Rrapo Danushi: Duke sabotuar kthimin e pronës tek i zoti, Banka Botërore nuk saboton pronarët, por Shqipërinë

506
Sigal

Replikë me zonjën Lovovsky/ Kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi, Rrapo Danushi i përgjigjet letrës së Drejtoreshës së BB

Vazhdojnë replikat dhe pakënaqësitë ndaj përfaqësuesve të Bankës Botërore në Shqipëri, dhe veçanërisht ndaj drejtoreshës Kseniya Lvovsky. Pasi zonja Lvovsky iu përgjigj në gazetën “Telegraf” letrave të hapura të zotit Danushi, Dr. Nesturit dhe zotit Boçari vjen menjëherë reagimi, ose më saktë replika nga Kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi, Rrapo Danushi, i cili është sërish i pakënaqur nga përgjigja e drejtoreshës së Bankës Botërore në Shqipëri. Letra e zotit Danushi kërkon veprim të menjëhershëm nga BB, për të marrë në dorë situatën e pronave në vend ose të largohet nga detyra nëse është jashtë mundësive të saj. Më poshtë po japim replikën e plotë të ardhur nga zoti Danushi:

“E nderuar zonja Lovovsky, Drejtoreshë e Bankës Botërore në Shqipëri!

Analizuam përgjigjen të letrës tuaj të bërë publike në gazetën “Telegraf” të datës 6 Qershor 2013. Ju falënderojmë që përgjigjen e bëni të hapur dhe ndjejmë detyrim moral të falënderojmë publikisht redaksinë e gazetës “Telegraf”, që kanë botuar pa censurë shkrimet tona dhe kjo e dallon atë nga gazeta të tjera, të cilat nuk botojnë shkrimet tona nëse janë kritike për këtë apo për atë drejtues partie apo drejtues të politikës. Në përgjigjen tuaj ju thoni: “Për shkak të rëndësisë që kanë të drejtat mbi pronat e paluajtshme dhe çështjet ende të pazgjidhura që lidhen me procesin e reformës së tokës, Banka Botërore ka përgatitur në vitin 2011 një studim mbi këtë problematikë me titull ”Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme”. Qëllimi i studimit ishte informimi i debatit publik dhe theksimi i rëndësisë që ka angazhimi në dialog me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që të zgjidhen problemet e mbetura pezull lidhur me privatizimin, kthimin/kompensimin, legalizimin dhe zhvillimin e një tregu toke të efektshëm. Më tej ju citoni botimin e dytë të rishikuar të B.Botërore në prill 2012 dhe thoni: “Studimi ka kaluar në filtrin e një procesi shqyrtimi të plotë dhe ka marrë mbështetjen e drejtuesve të Bankës Botërore. Banka Botërore është një institucion shumëpalësh për zhvillim, i cili punon me dhe për vendet anëtare, si Shqipëria. Ne do të vazhdojmë një dialog të hapur, profesional dhe pragmatik për këtë dhe për sfida të tjera të zhvillimit në Shqipëri me të gjitha grupet kyçe të interesit për ta ndihmuar vendin që të ecë më shpejt drejt dhënies fund të varfërisë së skajshme, nxitjes së prosperitetit të përbashkët, përmirësimit të qeverisjes dhe çuarjes përpara të integrimit në BE”. Jemi të deziluzionuar me përgjigjen tuaj zonja Lovovski pasi ajo nuk ka asnjë lidhje me problemet, që ju kemi bërë publike datë 27 dhe 30 maj dhe as me kritikën zotit Boçari datë 1 qershor 2013. Për studimin e vitit 2011 ne ju kemi vënë në dukje një mori me gafa dhe për hir të së vërtetës në materialin e rishikuar në prill 2012, ju keni maskuar një pjesë të tyre, duke ruajtur detajet dhe thelbin e qëndrimit mohues për pronën e trashëguar duke filluar me termin djallëzor ish-pronar për pronarët e vërtetë dhe të ligjshëm. Ju rendisni të parën privatizimin dhe nuk shpreheni me kritikë ose mbështetje për zgjidhjen nëpërmjet projektligjit që ne ju kemi paraqitur, ashtu siç kemi bërë ne dy shoqatat me studimin tuaj. Ju kemi thënë në tryezë dhe detyrohemi t’ua themi edhe në Nju Jork se duke neglizhuar propozimet tona për të zbatuar parimet bazë të demokracisë dhe detyrimet