“Rotacioni ka vlerë kur sjell modele dhe projekte zhvillimi të demokracisë”

491
Sigal

INTERVISTA/Afrim Krasniqi, analist: “Korrupsioni nuk është një sëmundje, por tipari kryesor i politikës dhe vendimmarrjes”

Analisti dhe publicisti i njohur Afrim Krasniqi, në intervistën për “Telegraf”, pohon se vendi ndodhet përballë dy sfidave kryesore: sfidës për një demokraci funksionale dhe asaj për kapërcimin e krizës ekonomike. Dhe më tej, zoti Krasniqi, argumenton se: “Problemet tona themelore mbeten shteti ligjor, korrupsioni, zgjedhjet e lira, dialogu politik”.

– Zoti Krasniqi, sipas jush, cilat janë problemet akute të politikës shqiptare sot? Dhe sa përpiqen forcat politike për terapinë në dobi të shëndoshjes të demokracisë në Shqipëri?

–  Mendoj se vendi ndodhet përballë dy sfidave kryesore: sfidës për një demokraci funksionale dhe asaj për kapërcimin e krizës ekonomike. E para është shkarkuar nga vetë politika shqiptare, është shumë e gjerë dhe komplekse, sepse lidhet me kulturën e ligjit, korrupsionin, raportet e politikës dhe qytetarëve me shtetin, etj, dhe vështirë të shërohet nga ata që e kanë shkaktuar. 22 vjet pas rënies së komunizmit, ne po ndërtojmë demokracinë me sjellje, mekanizma dhe aktorë politikë të njëjtë, si 22 vite më parë, pra pa arritur të kryejmë rotacion politik dhe rotacion elitash, pa formuar një institucion të qëndrueshëm të kulturës demokratike dhe respektit ndaj votës, pa institucione të pavarura funksionale dhe të besueshme dhe me një rritje të zhgënjimit qytetar tek ofertat e munguara të politikës. Për një vëzhgues të huaj, politika shqiptare nuk ngjason me politikën e një vendi evropian, por me një model të largët të Lindjes së Mesme, ose më tej, ku akuzat, sulmet, kërcënimet, pushteti, vendimmarrja etj, bazohen në vullnetin e 2-3 personave, të familjeve dhe klaneve të tyre besnike,  duke pamundësuar zërin dhe mundësinë e qytetarëve për korrektimin e politikës dhe ndëshkimin demokratik të saj. Kriza ekonomike lidhet me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, me kreditë pafund dhe nivelin e lartë të informalitetit, paaftësinë e qeverisë për të iniciuar politika zhvillimi si dhe me kapacitetet e pamjaftueshme lokale për konkurrim në tregjet rajonale e globale, ashtu siç edhe me krizat ekonominë në vendet me ndikim në ekonominë tonë, siç janë kriza në Greqi, Italia, etj, me ndikim edhe në rënien e nivelit të ardhurave nga emigracioni. Me rëndësi është fakti se tek ne qytetarët kanë prioritet problemet ekonomike kur në fakt axhendat politike nuk janë ekonomike. Pra, ka mospërputhje midis asaj çfarë duan qytetaret dhe asaj çfarë ofron politika, siç ka mungesë transparence në vendimmarrje, pasiguri për pronën dhe liritë ekonomike, rritje të modelit të oligarkisë në politikë dhe ekonomi, rritje të hendekut midis një pakice të pasur dhe një shumice të varfër, si dhe mungesë sigurie e mbrojtje për shtresat e mesme.

– Shumë fjalë bëhet për korrupsionin, ku PD dhe PS akuzojnë njëra-tjetrën. Sa janë të interesuara ato që të bëjnë- më së fundi-katarsin e korrupsionit?

– Korrupsioni nuk është retorikë, është realitet. Institucioni më serioz ndërkombëtar, Transparency International e konfirmoi rritjen e nivelit të korrupsionit në Shqipëri, Instituti Demokratik Amerikan raportoi se shumica absolute e shqiptarëve paguajnë në administratë dhe nivele të larta politike për shërbimet e tyre më minimale. Çdo ditë dalin në dritë skandale korruptive që lidhen me zyrtarë të lartë, familjarë të tyre, apo partner e miq biznesi. Qeveria thotë se fajin për korrupsionin e kanë ata që nuk janë në qeveri, pra ata që praktikisht nuk marrin vendime. Kjo është alibi absurde dhe fyese. Në një sistem të korruptuar politik maja e piramidës korruptive është zyra e kryeministrit, nëse do ishte ndryshe, atëherë do të kishim një bilanc dhe sjellje tjetër të vetë titullarit të ekzekutivit. Por faktet janë kokëforta. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka dërguar ende asnjë zyrtar të lartë përpara drejtësisë. Është qesharake kur shihet se kemi 5-6 deputetë të shpallur fajtor nga gjykata, se kanë akuzuar zyrtarë të lartë të qeverisë apo familjarë të tyre për korrupsion dhe nuk kemi hetime dhe as dhënie drejtësie për vetë këta zyrtarë e individë të korruptuar. Në një vend ku ministra e deputetë shfaqen me pamje filmike, duke ndarë para në zyrat e shtetit, duke ndarë tenderë dhe poste publike, dhe ku çdo i akuzuar mbyll proceset për procedurë, korrupsioni nuk është një sëmundje, por një tipari kryesor i politikës dhe vendimmarrjes. Nuk ka më dilemë se politikanët tanë  marrin vendime për bizneset afër tyre, që krijojnë monopole, pasurojnë të afërmit dhe besnikët e tyre dhe që shpërfillin drejtësinë, kanë krijuar një sistem mafioz drejtimi, me natyre kriminale dhe me potencial real kërcënues për stabilitetin e vendit, qytetarët, jetën dhe aspiratat e tyre evropiane.

