Sigal

Pedagogu dhe deputeti i LSI-së Shezai Rrokaj fajësoi në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë dhe kryeministrin Rama si shkaktarin kryesor për mos rifillimin dhe mos rifunksionimin e universiteteve në vend. Në një intervistë për Neës 24, Rrokaj deklaroi se kryeministri nuk duhet të zvarritet dhe të hidhet nga një degë në tjetrën, por tu përgjigjet konkretisht plotësimit të kërkesave të paraqitura nga studentët. “Ajo që unë di të them dhe mund ta them me plot bindjen është që tani pengesa, ai që po pengon rifillimin dhe rifunksionimin e universiteteve është qeveria, është kryeministri. Ai duhet tu thotë Po kërkesave të studentëve, dhe të mos zvarritet duke gjetur alternativa të tjera, por nuk u jep përgjigjen e pastër dhe të qartë të atyre gjërave që studentët kërkojnë.”, tha deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj.

Ju vini direkt nga fakulteti tani, si ishte atmosfera ditën e sotme?

Studentët vazhdojnë të protestojnë. Nuk kishte studentë të pranishëm. Edhe atmosfera e përgjithshme është që studentët vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre, në kërkesat e tyre dhe më e çuditshme tani është qëndrimi i qeverisë dhe i kryeministrit, i cili hidhet nga dega në degë, por katër pesë çështjet themelore siç është përgjysmimi i tarifave për të dyja ciklet,  rishikimi i ligjit të arsimit të lartë, kur e kërkojnë të gjithë grupet e interesit. Kur e kërkojnë të gjithë grupet e interesit do të thotë që ligji është për ata. Kryeministri nguron dhe nuk është i bindur ende për të bërë ndryshimet e nevojshme, nga ana tjetër shumë kërkesa të studentëve siç është Karta e Studentit flitet se po kërkohet të lidhet me një kartë ndërkombëtare studentësh. Nëqoftëse nuk ka një kartë studenti kombëtare ajo nuk lidhet dhe nuk mund të bëhet ndërkombëtare.

Ka pasur deklarata ditën e sotme se ka studentë që duan të futen në mësim, duan të futen në auditore, por nuk i lejojnë. Nga vëzhgimi si keni patur  si pedagog, profesor a ka studentë që duan të vijnë që të marrin pjesë në mësim?

Në fakultetin histori-filologji unë nuk pashë, mbase edhe në ndonjë auditor mund të bëhet mësim, nuk mund të këmbëngul në këtë gjë. Ajo që unë di të them dhe mund ta them me plot bindjen është që tani pengesa, ai që po pengon rifillimin dhe rifunksionimin e universiteteve është qeveria, është kryeministri. Ai duhet tu thotë Po kërkesave të studentëve, dhe të mos zvarritet duke gjetur alternativa të tjera, por nuk u jep përgjigjen e pastër dhe të qartë të atyre gjërave që studentët kërkojnë.

Studentët e Juridikut kanë paralajmëruar ndoshta një greve për ditën e dielë ose ditën e hënë nëse qeveria nuk do të reflektojë. A është greva rruga e duhur, a mendoni se qeveria do të ketë ndonjë reflektim?

Mua më vjen keq për këtë masë ekstreme që lidhet me jetën e tyre  dhe me qenien student, por ja që u dashka në bindjet e tyre për ata që ata pretendojnë të arrijnë me kërkesat e tyre. Sidomos përgjysmimi i tarifave edhe për ciklin master, kryeministri nuk e premton.  Nuk lidhet me një koncept meritokracie, por lidhet me një koncept ekzistencial  të familjeve shqiptare. Po kështu dhe kërkesat e tjera që ata kërkojnë, janë kërkesa të rëndësishme për jetën e tyre akademike. Rishikimi i Ligjit, Karta e Studentit , 5 % e PBB për arsimin. Mbase nuk arrihet 5% por të paktën 1% për Arsimin e Lartë që do të thotë rreth 70 milionë euro më shumë. Nga 0.5 që shpenzohet tani, është e mundshme. Por duhet të jenë gjërat të qarta. Sepse te Pakti për Universitetin ka shumë demagogji por nuk zgjidhen 5 gjëra kryesore që ata kërkojnë. Pra të përgjysmohen tarifat për të dyja ciklet, çfarë nënkupton Karta e Studentit, sa % e PBB mund të kalojë për Arsimin e Lartë këtë vit dhe pastaj më pas të rishikohet.

Edhe një koment lidhur me lajmin e ditës, që ka të bëjë me kalimin e të gjitha kompetencave nga z. Rama tek Gent Caka si Ministër i Jashtëm. Ditën e sotme i delegoi z. Rama të gjitha kompetencat e Ministrit të Jashtëm. Si e komentoni këtë?

Opozita ka një qëndrim. Opozita identifikon vetëm një person që drejton Shqipërinë, ky është kryeministri. Të gjitha lëvizjet e tjera janë lëvizje figurash që më së fundmi u kuptua që ishte dhe panevojshme që të ishin të paktën publike. Pra janë figura të cilat ai i vendos si gurët e shahut, por mbreti diell që kontrollon dhe mban përgjegjësinë për gjithçka është kryeministri. Kalimi i kompetencave tek z. Caka, nuk e di sa ligjor është sepse janë të përcaktuara se çfarë kompetencash mban zv. Ministri në raport me ministrin. Apo në raport edhe me takimet diplomatike që kërkojnë detyrimisht praninë e ministrit.  Unë them që e rëndësishme ishte që të ishte një ministër i punëve të jashtme që të shërbente. Dhe një të tillë mund të kishte disa kandidatura ndër socialistë. Por kjo është zgjedhja e tij. Ai ka zgjedhur të mbajë koston e gjithë qeverisjes dhe ne problemin politik e kemi me atë në vetë të parë.