kushtetuese Banka Botërore realisht ka financuar zhvillimin e korrupsionit dhe në emër të ligjit ka lehtësuar vjedhjen e pronave që konfiskoi sistemi sllavokomunist. Duke mos analizuar projektligjin që ne ju kemi paraqitur  (shih www.defendingproperty.com ) duke e krahasuar atë me çdo alternativë tjetër, ju realizoni të kundërtat e asaj që pretendoni në këtë përgjigje. Ju pohoni se B.Botërore po punon për zhvillimin e Shqipërisë dhe për ta ndihmuar vendin, ne ju kemi argumentuar se duke sabotuar kthimin fizik të pronës tek i zoti, Banka Botërore po e saboton demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Këtë situatë e denoncojnë mijëra të vrarë për probleme prone dhe vetë ju që pranoni se procesi, të cilin ju e mbështesni me rekomandime, por dhe financiarisht nuk ka përfunduar prej 22 vjetësh. Prandaj ju jeni nxitës dhe mbështetës moralë dhe financiarë të abuzimeve të pushtetarëve tanë. Kthimi i pronës së grabitur tek i zoti është detyrim kushtetues, por jo sfidë siç mendoni ju për ta lënë të hapur kohën se kur do zgjidhet. Ne insistojmë se prona e konfiskuar, e grabitur e përfituar padrejtësisht nuk është pronë e grabitësit, por ju e trajtoni si pronë të pushtetarëve (!!). Për atë pronë grup interesi është vetëm pronari i ligjshëm dhe shteti që duhet të zbatojë detyrimet kushtetuese. Përgjigja juaj na deziluzionon kur mendojmë se shpreh qëndrimin e Bankës Botërore. Ky është menaxhim i gabuar, që ju nuk mund ta maskoni më tej në emër të Bankës Botërore, duke kërkuar grupe të tjera interesi, duke zëvendësuar detyrimet kushtetuese dhe të drejtat e njeriut me platformën tuaj se B.Botërore do të vazhdojë një dialog të hapur, profesional dhe pragmatik,. Kjo ngjan si dy  pika uji manovrën e shokut Ramiz Alia për të ricikluar klanin komunist në kushtet e pluralizmit. Me ankesat dhe argumentet e shumta që ju kemi drejtuar ndër vite ju si Bankë Botërore ju kemi argumentuar se po bëni një padrejtësi të madhe ndaj qytetarëve duke i penguar ata për të gëzuar pronën e trashëguar të konfiskuar sistemi i diktaturës. Ndofta për shkak të bindjes tuaj të gabuar nga sistemi komunist por edhe specialiste të tjerë, të paguar, si p.sh. ekonomisti Hernando De Soto, po e mbështesni këtë krim moral, duke rekomanduar legalizime, privatizime, pa përfunduar kthimin fizik dhe pa dalluar se prona është e shtetit apo pronë e shtetasve, të cilën shteti duhet ta kthejë në origjinë. Ju bëni veshin e shurdhër ndaj logjikës se pa mbaruar kthimi nuk mund te legalizohen grabitjet dhe shkeljet ligjore. Kështu bëhet gjithnjë dhe më e qartë se shkaku i vërtetë është mbështetja juaj për zbatimin e direktivës së shokut Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike në Tetor 1989, ku ai për të shpronësuarit rekomandon: “…Do t’u japim nga një letër në dorë që tu njihet prona, por këtë nuk do t’ua japim asnjëherë. Do ti ngatërrojmë në forma të ndryshme me njëri tjetrin, që të kalojnë në gjykatë, ku të zbatohet rrotacioni nga gjykata e shkallës së parë në të dytën dhe për shkak të defektesh teknike, kthim për rigjykim në shkallën e parë….. Pasuria e tëra na përket ne, se ne e bëmë.” Ky është realiteti i sotshëm dhe këtë ua kemi thënë në tryezë dhe kjo mbetet e shkruan në gjurmët që ju lini çdo ditë kur ecni në tokë. Shpresojmë që ju të reflektoni dhe të kuptoni se duke sabotuar kthimin e pronës tek i zoti, ju nuk sabotoni pronarët, por Shqipërinë. Për të parandaluar këtë ne do të jemi të detyruar të kërkojmë largimin tuaj nga Shqipëria. Ne pritje të reagimit tuaj ftojmë të gjithë analistët dhe gazetarët deputetët aktualë dhe kandidatët e Kuvendit të ardhshëm të shprehen për këtë problem bazë të demokracisë”.

