin i dërgova dy letra kryeministrit Berisha dhe ai deklaroi në mes të Kavajës se sa të ishte Elvis Rroshi kryebashkiak nuk do të kishte fonde. Ne bëmë projekte me fondet e donatorëve”, u shpreh Rroshi.

Rroshi: Qytetin e ndriçova me donacione të bizneseve

Ai shtoi se çdo lagje dhe hyrje pallati në Kavajë ka ndriçim.“Ndriçimi në Kavajë u mundësua nga biznesmenë. Dikush erdhi nga Italia dhe dha 100 ndriçues, dikush tjeter bëri rrugën.  Unë nuk ua kam kthyer këto ndere, vetëm respekt. Në total ky projekt i ndriçimit ka shkuar rreth 200 milionë lekë të vjetra”, u shpreh Rroshi.

Gazetari Rakipi ka pyetur Rroshin sesi do të veprojë në rast se biznesmenët që e kanë ndihmuar do t’i kërkojnë investimin mbrapsht.

“Këto biznese që kanë investuar e kanë bërë me shpirt dhe nga unë kanë respekt. Nuk do t’iu bëj ndere të tjera”, u shpreh Rroshi.

Rroshi: Ja presionet me të cilat u përballa gjatë qeverisjes Berisha

I pyetur për presionet nga ish-kryeministri Berisha, Rroshi deklaroi:

“Presionet më të mëdha kanë qenë kur më mbajtën në burg për 3 ditë dhe kur nuk dha asnjë fond për qytetarët e Kavajës.

Përsa i përket jetës së tij, Rroshi deklaroi se “kam një bashkëshorte,një vajzë 15 muajshe dhe presim vajzën tjetër muajin që vjen”, tregoi Rroshi.

Obelisku, Rroshi: Do t’ju surpizoj me një më të bukur gjatë  këtyre ditëve

Gazetari Rakipi ka pyetur kryetarin aktual të Bashkisë për heqjen e obeliskut nga qendra e Kavajës.

“Obelisku nuk është i PD, është i qytetarëve të Kavajës. Ne kemi një projekt të ri, ku Obeliski do të jetë më i bukur. Do ta bëj suprizë për disa ditë. Obeliskun për pak ditë do ta vëmë përballë Pallatit të Kulturës”, u shpreh Rroshi.

I pyetur nga gazetari Rakipi, Rroshi ka deklaruar se Obelisku është krijuar nga Ilirjan Xhixha, skulptor i njohur që rri në Milano.

“E ka bërë në Itali dhe do e sjellë në Kavajë. Është bërë bazamenti, është 7 metra i lartë dhe ftoj edhe Bashën që të vijë në inagurim”, u shpreh Rroshi.

Rroshi bën bilancin: Kemi investuar në infrastrukturë, kopshte dhe shkolla

Kandidati socialist deklaroi se është investuar në mandatin e parë në infrastrukturë, në kopshte dhe shkolla.

“Në 2 vitet e qeverisjes Rama kemi bërë 4 kopshte. Janë gjëra të vogla?” u shpreh Rroshi.

Rroshi shpalos projektet: Ja pse kërkoj një mandat të dytë në Kavajë

Moderatori Rakipi ka pyetur Rroshin për planin e ardhshëm 4 vjeçar.

“Kemi një projekt madhështor për stadiumin, një projekt me vlerë 10 milionë dollarë për 15 mijë tifoza. Kemi gati projektin për ujin e pijshëm, pasi edhe në kohën e komunizmit ka pasur probleme me ujin Kavaja. Ne kemi shatërvanë se është bereqet”, u shpreh Rroshi.

Gazetari Rakipi ka insistuar nëse kandidati Rroshi ka projekte për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të Kavajës, siç është uji i pijshëm dhe jo vetëm projekte fasadë, siç është shatërvani, Obelisku apo stadiumi.

“Të gjitha rrugët që ka ndërtuar Bashkia e Kavajës kanë ujë. Për pak ditë fillon uji në Qerret dhe në Golem, projekt me vlerë 4.2 milionë dollarë. Fillon tani. Pastaj nisim me Kavajën dhe Komunat që quhet Kavaja e madhe”, ka thënë Rroshi.

Ai sulmoi rivalin e tij demokrat në garë se nuk ka bërë asgjë për Kavajën kur ishte deputet.

“Rrugën që ai nuk e beri kur ishte deputet, Elvis Rroshi e bëri për 2 muaj”, u shpreh kandidati socialist duke treguar edhe fotot e rrugës.