Rritja e çmimit të ujit në Tiranë, LSI: Oligarkët të mos paguajnë njësoj si të varfrit

519
Pas demokratëve që u ngritën kundër propozimit të Bashkisë së Tiranës për dyfishim të çmimit të ujit të pijshëm, edhe këshilltarët e LSI-së mbajnë të njëjtin qëndrim.

Këshilltarët e LSI-së kanë bërë një propozim Bashkisë për ujin e pijshëm ku kërkohet ulja e çmimit për shtresat e varfra. Gjatë fjalës së tij në dëgjesën e thirrur, Endrit Braimllari, anëtari i LSI-së në Këshillin Bashkiak, pohoi para Veliajt se nevojitet një skemë rimbursimi për familjet në nevojë. “Dëgjesa publike në Këshillin Bashkiak u bë me kërkese te këshilltareve te LSI. Logjika e faktit të kryer shkatërron transparencën. Asnje pagese me shume për shtresat në nevojë. Zgjidhja jonë i çliron te varfrit nga shtesa e çmimit. Oligarkia të mbaje barrën le të paguajë më shumë. Bizneset që lidhen me artikujt e shportës te mos u rritet çmimi. Qeveria te lere sheshet po te financoje ujin e pijshëm. Krahasimi i Veliajt me Korçën i pavërtetë. Korça u financua nga KFW dhe qeveria”, tha Braimllari.

Dy kushte Veliajt për të votuar rritjen e çmimit të ujit
Endrit Brahimllari, këshilltar i LSI-së në bashkinë e Tiranës, tha për mediat se LSI do të votojë nismën e bashkisë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, nëse plotësohen dy kushte. Propozimi i parë lidhet me diferencimin e çmimeve për bizneset, që kanë të bëjnë me produktet e shportës, si furrat e bukës, tha Brahimllari. Nëse rriten çmimet për këto biznese, atëherë kjo do të sjellë kosto për qytetarët. Çmimet të mos rriten për këto biznese, shtoi ai. Propozimi i dytë i LSI lidhet me shtresat në nevojë. Brahimllari ka kërkuar përfshirje në skemën e rimbursimit të familjeve në nevojë, pra atyre që marrin ndihmë ekonomike. Këto dy propozime, shtoi ai, janë kushtet e LSI për të votuar nesër në këshillin bashkiak nismën për rritjen e ujit të pijshëm. Deklaratat, Brahimllari, i bëri pas përfundimit të seancës dëgjimore në Këshillin Bashkiak të Tiranës, me kryebashkiakun Erjon Veliaj. Dëgjesa u thirr nga këshilltarët e LSI. Sipas relacionit të bashkisë, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3.

Deklarata e këshilltarëve të LSI-së në këshillin bashkiak të Tiranës
Me kërkesë të këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, është thërritur në një seancë dëgjimore për problemet e ujësjellësit të kryeqytetit, Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Kjo seancë që po zhvillohet në këto momente në sallën e këshillit bashkiak, synon një njohje më të plotë e të detajuar të të gjithë problematikës, që ka ujësjellësi i Tiranës, të cilat nuk janë të lidhura vetëm me nevojën për rritjen e çmimit, po pikësëpari me domosdoshmërinë e mirëmenaxhimit të këtij sektori jetik dhe të ujit si pasuri kombëtare; për rritjen e faturimeve që janë në një nivel skandaloz që nuk i kalon as 30 përqind të prodhimit, për luftën kundër informalitetit e lidhjeve të paligjshme të shumë bizneseve të deputetëve të PS–së apo të bizneseve të klientëve të pushtetit me fabrika birre, me fabrika pijesh freskuese apo alkoolike, me pika karburantesh që përdorin pa kontratë ujin e pijshëm për lavazhe e me dhjetëra e dhjetëra biznese të tjera te zona e Freskut, në Tufinë, në unazën e re apo në të gjithë autostradën deri në Vorë! Por një arsye themelore që këshilltarët e LSI-së kanë thirrur këtë seancë dëgjimore me kryetarin e bashkisë është edhe garantimi i transparencës për qytetarët, sepse në fund të fundit bashkia është e tyrja dhe interesi i tyre është parësor!

LSI vendos të flasë me emra: Ja oligarkët që vjedhin ujin
Anëtarë të LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë denoncuar në dëgjesën e djeshme emra sipas tyre oligarkësh që vjedhin ujin e pijshëm me anë të lidhjeve të paligjshme.

Pak pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Erjon Veliaj, Endrit Braimllari tha se LSI disponon emra konkret të biznesmenëve që vjedhin ujin e pijshëm. Kështu, këshilltarët e LSI përmendën para mediave emrin e deputetin e PS-së, Xhemal Qefalia, njëherësh edhe biznesmen.

“Kemi kërkuar që të ndërpriten lidhje të paligjshme të oligarkisë. Ka lidhje të paligjshëm si rasti i Xhemal Qefalisë, që ka lidhje të paligjshme në bizneset e veta. Ne do bëjmë opozitë parimore, institucionale dhe jemi me këmbë në tokë. Kemi kërkuar diferencim të familjeve në nevojë”, tha Braimllari.
Sigal