Rrokadë drejtorësh tek LSI Elbasan

566
Në kuadrin e masave stabilizuese në fushën e emërimeve dhe qarkullimeve në rang drejtorësh, LSI ka vendosur të qarkullojë fillimisht 5 drejtorët e saj në Elbasan. Burime të sigurta nga kjo forcë politike në këtë qytet i thanë “Telegraf” se “pritet që të hënën Mimoza Trimi, drejtore e Zyrës së Kuadrit në Drejtorinë Arsimore të emërohet drejtoreshë e Spitalit Rajonal Psikiatrik, në vend të Ylli Muçës, gjithashtu deri në fund të muajit dhjetor 2015 pritet largimi dhe emërimi në detyra të tjera edhe i drejtuesve të Hekurudhës në Elbasan, drejtorisë Pyjeve, Mjedisit, dhe Inspektoriatit të Punës. Këto ndryshime në fakt kanë nisur të diskutohen qysh para 3-4 muajsh, pas debateve në degën e LSI Elbasan mbi “meritokracinë” e emërimeve, duke detyruar koordinatorin e kryesisë qendrore të kësaj partie të vendosë mbi largimin dhe emërimin në detyra të tjera të drejtuesve aktualë.
Emërimet e reja të drejtorëve të LSI, me standardet e meritokracisë 
Sipas të njëjtit burim, mësohet se “qarkullimet dhe largimet nga detyra të drejtuesve po bëhen në kuadër të reformimit të stafeve në institucionet, ku ata drejtojnë, për t’i dhënë shansin edhe atyre të rinjve që mund të japin maksimalisht kontributin e tyre dhe që në LSI nuk mungojnë”. Nevoja e organizimit më të mirë të punës dhe strukturave partiake, ka sjellë edhe nevojën e rifreskimit të emrave që prej 2 vjet e gjysmë drejtojnë nga kjo forcë politike, institucione të rëndësishme në Elbasan. Ashtu si edhe në mjaft nisma të tjera që pas 23 qershorit 2013, LSI sërish mbetet e para në iniciativat e saj politike edhe për rifreskimin e drejtuesve të saj, duke lënë në heshtje PS. Kjo e fundit akoma nuk ka ndërmend të nisë nga ky qytet apo edhe në shkallë qarku, lëvizjet e drejtuesve të saj, pavarësisht se ka muaj që deklaron se “duhen bërë ndryshime urgjente”, madje prej kohësh bëhen dhe grisen lista me emra që largohen dhe emra që ofron në postet e reja. 
Partia Socialiste nuk guxon të bëjë ndryshime mes drejtuesve
Ndryshimi qëndron tek fakti se, në qoftë se LSI mendon dhe vendos pa shumë retorikë se “ka ardhur koha e rifreskimit të drejtuesve” dhe e bën realitet, në PS nuk guxon njeri të hedhë hapin për ndryshime të tilla, që do ta përmbysnin situatën e rënduar që është krijuar. Baza e kësaj force politike e ka mjaft të vështirë të pranojë faktin se, “ardhja e PS në pushtet ka ndryshuar jetën e tyre”, pasi ndjehen të mashtruar. Kjo, pasi ata sërish kanë mbetur të papunë, dhe varfëria e tyre është thelluar edhe më shumë. Pavarësisht se militantët, ata që votuan dhe kërkuan votën që ata të vinin agallarët e tyre në pushtet, kërkojnë punë dhe denoncojnë nepotizmin dhe korrupsionin, duket se kjo “borie” bie vazhdimisht në veshin e shurdhër. Kjo nuk ndodh tek LSI. Ndoshta kjo mbetet e vetmja forcë politike në vend, e cila bazën e partisë saj, ka zërin e fuqishëm të ndryshimeve. Ardhja e shpeshtë e Metës në Elbasan dhe Cërrik, i ka dhënë impulse të reja strukturave të LSI në këto qytete, dhe rritje të numrit të anëtarësimeve të reja. Kërkesat e bazës dhe monitorimi i kontributeve dhe rezultateve në punë, ka afruar nevojën e ndryshimeve, të cilat tek LSI kanë nisur me postet e drejtorëve dhe pikërisht nga Elbasani.
 
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 05.12.2015
Sigal