Rrëfimi i ambasadorit Ryerson

586
Nga William E. RYERSON

Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane, një histori e shkurtër
Ribotohet me rastin e 95-vjetorit të njohjes së Shqipërisë nga SHBA dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës filluan zyrtarisht në 28 Korrik 1922 me njohjen e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara. Duke vazhduar zakonin mbizotërues të asaj kohe për shkëmbimin e të dërguarve që mbanin titullin “ambasador” vetëm mes të ashtuquajturave Fuqi të Mëdha, Misioni i Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ndërtua si një legatë (ambasade), e cila drejtohej nga një ministër. Ulysses Grant Smith u caktua si ministri i parë amerikan; Ai mbërriti në Tiranë në Tetor për të paraqitur letrat kredenciale.
Duhet përmendur natyrisht, se kontaktet mes dy vendeve kanë ekzistuar edhe përpara asaj date, me emigrantët që shkonin nga Shqipëria në Amerikë, duke prezantuar kështu dhe volumin e këtyre kontakteve. Kjo u tregua më së miri me interesin e shprehur nga Presidenti amerikan, Widrow Wilson në lidhje me dilemën shqiptare. Në Konferencën e Paqes në Versajë në Mars të vitit 1920, ai informoi fuqitë e tjera se, Amerika nuk do të toleronte ndarjen e Shqipërisë nga fqinjët, dhe tha se ai më mirë tërhiqej nga konferenca se sa të shihte diçka të tillë të ndodhte. Për t’u siguruar që fuqitë e tjera e kuptuan seriozitetin e thënies së tij, ai urdhëroi delegacionin amerikan të bënte gati valixhet dhe të përgatitej për të ikur. Kur automjetet u shfaqën (atëherë nuk kishte avionë) jashtë dhomave të përfaqësuesve, fuqitë e tjera u zmbrapsën nga planet e tyre për të ndarë Shqipërinë. Nuk është çudi, pra, që shqiptarët kanë një konsideratë shumë të lartë për të dhe për Shtetet e Bashkuara.

Marrëdhëniet ishin vendosur edhe para njohjes zyrtare, në Korrik të 1921, me krijimin e një shkolle teknike me ndihmën e Kryqit të Kuq Amerikan. Në 17 Prill 1922, një ceremoni inauguruese u organizua për ndërtimin e shkollës Teknike Amerikane (e quajtur gjithashtu Shkolla Profesionale Amerikane), me muzikë nga banda muzikore e Shoqatës “Vatra” nga Bostoni. Harry Fultz mbërriti në Tetor të atij viti dhe e drejtoi shkollën deri në mbylljen e saj të detyruar në 1933. Shkolla u bë e njohur si “Shkolla e Fultzit”, një emër dhe shkollë e ringjallur në 1993 përmes përpjekjeve të vajzës së Fultzit, Joan Fultz Kontos.

Shkolla dhe prezenca amerikane në Shqipëri janë identifikuar me njëra -tjetrën dhe ndoshta disa mund ta kenë harruar që ndërtesat e legatës (tani ambasada) u ndërtuan nga kjo shkollë për qeverinë amerikane.

Një shkollë tjetër, Shkolla amerikano-shqiptare e Bujqësisë dhe shkencave u hap në Kavajë në Shtator 1922. Ajo u bë mjaft e njohur prej emrit të themeluesit të saj Charles Erikson.

Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të mira. Shqiptarët ishin të mirë predispozuar ndaj vendit që kish ruajtur pavarësinë e tyre dhe prej të cilit vinin të ardhura të mjaftueshme, veçanërisht në zonën e Korçës. Pjesëtarët e familjes udhëtonin nga njëri vend në tjetrin dhe shumë emigrantë ktheheshin për t’u martuar dhe për t’i marrë bashkëshortët me vete në SHBA, një traditë që u ndërpre nga pushtimi fashist i të Premtes së Mirë, 7 Prill 1939. Një tregues i besimit tek Amerika ishte dhe fakti që ministri amerikan, Hugh Grant, i solli një kërkesë për t’i dhënë azil, mbretëreshës Xheraldinë dhe djalit të sapo lindur. Edhe pse ra dakord, Mbreti vendosi ti largonte ata nga Shqipëria. Legata u mbyll dhe personeli amerikan u largua nga Shqipëria.

Pati kontakte gjatë luftës mes forcave amerikane dhe atyre shqiptare që luftonin ushtritë pushtuese. Përpjekjet koordinoheshin nga Zyra e Shërbimeve Strategjike (ZSS), me qendër në Bari dhe drejtoheshin nga një njeri, i cili e njihte mjaft mirë vendin dhe njerëzit, Harry T. Fultz.

Një prej amerikanëve të parë të dërguar nga Departamenti i Shtetit në Tiranë, oficeri i lartë Stephen Peters, një shqiptaro-amerikan, mbërriti atje në Janar 1945. Një mision ndërlidhës ushtarak amerikan vepronte jashtë ndërtesave të legatës; delegacioni drejtohej nga Joseph Jacobs dhe Harry T. Fultz. Më 16 Mars, sekretari Amerikan i Shtetit tha se, njohja e qeverisë së re shqiptare do të varej nga informacioni mbi zhvillimet në vend dhe tha se një mision me njerëz do të nisej shumë shpejt në Shqipëri për të grumbulluar informacion. Qeveria shqiptare nuk i lejoi të hynin në vend. Misioni special e vazhdoi punën e tij dhe në raportin përfundimtar të shpallur në 15 Gusht 1945 rekomandoi se “…regjimi i tanishëm duhet të njihet”, duke pasur parasysh disa kushte, kryesisht zgjedhje të lira dhe regjimi duhej t’i garantonte përfaqësuesve diplomatikë dhe konsullorë të drejta dhe privilegje që ata i gëzonin në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Në 10 Nëntor, Z. Fultz prezantoi një notë diplomatike ku shprehte vullnetin e Shteteve të Bashkuara për të njohur regjimin në rast se do kishte zgjedhje të lira dhe nëse do merreshin parasysh traktatet ekzistuese. Hoxha refuzoi. Më pas, Shtetet e Bashkuara thanë: “Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk mund të vazhdojë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me autoritetet e tanishme shqiptare, derisa të ketë marrë siguri për kërkesat që kishin lidhje me statusin e traktateve dhe marrëveshjeve”.

