Rritja e çmimit të energjisë, Fronti i Majtë: Tregon paaftësi për të qeverisur

483
Sigal

Fronti i Majtë deklarohet absolutisht kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, në çfarëdolloj forme që ai të propozohet. Një vendim të tillë e konsiderojmë jo vetëm si një shprehje të qartë të paaftësisë për të qeverisur, jo vetëm si një goditje të rëndë financiare për shqiptarët, por edhe si një tradhti ndaj elektoratit dhe idealeve të majta. “Prej më shumë se njëzet vjetësh, qoftë nën menaxhimin e shqiptarëve dhe aq më tepër nën menaxhimin e të huajve, ish-KESH, ish-OSSH dhe aktualisht CEZ Shpërndarje është shndërruar në një vend punësimi për militantët e të dyja forcave kryesore politike, në një ndërmarrje të zhytur në abuzime financiare marramendëse, të krahasueshme vetëm me ato të Fullanit në Bankën e Shqipërisë. Të gjitha këto kanë çuar në këtë situatë të rëndë në të cilën ndërmarrja ndodhet aktualisht. Një ndër masat e para që duhet të ndërmerrte qeveria ishte ai i garantimit të pagimit të faturave në të gjithë vendin, pasi klima e vjedhjes dhe e abuzimit nuk ka mbërthyer vetëm shtetin, por po shtrihet edhe në shoqërinë shqiptare. Mijëra individë, subjekte private dhe institucione shtetërore rezultojnë debitorë. Kriza e vërtetë financiare e këtij institucioni, nuk konsiston në çmimin e faturës, por në mospagimin e saj. Rritja e çmimit të energjisë do ta thellojë edhe më shumë këtë fenomen dhe do të çojë në një pasojë fatale për shoqërinë shqiptare: Edhe ata qytetarë të ndershëm që sot shtrëngojnë rripin dhe paguajnë faturat, nesër do të kriminalizohen duke vjedhur energjinë, pasi rripi është shtrënguar aq shumë sa që po këputet. Fronti i Majtë, i shqetësuar për pasojat e rënda që pritet të sjellin për shqiptarët këto veprime të papërgjegjshme, në cilësinë e forcës politike pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar, i bën thirrje qeverisë të heqë dorë nga aventura të tilla. Nëse qeveria nuk e menaxhon dot këtë sektor, Fronti i Majtë deklaron se i ka të gjitha kapacitetet ta marrë përsipër një barrë të tillë dhe ta drejtojë këtë institucion në atë mënyrë që të evitojë krizën financiare pa rënduar xhepat e shqiptarëve. Ne garantojmë se brenda një viti, CEZ Shpërndarje nuk do të jetë një institucion me humbje, por edhe shqiptarët do të kenë një nivel shumë më të lartë ndërgjegjësimi për faturat që duhen paguar. Nuk do të ndodhë më që konsumatorët e ndershëm të paguajnë edhe faturat e hajdutëve.

Shqiptarët aktualisht po paguajnë faturat e energjisë më të shtrenjta se në çdo vend tjetër të Europës, duke llogaritur nivelin e të ardhurave dhe këtë e di shumë mirë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar që i dikton qeverisë që të rrisë edhe më tej këtë faturë. Ashtu sikurse i ka kërkuar qeverisë edhe të ulë pensionet. Ashtu sikurse, sipas të dhënave tona, ka sugjeruar edhe një guvernator të huaj për Bankën e Shqipërisë. Këta skllavërues ekonomikë të popujve të Botës së Tretë po na trajtojnë si ndonjë vend të Afrikës Subsahariane. Thika po shkon në palcë. Në qoftë se qeveria i nënshtrohet edhe këtyre presioneve të huaja, atëherë në të gjitha institucionet duhet të ulet flamuri shqiptar. Jemi vend i pushtuar”, thuhet në deklaratën e Frontit të Majtë.

Kryetari i Frontit të Majtë

Marko Dajti