Romët janë një pasuri, dhe jo pazar për anëtarësimin në BE

637
Sigal

Bashkimi Evropian kohët e fundit vendosi ta bllokojë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky mesazh dekurajues do të tronditë politikën në të gjithë rajonin. Por efektet më serioze do të ndihen nga qytetarët e zakonshëm, veçanërisht romët, të cilët e kishin parë pranimin në BE si një mënyrë që këto qeveri t’i mbanin premtimet e tyre për t’i dhënë fund diskriminimit.

Zeljko Jovanoviç

Situata e romëve është tejet e rëndë në Ballkanin Perëndimor. Ata kanë dy herë më shumë gjasa të jenë të papunë se sa shumica e popullatës. Dhjetë për qind e popullsisë rome në Maqedoni dhe gjysma e asaj të Shqipërisë jetojnë pa ujë e kanalizime në banesë. Dhe në një të tretën e familjeve rome në Ballkanin Perëndimor, të paktën një person shkon për të fjetur i uritur. Megjithëse negociatat e pranimit do të kishin qenë një burim i dobishëm presioni ndaj qeverive për të përmirësuar situatën e romëve, ato nuk janë një zgjidhje për gjithçka. Anëtarësimi në BE nuk duhet të ishte një nxitje që Hungaria të kujdesej për qytetarët e saj romë. Partia e krahut të djathtë të vendit, Jobbik, premtoi ta zgjidhte “çështjen e ciganëve”, me anë të “përjashtimit rrënjësor”. Një retorikë e ngjashme u përsërit nga ish-kryeministri i Bullgarisë Valeri Simeonov, i cili i quante romët “njerëz arrogantë, mendjemëdhenj dhe të egër” dhe nga Presidenti çek Miloš Zeman, i cili pretendoi se 90% e atyre që ai i quante qytetarë “të pa adaptueshëm” ishin romë. Politikanët në Ballkanin Perëndimor, pa presionin e BE-së janë në një udhëkryq. Nacionalizmi ksenofobik ka pasur tashmë pasoja të rënda për BE-Brexit, shkelje të sundimit të ligjit në Hungari dhe Poloni. Mund të jetë edhe më keq në një pjesë të Evropës ku lëvizjet nacionaliste të tilla si partia e ekstremit të djathtë serb “Dveri” u zgjodh në Parlament mbi një agjendë thellësisht raciste. Në vend të kësaj, politikanët në Maqedoninë Verioret dhe Shqipëri mund të angazhohen për të përmirësuar jetën e qytetarëve të tyre, përfshirë romët. Ata duhet t’i shohin romët si pasuri të rëndësishme ekonomike. Ata janë grupi etnik që po rriten më shpejt në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ata shpesh flasin rrjedhshëm gjuhën e shumicës së popullsisë, si dhe në gjuhën e tyre rome. Dhe nëse ata jetojnë në zonat e populluara me një pakicë tjetër – për shembull shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ose hungarezët në Serbi – ata shpesh flasin një gjuhë të tretë. Disa prej tyre që u kthyen me forcë nga vendet e Evropës Perëndimore flasin gjithashtu gjuhët e këtyre vendeve. Në të gjithë rajonin, popullsia rome është e re. Në Shqipëri, raporti i varësisë  moshës së re që tregon numrin e të rinjve në lidhje me numrin e njerëzve në moshë pune (d.m.th. – ata të moshës midis 15 dhe 64 vjeç) është 59% krahasuar me 25% për jo-romë. Në Maqedoninë e Veriut, është 56%, krahasuar me 44% për jo-romë. Në një rajon ku popullsia në punë po zvogëlohet, romët mund të jenë një shpresë e madhe për të ardhmen e tregjeve të punës dhe sistemeve të pensioneve, nëse u jepen mundësi të barabarta.

Romët në Ballkanin Perëndimor kanë qenë sipërmarrës ndër breza. Për shembull, në Shqipëri mbi 69% të burrave romë dhe 47% të grave rome janë të vetëpunësuar në ekonominë informale, një përqindje mjaft më e lartë se pjesa tjetër e popullsisë. Në Ballkanin Perëndimor, gratë dhe burrat romë kanë krijuar biznese në sektorë duke filluar nga tekstili deri tek industria e mobileve, nga transporti deri tek tregtia. Megjithatë, ata shpesh nuk mund të kenë qasje në financa, sepse shumë jetojnë në vendbanime joformale, të pa legalizuara, të cilat romët nuk mund t’i përdorin si garanci për kredi. Më në fund, romët gjithashtu e kanë treguar veten se janë aktivë, përparimtarë, demokratë. Për shembull, Maqedonia e Veriut ka një ministër rom, dy deputetë romë dhe 28 këshilltarë bashkiakë romë. Në Sllovaki, Presidentja e re sllovake, një liberale dhe një mbështetëse e fortë e BE-së, Zuzana Caputova falënderoi shprehimisht votuesit romë natën kur u zgjodh. Romët nuk kanë nevoja të veçanta dhe as pretendojnë ndonjë status të veçantë. Gjithçka që ata dëshirojnë është një shans i drejtë dhe mundësi të barabarta për ta dhe familjet e tyre. Udhëheqësit politikë i kanë siguruar shumë herë se angazhimi i tyre për reforma nuk ishte thjesht i motivuar nga perspektiva e pranimit në BE. Tani është momenti për ta vërtetuar atë.

Shënim: Ky artikull është publikuar më parë nga Thomson Reuters Foundation dhe ripublikohet me lejen e autorit