Roland Qafoku: Politikanët janë mjeshtra për të mos thënë të vërtetën

677
Alma Çuka
Intervistë me gazetarin Roland Qafoku. Moderatori i emisionit “Debati” në Channel One flet për rrugëtimin e tij në fushën e medias, marrëdhëniet me politikanët dhe përballjen me ta në studio
Ndërsa jemi në kulmin e fushatës elektorale, politika duket se vendin për ta bërë një gjë të tillë, ka më së shumti, studiot televizive. Janë me dhjetëra emisionet ku politikanët nxitojnë të zënë radhën me qëllim që të flasin sa më shumë para publikut të gjerë. Një nga moderatorët, i cili prej vitesh ndodhet mes kësaj ndjesie është gazetari Roland Qafoku. E kemi parë tek pyet, politikanë, historianë, juristë, përfaqësues të shoqërisë civile, mjekë, psikologë e shumë të tjerë. Por këtë radhë roli i tij është ndryshe. Vihet përballë disa pyetjeve të përgatitura nga gazeta “Telegraf”. Flet për fillimet e karrierës së tij, rrugëtimin në gazetari, përballja me politikanët, si ndihet përballë tyre dhe cilat janë sekretet e një emisioni që vazhdon prej vitesh. 
“Debati” në Channel One. Pse ky emër?
Është një emër të cilin ia ka vendosur emisionit ekskluzivisht presidenti i televizionit, Ylli Ndroqi. Kur unë shkova në televizionin “Channel One”, zoti Ndroqi më tha: Kjo është studioja, ky është emisioni, ky është emri i tij. Pas të gjitha këtyre fjalëve, mua më mbeti vetëm të nisja me shumë dëshirë realizimin e një projekti të ri në karrierën time.

Tashmë i afirmuar si një prej moderatorëve me emër. Si ndihet gazetari Roland Qafoku përballë politikanëve?
Këto janë ujërat tona territoriale. Nuk janë as ujëra ndërkombëtare e as neutrale. Që do të thotë, kjo është puna ime dhe është ajo që unë pëlqej ta bëj. Unë ndjehem mirë në punën time, të cilën e bëj me shumë pasion dhe me shumë dëshirë. Nuk kam asnjë emocion të veçantë se cili politikan është përballë meje. Natyrisht, që për një pjesë ruaj konsideratë të veçantë, veçori që besoj edhe shumë gazetarë e kanë. Por ka edhe nga ata politikanë që nuk meritojnë respekt.

Cilat janë disa nga sekretet e emisionit tuaj?
Vetë fakti që ju i cilësoni sekrete, do të thotë që mbeten dhe duhet të mbeten të tillë. Nëse e keni fjalën për atë punën e padukshme, ajo është përzierje e angazhimit tim dhe të stafit tim për të realizuar emisionin. Teleshikuesi është i njohur vetëm me atë që shfaqet në ekran. Por kur unë them fjalën ‘Mirëmbrëma’ për mua është momenti më i qetë, sepse të gjitha streset i kam kaluar. Në këtë moment jam i koncentruar vetëm te i ftuari dhe të gjitha shqisat, memoria dhe aftësia ime është vetë aty. 

Po në raport me emisionet e tjera?
Tani në Shqipëri nuk janë më shumë se 10 emisione politikë të konsoliduar. Në pamje të parë duken shumë, por unë e kam thënë edhe herë tjetër: Ka shumë emisione por ka pak konkurrencë. Duke përjashtuar politikanët sepse këta kemi, më çudit këmbëngulja e disa gazetarëve që vazhdojnë të ftojnë në mënyrë të rregullt gazetarë dhe opinionistë që bëjnë xhiro nëpër ekranet e këtyre emisioneve. Kjo është zotësi e atyre analistëve që shkojnë “lule më lule” dhe paaftësi profesionale e gazetarëve që i ftojnë këta “yje” të analizës shqiptare. Megjithatë unë vlerësoj disa kolegë që vërtetë, që në një kohështrirje të gjatë kanë treguar vlera profesionale, duke krijuar individualitetin, larg shablloneve, vetëm me punë dhe pa bërë kompromise, kanë arritur të krijojnë një profil prej profesionisti. Pastaj xhelozitë, ligësitë, intrigat, stërkëmbshat e të tjera cilësi si këto, janë për ata që nuk arrijnë dot këtë lloj profili. Jam i bindur që janë kalimtarë dhe nuk do lënë gjurmë. 

Mund të na rrëfeni se si ka qenë nisja dhe rrugëtimi juaj deri sot?
Kjo është një pyetje që secili mund të shkruajë librin e vet. Unë ndjehem mirë që pas një karriere prej afro 15 vitesh në median e shkruar, duke drejtuar tre nga gazetat më të rëndësishme në vend, kalova në televizion. Në vitin 2009 unë isha drejtori i parë i Informacionit i televizionit Informativ Ora News dhe për një periudhe afro 3-vjeçare unë vendosa të drejtoj vetëm emisionin tim. Isha i bindur për këtë zgjedhje dhe sot që ka kaluar kaq shumë kohë e konfirmoj këtë. Nuk mund të jetë askush përherë drejtues i përhershëm në një gazetë dhe televizion. 

Gjatë një sezoni trajtoni tema me objekt të ndryshëm. Dominon politika, por nuk mbetet pas historia?
Por historia është trualli që vlerëson formimin më të lartë të një gazetari. Kur merremi me histori, ne gazetarët nuk bëjmë gjë tjetër veçse ‘shkojmë’ në vendngjarje me vonesë. Vërtetë asnjë gazetar i kohëve tona nuk ka qenë duke mbuluar shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por është turp profesional që të mos dijë detaje të asaj ngjarjeje. Kjo është historia për gazetarin profesionist. Çdo gjë tjetër është amatore. 

