Rokadë titullarësh në administratë. Ja kush ikën nga drejtorët e Elbasanit

490
Sigal

Deputetët dorëzojnë emrat e të rinjve tek ministrat. Në fillim të janarit 2015, marrin detyrën

Janari i 2015-s, do të nisë me shkarkime dhe emërime drejtorësh në Elbasan. Burime të besueshme nga Elbasani thane për “Telegraf” se, “tashmë janë vendosur emrat e drejtorëve që do të ikin nga detyra ditët e para të Janarit 2015, dhe janë konkretisht drejtori Bujqësisë, Sigurimeve Shoqërore, Shëndetit Parësor, ISKSH, Mirëmbajtja Rruga, Tatimeve, Doganës, si dhe janë në diskutim i Ujësjellës Fshat dhe OSHEE”. Rokada e drejtorëve në Janarin e 2015, pritet të pasohet nga largimi nga detyra edhe i disa drejtuesve të tjerë, gjë e cila është kërkuar nga një pjesë e mirë e deputetëve dhe bazës së dy partive të majta qeverisëse.  Sipas burimeve nga Elbasani mësohet se, “rokada e drejtorëve bëhet për shkaqe të ndryshme, duke nisur nga mungesa e reformave, e performancës së tyre, emërimet dhe rekrutimet e panevojshme dhe duke mos plotësuar kriteret ligjore e profesionale, si dhe akuza ende të pabazuara. Por një ndër shkaqet kryesore është edhe krijimi i një ndasie të madhe të drejtorëve në Elbasan me deputetët e Qarkut, pasi shpesh ata silleshin me ligjvënësit sikur t’i kishin vartës. Situate e krijuar mes drejtorëve dhe deputetëve, ka detyruar Ramën të dërgojë tre herë në Elbasan të besuarit e tij Ulqini dhe Balla, për të sheshuar mosmarrëveshjet dhe vendosur rregullin mes palëve. E ndërsa dukej sikur gjithçka ishte ujdisur, diçka tjetër ishte vendosur në dikasteret qeveritare. Paralelisht me propozimet për largimin e “drejtorëve rebelë”, deputetët më aktive të qarkut nga shumica, kanë dorëzuar listat me kandidatët e rinj për të zëvendësuar të vjetrit në Janar 2015. Duket se edhe oferta e fundit e drejtorëve për deputetët ankimues që “të sjellin listat e tyre për punësimin”, nuk ka bërë efekt. Ditët e fundit të javës që shkoi, gjithçka ka marrë formën e duhur dhe largimi i mbi 90 për qind të drejtorëve tashmë është çështje kohe. Fakti është se ankesa në drejtim të drejtuesve të rinj, kanë patur jo vetëm deputetët (sidomos ata të rinjtë) por edhe militantët e bazës, që pavarësisht se votuan masivisht PS apo edhe LSI, nuk kanë mundur të sigurojnë minimalisht asnjë vend pune si punëtorë krahu në 1 vit e gjysmë pushtet. Mësohet se emrat e rinj për drejtorë, janë propozime ekskluzive të deputetëve të zonave zgjedhore të qarkut të Elbasanit, por që gjithsesi do të jenë njerëzit e bindur të urdhrave dhe dëshirave të ligjvënësve, duke nisur nga punësimet e deri te tenderat e investimeve.