Rrapo Hajredin Danushi

Kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

PËRGJIGJE LETRAVE TË HAPURA TË ZOTIT DANUSHI, DR. NESTURIT DHE ZOTIT BOÇARI

Në përgjigje të letrave të hapura të zotit Danushi datë 27 maj, Dr. Nesturi datë 30 maj dhe zotit Boçari datë 1 qershor 2013, Banka Botërore dëshiron të bëjë me dije se ka dhënë komente dhe reagime ndaj Shoqatës “Bregdeti” dhe Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” përmes disa komunikimeve me shkrim dhe mbledhjeve të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit. Për shkak të rëndësisë që kanë të drejtat mbi pronat e paluajtshme dhe çështjet ende të pazgjidhura që lidhen me procesin e reformës së tokës, Banka Botërore ka përgatitur në vitin 2011 një studim mbi këtë problematikë me titull “Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme”. Qëllimi i studimit ishte informimi i debatit publik dhe theksimi i rëndësisë që ka angazhimi në dialog me të gjitha grupet e interesit, në mënyrë që të zgjidhen problemet e mbetura pezull lidhur me privatizimin, kthimin/kompensimin, legalizimin dhe zhvillimin e një tregu toke të efektshëm. Botimi i dytë i rishikuar i materialit në fjalë është publikuar në ueb-sajtin tonë me adresë http://ëëë.ëorldbank.org.al, në muajin prill 2012, pas diskutimeve të zhvilluara me shoqatat e lartpërmendura dhe me grupe të tjera të interesit. Në të pranohet se ka pikëpamje gjerësisht të ndryshme për këto çështje mes grupeve të ndryshme të interesit në Shqipëri, duke përfshirë edhe pikëpamjet e shoqatave që përfaqësojnë pronarët e shpronësuar. Edhe pse i vlerëson pikëpamjet e shoqatave të pronarëve të shpronësuar, Banka Botërore i qëndron mendimit se studimi i lartpërmendur ofron një analizë të paanshme dhe të drejtpeshuar të situatës. Në të paraqiten një varg zgjidhjesh alternative dhe shembujsh të qasjeve që kanë ndjekur vende të tjera në situata të ngjashme; ai nuk rekomandon një plan për veprim. Studimi ka kaluar në filtrin e një procesi shqyrtimi të plotë dhe ka marrë mbështetjen e drejtuesve të Bankës Botërore. Banka Botërore është një institucion shumëpalësh për zhvillim, i cili punon me dhe për vendet anëtare, si Shqipëria. Ne do të vazhdojmë një dialog të hapur, profesional dhe pragmatik për këtë dhe për sfida të tjera të zhvillimit në Shqipëri me të gjitha grupet kyçe të interesit për ta ndihmuar vendin që të ecë më shpejt drejt dhënies fund të varfërisë së skajshme, nxitjes së prosperitetit të përbashkët, përmirësimit të qeverisjes dhe çuarjes përpara të integrimit në BE.

Sinqerisht,

Kseniya Lvovsky