Rrezikohet Samiti i BE për Ballkanin Perëndimor

575
Bullgaria negocion me shtetet që kundërshtojnë përfshirjen e Kosovës, ndërsa Shqipëria pret hapjen e negociatave për anëtarësim
Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian do të jetë e vështirë, si për mosplotësimin e kërkesave të Brukselit, ashtu edhe për një agjendë aspak favorizuese ndërkombëtare. Mediat bullgare kanë zbuluar detaje nga negociatat e kryeministrit Bojko Borisov, drejtues i radhës i BE-së, për të mundësuar zhvillimin e samitit të parashikuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Më 9 dhe 10 prill, shefi i qeverisë bullgare ishte në Mostar për të marrë pjesë në Panairin e 21-të Ekonomik Ndërkombëtar. Kur liderë të shteteve të rajonit mblidhen për një veprimtari të tillë në një shtet të vogël, është e dukshme që kjo është një pretekst për bisedime politike. Në Mostar kishin një darkë të përbashkët presidentët e Serbisë dhe të Malit të Zi, Aleksandër Vuçiç dhe Filip Vujanoviç, kryeministrat e Bullgarisë dhe të Kroacisë Bojko Borisov dhe Andrej Plenkoviç, presidentët e Republikës Serbska dhe të Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik e Marinko Çavara dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto. U zhvilluan edhe bisedime dypalëshe të Borisov, në të cilat përveç si kryeministër i Bullgarisë, ai diskutonte edhe si përfaqësues i Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së. Sipas medias, kjo veprimtari u zhvillua në një moment të tensionit të lartë politik midis Serbisë dhe Kosovës dhe të mosmarrëveshjeve të ashpra të brendshme në Bosnje e Hercegovinë, pak më shumë se një muaji para takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor, parashikuar në programin e Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së për 17 maj. Tensioni midis Beogradit dhe Prishtinës është rreth pavarësisë së shpallur nga Kosova, gjë ndaj së cilës ka mospërputhje të qëndrimeve edhe ndër shtetet anëtare të BE-së. Madridi e përkrah Beogradin, duke deklaruar se Spanja nuk do të ulë në një tryezë të bisedimeve bashkë me përfaqësues të Kosovës. Për këtë arsye ajo refuzon të marrë pjesë në takimin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje. Duhet të theksohet, se ulja në një tryezë për bisedime me përfaqësues të Kosovës për Madridin do të thotë njohje e ligjshmërisë së kauzës së Katalonjës për pavarësi nga Spanja. Me këtë pozitë të Spanjës solidarizohen edhe Rumania dhe Qiproja. Sipas burimeve të Brukselit, tre shtetet paralajmëruan, se nuk do të marrin pjesë në një takim, në të cilin Kosova trajtohet si një shtet me perspektivë të njëjtë evropiane si vendet e tjera të regjionit. Pavarësia e Kosovës nuk njihet edhe nga dy shtete të tjera të BE-së, Greqia dhe Sllovakia. 

Skeptikët
Disa vëzhgues janë skeptikë, se nga takimi në Sofje gjatë majit mund të pritet një avancim në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Disa të tjerë mendojnë, se për këtë arsye takimi BE-Ballkani Perëndimor gjatë majit në Sofje nuk do të mbahet. Mirëpo, në Mostar kryeministri Bojko Borisov e përgënjeshtroi këtë, duke ripohuar se ai vazhdon të jetë prioritet i Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së. Nga Brukseli një zëdhënës i Komisionit Evropian e përkrahu Borisov duke deklaruar menjëherë dhe në mënyrë kategorike, se Komisioni punon bashkë me partnerët e tij bullgarë për organizimin e një takimi të tillë. Ndërkaq, zëdhënësi rikujtoi, se prioritetet e Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së u diskutuan me kryeministrat e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në praninë e homologut të tyre bullgar Bojko Borisov, Përfaqësueses Supreme për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së Federika Mogerini dhe Komisionarit të BE-së për Zgjerimin, Johannes Han, ndërsa gjatë shkurtit kryetari i Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker vizitoi të gjitha gjashtë shtetet e rajonit. Në fillim të marsit, pas turneut ballkanik Junker tha në Sofje, se po kthehet nga Brukseli i sigurtë se Ballkani ka vend në BE. Tani, një muaj më vonë, në Mostar kryeministri Bojko Borisov theksoi, se në rajon ka mosmarrëveshje, të cilat shqetësojnë të gjithë, sepse plagët e embargos mbi Jugosllavinë janë të hapura dhe ndihet një atmosferë e vrazhdë, “përderisa para disa muajve situata nuk ishte e tillë”. Me siguri Kryeministri Borisov kishte parasysh më në veçanti shkallëzimin e tensionit midis Serbisë dhe Kosovës javët e fundit dhe rrezikun nga dështimi i miratimit të një kodi të ri zgjedhor në Bosnje e Hercegovinë, gjë që në se do të ndodhë, sipas kryeministrit “do të bllokojë për një kohë të gjatë” tërë procesin e aderimit të vendit. Në Mostar Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç komentoi pas bisedimeve me Borisov, se deri në takimin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje ka kohë dhe shumë gjëra mund të ndodhin, por me më shumë rëndësi është të ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan. Pas bisedimeve me Vuçiç, Kryeministri bullgar u sigurua në telefon nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, se Kosova nuk ka dëshirë për konflikte ose sulme të armatosura dhe do të kontribuojë, si për takimin e nivelit të lartë kushtuar Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për dialogun paqësor për përballimin e mosmarrëveshjeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Vizita e kryeministrit Bojko Borisov në Mostar përfundoi në pritje të zhvillimeve të ardhshme të rëndësishme deri në takimin e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor më 17 maj në Sofje.
Sigal