Ju kemi parë shpesh shumë ngacmues përballë të ftuarve, kryesisht përballë politikanëve. Cili është sekreti?
Nuk ka asnjë sekret. Është një mënyrë normale e të bërit një intervistë. Asnjë të ftuar nuk e kam aty për dhëndër apo për nuse. Politikani vazhdimisht duhet të japë llogari dhe ne gazetarët këtë e kërkojmë nëpërmjet pyetjeve ngacmuese. Në të kundërt ajo nuk është gazetari, është servilizëm. 

Sa e vështirë është të bindësh një politikan të rrëfejë të vërtetën. A e merr në fund publiku këtë të vërtetë?
Politikanët janë mjeshtra për të mos thënë të vërtetën. Shprehja që unë kam përdorur më shumë në emisionet e mia është “të lutem përgjigju pyetjes sime, jo pyetjes tënde”. Kjo nënkupton shumë për ne gazetarët që duhet të këmbëngulim pikërisht në këtë gjë dhe jo ta kemi mendjen te pyetja pasardhëse që duhet ta bëjmë.

Pas përfundimit të një emisioni, ka nga ata politikanë që ankohen se nuk patën mundësi të tregonin atë për të cilën ishin përgatitur?
Po ka. Madje edhe nga ata që sot janë në majë të politikës shqiptare. Ka nga ata që janë mërzitur me pyetjet e që ma kanë thënë pas emisionit. Madje ka nga ata që kanë hequr edhe mikrofonin, sepse u mërzitën nga pyetja që i bëre. Fati i tyre që ky emision ka qenë me regjistrim, se të ishte LIVE, vërtetë do ishte një perlë mediatike. 

Jemi në fushatë. Sa ndihet në studion tuaj një gjë e tillë?
Po është normale një ngarkesë jo e zakonshme. Gjatë fushatës unë jam shumë herë në javë në ekran duke e pasur emisionin çdo ditë. Më kanë pyetur, si ia del. Por besoj se nuk është e jashtëzakonshme. Është e zakonshme në një situatë të jashtëzakonshme. Kjo është puna jonë e gazetarit dhe nuk ka vend fare as për ankesa e as për të bërë qaramanin, se unë e kam kaq herë në javë dhe homologu x e ka më pak se unë.

Mendoni se politika është duke e bërë fushatën në studio dhe jo pranë qytetarëve?
Unë e kam thënë këtë në një shkrim timin. Ka dy fushata, ajo e terrenit e padukshmja, realja dhe ajo e studiove, e dukshmja dhe më e forta, por aktruese. Makinat e propagandës së partive kujdesen shumë për të dytën. Për realizimin e një emisioni, politikanët nuk bëjnë dot pa ne, por as ne nuk bëjmë dot pa ata. Këtë rregull kanë ndjekur edhe kolegët tanë në Evropë dhe SHBA dhe ne nuk mund ta ndryshojmë. 

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me të ftuarit?
Besoj se janë normale, korrekte dhe profesionale. Shumë rrallë janë miqësore. Mbeten të kënaqur apo jo, këtë nuk e di. Vetëm për një gjë jam i sigurt, që nga ana ime ata kanë korrektësinë, komunikimin dhe pozitivitetin. A, kur janë të ulur në studio, më vjen keq aty nuk bëj kompromis. Do t’i bëj pyetjen që e mendoj dhe për asnjë politikan nuk kam bërë dallime. 

Jemi në një sezon të nxehtë në të dyja kuptimet edhe sepse jemi në verë, por për më tepër në fushatë. Ju keni qenë në “debat” edhe në zgjedhje të kaluara. Vëreni ndonjë ndryshim.

Po vërej. Palët janë të interesuara për studion po aq sa për fushatën. Ka një interes më të madh të të tria forcave politike në vend PS, PD e LSI, por edhe të partive të vogla. Mendoj se pushteti do ta kishte bërë PS-në më arrogante në organizimin e emisioneve. Këtë e kam nga përvoja e kaluar sidomos asaj të PD-së në zgjedhjet e vitit 2013. Në atë kohë, e caktuara speciale e kryeministrit Berisha, Majlinda Bregu jo vetëm e shndërroi në kaos dhe preferencial çdo të ftuar nëpër emisione, por sot kjo zonjë më habit me kërkesat e saj për liri dhe demokraci në partinë e vet. Jam i bindur që një nga arsyet e humbjes së thellë të PD-së në zgjedhjet e vitit 2013, ishte arroganca dhe mënyra shumë e keqe e komunikimit të Majlinda Bregut me median gjatë fushatës. Por siç ka thënë edhe i ndjeri Pjetër Arbnori, socialistët janë specialista. Ata janë shumë të organizuar me median dhe nuk shprehin arrogancë, me përjashtim të ndonjë drejtori që i jep urdhër vetë Edi Ramës. Imagjinoni, për këtë nuk ankohemi as dot. Ku të ankohemi? Por do desha të veçoj Armela Ymerajn, për korrektësinë dhe gatishmërinë që tregon ndaj medias dhe gazetarëve, të cilën e falenderoj për bashkëpunimin korrekt me të. 

E fundit. Pas një kalvari të gjatë emisionesh vjen dhe dita e zgjedhjeve. Cila do të jetë alternativa për të cilën do të votoni?
Kur ti Alma, ta bësh publike votën tënde edhe unë do të filloj ta mendoj, nëse do ta bëj publike ose jo.
Sigal