Rregullorja e re e Parlamentit censuron të drejtën e fjalës së deputetit

505
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca rrëzon dekretin për ‘Noterinë’, por miraton ‘Kadastrën’, deputetët replikojnë me akuza të rënda kundër njëri – tjetrit

Mazhoranca rrëzoi në Kuvend me 75 vota dekretin e Presidentit Ilir Meta “Për noterinë”, por miratoi dekretin tjetër për kthimin e ligjit “Për kadastrën”. Gjatë votimit për dekretin e dytë, socialistët dhe demokratët bashkuan 93 vota pro, duke i dhënë mundësi rishikimit të ligjit për kadastrën. Të dyja ligjet u kthyen pak kohë më parë nga Presidenti Meta për rishqyrtim. Sipas Presidencës në ligjin për Noterinë nuk garantohet trajtimi i barabartë i noterëve përballë kostos që duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre dhe nuk ofrohet siguri ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave të pamundura të shoqërisë.

Rregullorja e re: Ja rastet kur deputetit i hiqet e drejta e fjalës në Parlament

Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit ka prekur edhe punimet e seancës plenare. Duke u bazuar në praktikën e deritanishme të diskutimeve, në projektvendimin që u shqyrtua dhe u miratua në parim në Komisionin e Ligjeve, është parashikuar e drejta për t’u ndërprerë fjalën deputetëve në rastet kur flasin jashtë rendit të ditës. “Çdo diskutues, me përjashtim të rasteve kur në këtë Rregullore parashikohet ndryshe, ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta. Diskutuesi nuk mund të flasë më shumë se një herë për thelbin e së njëjtës çështje dhe nuk mund të marrë nga koha e një diskutuesi tjetër. Drejtuesi i seancës, kur çmohet prej tij, mund të ndërpresë fjalën e diskutuesit kur diskutimi është jashtë thelbit të çështjes”, thuhet në Nenin 48 të riformuluar. Mirëpo, në thelb, Neni 48 i riformuluar, cenon të drejtën e fjalës të deputetit, që të flasë për çështjet që kanë ndikuar në pasojat e problemeve që do të diskutojë për projektligjin. Për shembull, deputeti ka të drejtën e fjalës që të referojë në seancë plenare të Parlamentit për fenomenin e korrupsionit, të bashkëpunimit të krimit me segmentet e politikës dhe të shtetit etj, të flasë për papunësinë, të flasë për koncesionet e dhëna pa transparencë, të flasë për varfërinë, që detyron shqiptarët të braktisin Shqipërinë, të flasë për taksat që rëndojnë biznesin dhe shqiptarët, pavarësisht se janë apo jo në rendin e ditës të seancës plenare, por që janë problemet edhe të projektligjeve që janë në rend të ditës. Mazhorancës që e miratoi Rregulloren në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, nuk i intereson, që deputetët të prekin problemet kryesore, prandaj e riformuluan Rregulloren e re të Parlamentit, në mënyrë të këtillë, që kryetari i Parlamentit të ketë të drejtë, t’i heqë të drejtën e fjalës cilitdo deputeti, që flet jashtë rendit të ditës, jashtë kornizave strikte të projektligjeve të rendit të ditës. Kjo do të thotë, që Parlamenti të censurojë, të mohojë të drejtën e fjalës edhe deputetit brenda në parlament, duke e detyruar deputetin të flasë vetëm për gjërat që do dhe i interesojnë mazhorancës.

Replikat e ndërsjella midis deputetëve

Kryeministri Rama mungoi dje në seancën plenare të Parlamentit, por nuk munguan edhe replikat e tensionuara, akuzat e ndërsjella, me fjalë të rënda, ndërmjet deputetëve.

Basha: Në qershor nuk do të ketë hapje të negociatave, e morët mesazhin nga Berlini

Zgjidhja politikë që ua ofroj jo kukullave të krimit, është një qeveri tranzitore pa këtë kryehajdut të kapur në flagrancë, që jo vetëm do të zhbllokojë pengmarrjen e demokracisë, por është shansi i vetëm të zhbllokojë edhe integrimin, hapjen e negociatave. Nëse nuk arrihet me marrëveshje politike, po ju them, populli do vijë ta çlirojë këtë sallë dhe institucionet, do t’i fshijë ministrat dhe deputetët e politikanët e lidhur me krimin, por, nëse keni një fije ndërgjegje, thirrini arsyes, kujtoni çfarë ju thanë në Berlin që të keni një shans sado të vogël, mos ta humbim përsëri hapjen e negociatave për herë të tretë. Është një Parlament kukull, i kapur nga krimi. Vendi është edhe në krizë depresioni, jo vetëm ekonomike por dhe sociale. Ka të gjitha simptomat e një krize totale që ka mbërthyer vendin. Zgjidhja është, zgjedhje të parakohshme dhe qeveri tranzitore.

Braçe, zv.kryeministri, shpërthen ndaj PD: Pisa, qepeni!

Do doja që të lusja të gjithë ata pisa që nga foltorja e Kuvendit që marrin kurajën dhe t’i drejtohen socialistëve të ndershëm. Qepeni! Krimet barbare me banditë që dilnin nga burgjet, që i kanë ndjekur prapa këta njerëz këtu. Ju që përmendi SPAK dhe BKT duhet të keni përgjegjësi. Ju pushkatuat pa gjyq 4 njerëz të ndershëm në Bulevard. Krimet elektorale që nga viti 1992 ju bëjnë që të largoheni.

