Roland Keta: Shërbimi shëndetësor është në krizë menaxhimi dhe administrimi

652
Roland Keta, deputeti i PD-së, por edhe mjek në profesion, në intervistën për “Telegraf”, argumenton se shërbimi shëndetësor është në krizë menaxhimi dhe administrimi. Kjo shpjegohet se për shëndetësinë jepet vetëm 2.8% të PBB-së. zoti Keta e cilëson testimin e bluzave të bardha si “Testimi ishte i paligjshëm, jo kushtetues, fyes, denigrues dhe nuk i shërben politikave dhe shërbimeve shëndetësore”. 
Zoti Keta, si e vlerësoni shërbimin shëndetësor publik? 
– Jemi në vitin e dytë të qeverisjes Rama-Meta dhe mendoj se shërbimi shëndetësor është ndër sektorët që është në krizë menaxhimi, administrimi dhe si rrjedhojë, është aktualisht nga shërbimet publike më të këqija për qytetarët shqiptarë. Sot kemi drejtues spitalesh jashtë profesionit të mjekut, njerëz politik, nuk flitet për shërbim shëndetësor falas apo shërbim universal. Sot nuk ka autonomi spitalore, ka centralizuar buxhetet e spitaleve bashkiake dhe atyre rajonale, ka centralizuar shërbimin parësor në qendrat shëndetësore e poliklinika, duke cenuar rolin e bordeve, ku çdo emërim të mjekëve dhe infermierëve në këto qendra shëndetësore bëhet vetëm me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, kjo nuk ka ndodhur as në kohën e diktaturës. Nuk ka vëmendje për mjeket dhe infermierët, ato po fyhen, denigrohen, është humbur besueshmëria midis pacientit dhe mjekut. Ka 2 vite që nuk ka rritje pagash për mjekë dhe infermierë. Mungesa e reformave në shëndetësi e pa vizion po karakterizon shëndetësinë e Rilindjes. Po hartohen programe kombëtare pa asnjë studim, pa asnjë analizë, siç është dështimi i check up për moshat 40-65 vjeç, ai tashme nuk ka filluar as 5% në gjithë Shqipërinë. Opozita ishte shprehur se ky investim, fond do ishte i suksesshëm po të investohej në sistem. Ne jemi të sigurt se ky program ka dështuar dhe do të dështojë. 
Çfarë risie kanë sjellë reformat e ndërmarra deri tani nga ministri Beqaj? 
– Vetëm shëndeti i qytetarëve nuk politizohet, ashtu siç ndodh në Shqipëri. Kemi një buxhet 2.8% PBB. Investimet në total janë ulur në 9%, buxhet më i vogël se Maqedonia dhe Mali i Zi. Ky buxhet nuk zgjidh shërbimin universal, po çfarë ndodh sot të gjitha reformat kanë dështuar, sepse nuk kanë sjell asnjë përmirësim të shërbimit në spitalet bashkiake dhe ato rajonale, sot ka mungesa të theksuara me mjekë specialistë (kirurg, pediatër, gjinekolog, reanimator e shumë specialitete të tjera). Unë mendoj se reformat nuk kanë sjellë asnjë risi. 
A mund të jenë reformë testimet, siç kërkon t’i bëjë udhëheqja politike e MSH? 
– Mendoj që kjo nuk ishte reformë, por u bë për të fshehur përgjegjësitë e krijuara në shëndetësi, dhe për të tërhequr vëmendjen nga problemet e shumta që ka shëndetësia sot. Testimi ishte i paligjshëm, jo kushtetues, fyes, denigrues dhe nuk i shërben politikave dhe shërbimeve shëndetësore. 
Cila politikë duhet ndjekur për të kërkuar kualifikim dhe specializim profesional të mjekëve dhe infermierëve? 
– Profesioni i mjekut dhe infermierit është i rregulluar me ligj, nr 10271 të vitit 2009, si mjek mendoj që ka institucione që hartojnë politika për kualifikimin e mjekëve: siç është QKEV (edukim ne vazhdim). Sot çdo mjek është i detyruar të marrë sasinë e duhur të krediteve, a ka nevojë për përmirësim të ligjit dhe mënyrën e marrjes së krediteve? Sigurisht që ka, por kjo bëhet transparente, duke u konsultuar me departamentet dhe shërbimet, me urdhrat e mjekut dhe infermierit, si dy institucione që bëjnë licencimin e këtyre profesioneve. Mjeku dhe infermieri janë në kualifikim dhe testim çdo ditë nga shërbimi që bëjnë nga pacienti, duhet të ketë më shumë disiplinë dhe cilësi të stafit akademik, që në fakultet e në vazhdim, me specializantët dhe t’u jepet autonomi dhe llogaridhënie shërbimeve në QSUT. 
A mund të jetë kurimi dhënia me koncesion e shërbimeve shëndetësore, sikurse tenderi që do organizojë së shpejti MSH, edhe për sterilizimin e pajisjeve të kirurgjisë? 
– Jo vetëm që nuk kuron dhe shëron, por infekton dhe shkatërron sistemin shëndetësor. Ky fond kaq i madh 100 miliard lekë, do të kuronte shërbimin shëndetësor në qoftë se do të financohej në sistem, pra t’ju dërgohej spitaleve të rretheve, rajonale dhe sidomos QSUT-së ky fond. Sot në QSUT ka një qendër sterilizimi në urgjencën e saj, vetëm ka nevojë të funksionojë, pra për t’u vendosur në punë. Ky koncesion është për qëllime politike, klienteliste, për të krijuar monopole, është korruptiv. Sot spitalet kanë mungesa të theksuara në ilaçe, qytetarët blejnë medikamente çdo ditë, kryejnë ekzaminimet tek private, pasi nuk realizohen dot tek shërbimi publik. Sot qytetarët në shumë rrethe të Shqipërisë sorollaten drejt spitaleve rajonale e më pas në Tiranë për të marrë shërbimet shëndetësore (mendoni se sa harxhojnë ato nga kjo sorollatje, si rrjedhojë e moskryerjeve e shërbimeve nga mungesa e specialisteve ).
Cila mund të jetë receta e sëmundjes të shërbimit shëndetësor publik? 
– Receta dhe rrugët e zgjidhjes, mendoj se janë: Rritje të buxhetit të shtetit për shëndetësinë, rritje e përqindjeve të kontributeve, ashtu siç e kanë edhe vendet e tjera ballkanike, autonomi spitalore dhe autonomi në buxhetet e spitaleve të rretheve, rritje të pagave të mjekut dhe infermierit, financim në sistem dhe jo koncesione, që nuk i shërbejnë shërbimit shëndetësor, rritje e besueshmërisë të pacientit ndaj mjekut, kualifikim në vazhdim i bluzave të bardha, luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.
– Faleminderit!
Sigal