“Rrezikohen projektet e teknologjisë elektronike të zgjedhjeve, nga vonesat e pajustifikuara”

498
Sigal

INTERVISTA/Genci Gjonçaj, juristi i PS-së: “Presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve të 2013-s”

Risia e Reformës Zgjedhore, të miratuar me konsensus, është përdorimi i pjesshëm i identifikimit elektronik dhe numërimi elektronik. Mirëpo, edhe pse kanë mbetur vetëm 8 muaj nga zgjedhjet, akoma nuk është bërë asgjë, duke filluar që nga organizimi i tenderit, përgatitja e njerëzve që do të përdorin teknologjinë elektronike. Genc Gjonçaj në intervistën për “Telegraf”, shfaq shqetësimin politik për këtë kohëzvarritje. Sipas z. Gjonçaj, edhe Presidenti duhet të shpallë sa më shpejt ditën e zgjedhjeve, për t’i dhënë kohë të mjaftueshme KQZ-së së re. Sipas z. Gjonçaj, Kryeministri me emërimin e Ristanit në Ministrinë e Brendshme bindi edhe më skeptikët për militantizmin e kontributin që dha Ristani si Kryetari i KQZ-së.

– Z. Gjonçaj, a ka rëndësi që Presidenti ta shpallë sa më shpejt ditën e zgjedhjeve dhe të mos presim fundin e dhjetorit? Ndihmon kjo në mirëvajtjen mirëpërgatitjen  e procesit  të zgjedhjeve?

– Është shumë e rëndësishme që Presidenti ta ushtrojë funksionin e tij kushtetues sa më parë dhe të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, jo vetëm për faktin se nuk ka pse pret afatin e fundit ligjor, por  për një arsye më të thjeshtë, atë të sigurimit të kohës së nevojshme KQZ -së së re, të cilës, më së paku, i mungon një eksperiencë e nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Sikurse ju e dini, vetëm 2 anëtarë të KQZ-së kanë një eksperiencë thuajse të mjaftueshme për realizimin e zgjedhjeve dhe kjo eksperiencë ka lidhje vetëm me zgjedhjet e fundit problematike vendore.

– Neni 105 i Kodit Zgjedhor,  përcakton se: “Jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, KQZ-ja fillon përgatitjen e projektit për teknologjinë elektronike”, që do të zbatohet për herë të parë. Deri tani, a nuk kemi një pritje të vonuar? Ju shqetëson kjo vonesë?

– Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, të cilën KQZ-ja do të duhet të ballafaqohet dhe zgjidhë sa më parë. Kini parasysh se ngritja e sistemit të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve  në Tiranë dhe sistemit elektronik të numërimit në Fier kërkon minimalisht hartimin e një projekti, prokurimin, testimin dhe realizimin konkret te projektit ditën e zgjedhjeve. Të gjitha këto faza kërkojnë një kohë të caktuar, të cilën duke mbajtur parasysh afatet e realizimit të projektit, mund të them që nuk e kemi, nëse nuk veprohet tani.

– Kjo vonesë ka ndonjë qëllim politik? Apo, çdo gjë është brenda afateve kohore dhe mund të arrihet që të funksionojë sistemi elektronik i procesit të zgjedhjeve në kohë?

– Nuk dua ta besoj një gjë të tillë megjithëse maxhoranca bllokoi në komisionin e reformës zgjedhore këto dy kërkesa të opozitës, identifikim dhe numërim elektronik.

– Me sa kemi dijeni, akoma nuk është organizuar tenderi se cila kompani elektronike do të marrë përsipër teknologjinë elektronike të votimit. Po kështu, edhe specializimi i punonjësve që do të ngarkohen të punojnë me pajisjet elektronike është i vonuar. Ky aspekt, a merret parasysh nga KQZ-ja dhe vetë administrata zgjedhore si dhe qeveria?

– Siç e shpjegova më lart, duhet që KQZ-ja në mbledhjen e parë të saj të ngarkojë drejtoritë përkatëse për të hartuar një projekt të plotë dhe të detajuar, i cili më pas do të mund të prokurohet dhe realizohet nga kompanitë fituese.

– Ka ndonjë prapamendim, që duke vonuar -qëllimisht- futjen e teknologjisë, të ndodhemi para të papritur, për ta eliminuar tërësisht? Pasojat dihen.

– Do të duhet ta ballafaqojmë me kohë. Për momentin nuk dua që ta besoj që ka një qëllim bllokimi. Do të ishte e panevojshme një veprim i tillë, duke mbajtur parasysh klimën e mosbesimit që ekziston si dhe kërkesën për zhvillimin e zgjedhjeve të 2013 si kusht për integrimin e vendit në BE.

– Duke qenë se Kryetarja e KQZ-së u miratua vetëm nga maxhoranca, kjo a është një premisë e dyshimit të rolit që mund të luajë zonja Lleshi si Kryetare e KQZ-së?

– Edhe kjo është një çështje qe do verifikohet me kalimin e kohës. Vetë mënyra e seleksionimit të kandidaturave për kreun e KQZ-së ishte në kundërshtim me ligjin dhe se nuk tregon për ndonjë vullnet emancipues të maxhorancës. Megjithatë, të mos nxitohemi. Është në dorën e vetë znj. Lleshi të zgjedhë nëse do te sillet si një individ i përgjegjshëm me integritet moral dhe profesional, apo do të katandiset në një kukull në duart e maxhorancës. Këtë do ta shohim.

– Po emërimin e Ristanit si zv/ministër i Brendshëm dhe që do të drejtojë procedurën zgjedhore nga Ministria e Brendshme, a është një mesazh politik i Kryeministrit?

– Asnjëherë nuk kam menduar se z. Ristani ka qenë i pavarur në detyrën e Kryetarit të KQZ -së dhe Kryeministri, me emërimin e Ristanit në Ministrinë e Brendshme, bindi edhe skeptikët,  për militantizmin e kontributin që i dha Ristani  Berishës, si Kryetari i KQZ-së. Berisha e shpërbleu me ofiq qeveritar, duke i kërkuar vazhdimësinë e zellshmërisë.

– Faleminderit!