Marrëdhëniet zyrtare u ngrinë deri në rivendosjen e tyre në mars 1991. Megjithatë, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në 1955, kishte disa kontakte tejet të kufizuara, më së shumti ato që kishin lidhje me dhënien e vizave për të udhëtuar në Nju Jork për përfaqësuesit shqiptarë.

Më e rëndësishmja, komunikimi vazhdoi përmes Shërbimit shqip të “Zërit të Amerikës”. Ndërkohë, që qeveritë e tjera gradualisht e pushuan transmetimin në shqip, përveç Radio “Vatikanit” dhe ndonjë meshe të rastit në shqip, “Zëri i Amerikës” mbeti një burim i fortë lajmesh për Shqipërinë. Të dëgjoje “Zërin e Amerikës” ishte me rrezik, dhe ata që kapeshin duke e bërë një gjë të tillë, ndonjëherë të tradhtuar dhe nga ndonjë koment i bërë pa dashje, dënoheshin me 7 vjet punë të vështirë të detyruar. Kur mbërrita në Tiranë rreth një muaj pas rivendosjes së marrëdhënieve, zbulova se “Zëri i Amerikës” shumë mirë mund të ish-quajtur “Zëri i shqiptarëve”. Shqiptarët ishin aq mosbesues ndaj propagandës së qeverisë së tyre sa më treguan se nëse diçka nuk e kishin dëgjuar nga “Zëri i Amerikës”, atëherë nuk ishte e vërtetë.

Vizita e Sekretarit Bejker në Qershor 1991 dhe pritja emocionuese nga shqiptarët, solli një fillim të ri në marrëdhëniet tona dypalëshe. Pati gjithashtu një efekt të thellë në tërë skenën politike në Tiranë: e di që të paktën një zyrtar i vjetër më tha se ishte dita e parë ku ai ndihej se ishte i lirë të fliste ashtu siç mendonte. Mesazhi qe “Liria funksionon” u dëgjua dhe u zbatua në Shqipëri.

Kur ne morëm serish tokat e legatës në 1 Tetor 1991, i ngarkuari me punë Christopher Hill, zbuloi se prona jonë kish mbetur e paprekur. Ai gjeti dhe prezantoi me krenari stemën e Legatës si dhe gjeti artikuj kuzhine që akoma qëndronin në qilarin e rezidencës së ministrit. Fqinjët më vonë më thanë se kur Misioni ynë special u largua në 1945, deri kur ne lejuam qeverinë italiane të përdorte pronën, ajo mbeti e paprekur. Akoma ka shenja të vogla në një gardh të vogël rreth pronës që i tregon kalimtarëve, se kjo ishte “Pronë e Shteteve të Bashkuara”. Ambasadori francez, i cili jetonte në anën tjetër të rrugës, e bëri të mundur që të paguante dikë për t’u përkujdesur për pronën.

Edhe pse pati rezistencë ndaj ndihmës së ofruar nga SHBA në dimrin e 1991-1992 (një ministër refuzoi të na lejonte që të siguronim fertilizues bujqësorë, ndërsa ne insistonim, duhej të shitej në ankand) ky qëndrim u zhduk kur pushteti kaloi nga partia sunduese e Ramiz Alisë në 22 Mars 1992. Bashkëpunimi u rrit dhe presidenti i ri shqiptar, Sali Berisha u prit zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë në Qershor të atij viti.

Një diskutim i shpejtë, por i hapur që pata në 1993 me Kryetarin e asaj kohe të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Parlamentit shqiptar ka mbetur me mua si treguesi më i mirë i marrëdhënieve tona me Shqipërinë. Të dy arritëm në përfundimin se nuk ka asnjë arsye për mosmarrëveshje mes nesh dhe ka shumë arsye për të bashkëpunuar; ne nuk kishim interesa konfliktuale. Ne nuk kishim pretendime territoriale tek njëri-tjetri, as tek ndonjë vend i tretë; ne kishim një interes pozitiv për paqen në Ballkan; ne ndanim të njëjtën dëshirë për të promovuar demokracinë dhe tregun e lirë në Evropën Juglindore; ne do të mirëprisnim integrimin e Shqipërisë në institucionet Euro-Atlantike.

Shumë gjëra kanë ndodhur në marrëdhëniet tona që kur jam larguar nga Shqipëria në 1994. Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar mbështetjen që i ka bërë Shqipëria interesave të përbashkëta – që nga mikpritja e jashtëzakonshme e refugjatëve kosovarë në 1999 deri në kalimin e qetë të pushtetit nga njëri pol i politikës në tjetrin.

Është vlerësuar shumë dhe mbështetja e Shqipërisë në Afganistan dhe Irak. Vizita e kohëve të fundit e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush në Shqipëri është provë, nëse ka nevojë për një të tillë, që marrëdhëniet janë vërtetë shumë të mira. Pra, nuk është aspak për t’u habitur, veçse për të përforcuar se konkluzioni i arritur prej meje në 1993-shin, është ende i vlefshëm.
Sigal