Berisha përplaset ashpër me ministrin Lleshaj: Je bastard, i pafytyrë, puçist!

Një prind i vërtetë nuk ia lejonte vetes kurrë këtë. Policia ka reaguar vetëm pas denoncimit që u bë në rrjete sociale dhe ky vasal që nuk ka nder, dinjitet dhe nuk ka asgjë merr përsipër të mashtrojë në vend që të marrë masa, por nuk e bën dot se zbaton urdhrin e Edi Ramës për të fshehur krimin. Ky krim ka ndodhur në tetor dhe të gjitha informacionet kanë ardhur në Tiranë. A mund të imagjinoni një zyrtar që ka pafytyrësinë dhe u thotë shqiptarëve që policia veproi para denoncimit. Kush mund ta bëjë përveç këtij vasali? Është turpi më i madh, o puçist bashkë me atë tjetrin, ke futur forcat në Fakultetin Filologjik. I bindur të jesh se bashkë me të do të zvarriteni rrugëve.

Ministri Lleshaj replikon me Bashën: Mendohu mirë kur të drejtosh gishtin ndaj meje

Zoti Basha, e kam parë që gishtin tregues e drejtoni shpesh si njëlloj pistolete butaforike, por duhet t’ju them që mundohuni mos ta drejtoni kurrë kundër meje. Kurrë nuk do të arrini që të më shihni mua në pozicionin që keni qenë ju në vitin 2011. Prandaj sa herë ta drejtoni gishtin butaforik ndaj meje, duhet të mendoni historinë që keni pasur. Keni 4 të vrarë në CV-në tuaj, keni rreth 100 të plagosur dhe keni rreth 4 mijë të tjerë të mbetur në tentativë për t’u vrarë. Prandaj kur ta drejtoni gishtin mendohuni mirë.

Hasa e Kryemadhi sulmojnë Spiropalin: Je “Nafija” e Edi Ramës!
Deputeti i PD-së, Endri Hasa ka sulmuar ministren e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali. Ai e ka quajtuar atë “Nafije” që i është lëpirë kryetarit për të bërë karrierë. “Vjen këtu na bën moral 5 milionë euroshi i doganës. Kjo është e denjë për të bërë filma se si nafijet i thurnin lavde Skënderbeut që të ngjiteshin në maja. Këto janë nafijet e Edi Ramës”. Me Spiropalin replikoi edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila tha: “Andronikës që ka qejf të rrijë me Skënderbeun i them të mos e përmendë më PS, se s’ka lidhje me atë parti aty, se aty s’ka më socialistë. Ti Elisa e nise si revolucionare, por do të ikësh si borgjeze, megjithatë dije se borgjeze s’të bëjnë paratë por shpirti, mendja dhe dija”.

Balla replikon me Berishën: Gjuha shkon ku të dhëmb dhëmbi

E nisi tek energjia elektrike e shkoi tek Kosova, por gjuha të shkon ku dhëmb dhëmbi. Sali ti e mbylle kohën tënde me shumë pika të zeza. Një prej tyre është sabotimi që i bëre pavarësisë energjetike të Kosovës, bllokove projektin e rëndësishëm të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Në këtë Kuvend ne e kemi denoncuar këtë sabotim, por historia jote nuk përfundon këtu. Ti e furnizoje me naftë Millosheviçin, Sali.

Rudina Hajdari: Disa këtu në Parlament nuk janë përfaqësues të vendit

Disa politikanë si përfaqësues të vendit nuk punojnë për popullin. Si pasojë ata detyrohen të largohen nga vendi dhe kryesisht drejt vendeve të BE. Ndaj them se kjo qeveri duhet të bëjë më shumë për ta. Unë kam pasur takime me trupën diplomatike në BE-së në lidhje me çështjen. Edhe pse e dinë se Shqipëria është një nga ato vendet stabël, shqiptarët e shikojnë të dobishme më mirë të blejnë një biletë avioni dhe të ikin për Gjermani, Francë. Nuk është opozita…, por duhet të jetë vullneti i të dy palëve”, tha ajo në sallën e Paralementit.

Berisha nxjerr prapaskenat: Merkel refuzoi takimin, si po bëhet Rama sherr i Ballkanit

Mbështesim marrëveshjen Kosovë-Serbi pa copëtim territoresh. Gjatë vizitës së presidentit Bush në Shqipëri, ai më drejtohet duke më thënë se, cili është mendimi juaj për Kosovën dhe unë thashë se, ne duam që të jetë e Pavarur. Më tha kur mendon ti se duhet të shpallet pavarësia? I them se, meqë ju e keni ndarë mendjen dhe ne do ju jemi mirënjohës, i thashë merrni kohën tuaj, sepse nuk duhet të bëhemi mollë sherri mes jush dhe BE.
Ky proces duhet të ecë me mirëkuptim dhe jo siç bën zotëria me argatët e Beogradit se tani Merkel po ikën. Kur ishte atje iu serviles me superlativa, por Merkel refuzoi pritjen. Nuk e priti dhe refuzoi pritjen. Rama po bëhet sherri i Ballkanit dhe faturën e paguajnë shqiptarët. Po bëhet sherri i Ballkanit, sepse është i lidhur me vjedhjet dhe krimet. I dënoj me ashpërsinë më të madhe… Kosova dhe Serbia të zgjidhin problemet si dy shtete të pavarura dhe jo mbi bazën e argatëve që s’kanë atdhe. Ata janë armiq të shqiptarëve dhe paqes në rajon.