Ajo që bie në sy në politikën shqiptare është se dështimi për herë të tretë i marrjes të statusit kandidat u trajtua si diçka e papërfillshme, e parëndësishme  për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kemi papërgjegjshmëri politike, nga aktorët politikë,  apo kemi ende kohë që shqiptarët të marrin biletën e integrimit për në Familjen Evropiane?

– Ishte vendim i pritshëm. Nuk besoj se ka pasur iluzione për një vendimmarrje tjetër. Ne jetojmë këtu, shohim çdo ditë çfarë nuk shkon mirë dhe ku janë problemet, shohim se politika nuk funksionon, institucionet janë formale, ligji zbatohet me dy ose më shumë standarde, prona dhe jeta nuk kanë garanci, vota e postet publike tregtohen, – atëherë si mund të presim që të hyjmë në Evropë?! Ky model keqqeverisës, personal, privat, familjar, klanor, diskriminues dhe baltosës, në politikë dhe vendimmarrje, – duhet reformuar, duhet pastruar, duhet ndryshuar dhe, vetëm kur të ndodhë kjo, shanset e Shqipërisë për integrim do jenë reale. Tezat se ata që janë përgjegjës për këtë situatë mund të jenë shpëtimi ynë, janë alibi sa utopike aq edhe parapolitike. Këtë mesazh e thotë qartë edhe raporti i BE-së, i cili fajëson rregullisht klasën politike dhe sidomos dy partitë e mëdha, për dështimet në raport me integrimin.

Palët politike e përkthejnë mosmarrjen e statusit, në opsione të ndryshme. Vallë, janë bërë të qarta, qoftë edhe nga BE-ja përse Shqipërisë iu mohua dhënia e statusit?

BE-ja e thotë qartë çdo herë. Problemet tona themelore mbeten shteti ligjor, korrupsioni, zgjedhjet e lira, dialogu politik. Pra, në tërësi janë kritere politike. Mosmiratimi i tre ligjeve nga opozita ishte e gabuar, refuzimi i maxhorancës për të ofruar zgjidhje politike që mundëson konsensusin për tre ligjet është po ashtu i gabuar. Dy palët menduan për veten, votat, sondazhet dhe mundësitë për të fituar kredenciale lokale në lidhje me këto vendime, por në fakt asnjëra palë nuk mendoi realisht për qytetarët, interesat publike dhe interesin kombëtar. Kjo është e dukshme dhe kjo është drama më e madhe që po përjetojnë shqiptarët. Një popull që mbahet jashtë Evropës nga një ose dy liderë politikë, nga një ose dy klane politike, thjesht e vetëm për interesa të tyre personale! Kjo nuk mund të ndodhë në një shoqëri të emancipuar, qytetare dhe evropiane. Kjo ndodh në Shqipëri, sepse shoqëria shqiptare pasqyron produktin e politikës, nivel të lartë zhgënjimi, militantizmi dhe paaftësi organizimi e mbrojtjeje të të drejtave të tyre kushtetuese. Nëse Zogu u rrëzua me pushtimin nga Italia, Hoxha u rrëzua nga Zoti, Alia u rrëzua me revolucion qytetar në efektin domino të disa vende evropiane, është fatkeqësi të presim që pasuesit e tyre sundimtarë të presim të rrëzohen në të njëjtat mënyra. Duhet të ketë rotacion demokratik, duhet të vendosë vota, duhet të ketë një zgjim qytetar për përgjegjësitë dhe fatet e veta, – ndryshe ne rrezikojmë të kalojmë nga një oligark të mentalitetit komunist e ballkanik tek një tjetër, pa perspektivë të qartë për vendin. Shikoni kritikat ndaj modelit Berisha&Rama&Meta: më të ashpra janë në raportet ndërkombëtare, BE, OSBE, NDI, sesa nga vetë institucionet publike, shoqëria civile, media apo aktorët e tjerë me ndikim në shoqërinë tonë! Ky është paradoks dhe kjo shpjegon përse shqiptarët në 22 vjet nuk kanë zgjedhur të mirën më të mirë, por  midis të keqes më të vogël dhe asaj më të madhe.

– Edhe PS-ja, por edhe PD-ja, për të nxjerrë përfitim kapital nga ky dështim i mosintegrimit, premtojnë dhe zotohen që me fitoren e tyre elektorale të 23 Qershorit, Shqipëria do të marrë (automatikisht) statusin e vendit kandidat në BE. Fitorja elektorale e 23 Qershorit, e cilësdo force politike është vërtet edhe hapi i integrimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE?

Zgjedhjet do jenë përcaktuese në raport me integrimin. Nëse realizohen në standarde, nëse pranohet rezultati, nëse krijohen institucione legjitime dhe nëse institucioni i votës funksionon, atëherë shanset e integrimit janë të mëdha. Përndryshe, shanset humben përsëri. Aspekt tjetër me rëndësi postzgjedhore është administrimi i vullnetit politik elektoral. Vendi ka nevojë për rotacion, për mirëqeverisje, për qeveri të kontrolluar nga Parlamenti dhe Parlament funksional, tipare që sot mungojnë. Unë besoj shumë se qytetarët me 23 Qershor do të dinë të bëjnë diferencën midis modeleve të konsumuara të PD, PS, LSI dhe modeleve pozitive qytetare, të cilat mund të përcaktojnë sistemin e ardhshëm politik dhe të vendosin vlera morale e politike në qeverisjen e ardhshme, siç ndodh rëndom në një demokraci perëndimore. Nëse kjo ndodh, shanset e integrimit janë dukshëm më të mëdha.

Vendimet e para të marra,  nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, ku mungon tërësisht konsensusi, a përbëjnë provë të një ecurie të procesit zgjedhor që mund të afrojë besueshmëri për zgjedhje të lira e të ndershme?

– Kolegji shkeli hapur ligjin zgjedhor për të dhënë mesazhin se maxhoranca mund të marrë çdo vendim që ajo dëshiron, një kërcënim për opozitën dhe kritikët e saj, por edhe një tregues i largësisë së thellë midis Shqipërisë që ka krijuar maxhoranca dhe Shqipërisë qytetare evropiane që duhet të kemi. Natyrisht, është rasti për të kujtuar se Kodi ishte produkt PD-PS, dhe çdo krizë në zbatimin e tij është në një masë edhe përgjegjësi e bashkautorëve të tij, socialistëve në opozitë. Ata edhe njëherë u dëshmuan të paaftë të dalin nga logjika e interesave të ngushta elektorale kundër aktorëve të rinj politikë dhe pazareve periodike me qeverinë, të cilat në çdo rast kanë qenë e janë devijim nga institucionet, parimet kushtetuese dhe interesin madhor qytetar. Të tilla ishin ndryshimet kushtetuese, i tillë është përjashtimi i emigrantëve nga votimi, administrimi partiak i zgjedhjeve, sistemi zgjedhor ndëshkues për palët e treta politike dhe fusha e lirë për financime abuzive elektorale.

– Meqë forcat e ndryshme opozitare bëjnë fjalë për domosdoshmërinë e rotacionit dhe në fund të fundit ato kuptojnë  thjesht, marrjen e pushtetit, për shqiptarët, cili do të ishte rotacioni politik qeverisës i kërkuar?

PS-ja dhe lideri i saj vazhdimisht thonë se misioni historik sot është largimi i kryeministrit. Unë mendoj se ata janë gabim në koncept dhe strategji. Misioni dhe vlera historike e zgjedhjeve të qershorit është shumë më e gjerë sesa karriera e mbyllur tashmë politike e një kryeministri pa mbështetje brenda dhe jashtë vendit; është largimi i modelit negativ që përfaqëson kryeministri dhe një pjesë e opozitës, modelit korruptiv, autoritar, jodemokratik në mentalitet e sjellje, antiinstitucional në raport me shtetin dhe abuzues me pronën e të drejtat qytetare, ndëshkues ndaj interesave të vendit dhe klientelist në funksion të oligarkisë personale, familjare dhe klanore. Mentaliteti gati ultimativ se kush nuk është me liderin e opozitës është me kryeministrin ose anasjelltas, është sa komunist aq edhe provincial, sepse refuzon të pranojë konceptin demokratik të alternativës si dhe realitetin shqiptar ku 40-45% e shqiptarëve janë votues të rregullt kundër PD-PS, pra janë potencial real për forcat e reja politike, sidomos për FRD, si grupimi më i ri qytetar, politik dhe profesional në skenën politike. Rotacioni ka vlerë kur nuk lidhet thjesht e vetëm me emra, por lidhet me parime, vlera, modele dhe projekte zhvillimi të demokracisë, – gjë që e bën 23 qershorin një datë të veçantë, me rëndësi dhe përcaktuese për qeverisjen e Shqipërisë në dekadën e ardhshme. FRD me siguri do ta luajë këtë rol, të jetë përcaktuese në politikën e re parimore dhe qytetare, pra edhe të tejkalojë modelet negative të partive të vjetra dhe të simotrave të vogla, siLSI, të cilat e ndanë shtetin dhe pushtetin në përqindje fitimi, duke i sjellë dëme të mëdha demokracisë, qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare.

– Faleminderit!