Robert Bitri: LSI dhe PS do të kenë kandidatura të përbashkëta për kryetarët e bashkive

675
Sigal

Deputeti i LSI-së, Robert Bitri, që ka qenë edhe prefekti i Qarkut të Fierit, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se në zgjedhjet e pushtetit vendor të 2015-s, kjo maxhorancë, PS-LSI, do të kenë një kandidat të përbashkët për çdo bashki. Ky simbolitet politik, pohon deputeti Bitri, do të tregojë edhe një herë forcën e kësaj maxhorance, por edhe një vazhdimësi. Duke u ballafaquar me elektoratin, PS-LSI, tashmë si maxhorancë, zoti Bitri mendon se qeverisja ka notat e pozitives, edhe pse pranohen që disa premtime elektorale nuk janë konkretizuar, qoftë për arsye objektive, qoftë edhe për arsye subjektive, sipas deputetit të LSI-së, Robert Bitri.

-Zoti Bitri, meqenëse jemi në prag fushate elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor, cili është bilanci i qeverisjes në 17 muajt e saj?

– Qeverisja e maxhorancës së majtë duhet të vlerësohet mirë, ose pozitivisht. Maxhoranca, në disa nga objektivat e saj, është e vërtetë që ka hasur vështirësi, siç është problemi i punësimit, por mos të harrojmë gjendjen, të cilën trashëguam. Premtimet ndoshta u bënë pa u njohur gjendja faktike dhe nuk mendohej (atëherë) se do të ishte kaq e vështirë dhe me kaq ngërçe, duke filluar që nga borxhet që qeveria u kishte biznesit privat, që nga detyrimet ligjore që ka qeveria ndaj ish pronarëve, ndaj ish të përndjekurve dhe të gjitha këto janë një pengesë reale, në të cilat ndeshet qeverisja jonë. Ndërsa veprimi i qeverisë  për të kultivuar respektimin e ligjit, sikurse është pagimi i energjisë elektrike, apo këmbëngulja që kemi që ligji duhet të zbatohet nga të gjithë, unë e gjykoj se ishte shumë e drejtë. Me të vërtetë merret një kosto politike, por kjo do të mirëkuptohet nga elektorati dhe ne do t’ia shpjegojmë qartësisht popullit, përse erdhën këto mosrealizime të premtimeve që dhamë.

– Derisa opozita pretendon se nuk mund të shkohet në zgjedhjet e 21 qershorit me ndarjen e re territoriale, ju mendoni se ka hapësirë që të rishikohet ligji që maxhoranca sapo miratoi?

– Unë e gjykoj të përfunduar dhe të mbyllur  këtë moment ligjor, sepse ne jemi në prag të zgjedhjeve, është mandatuar data e zgjedhjeve, janë përcaktuar bashkitë, të cilat do të konkurrojnë, ndaj nuk shikoj ndonjë mundësi që të vazhdojë të ripërcaktohen dhe të bëhen ndryshime në rindarje të hartës administrative e territoriale. Por, tek e fundit, vendimet përfundimtare merren kolegjiale nga pozita, që ka 84 vota.

– PS-ja dhe LSI-ja, në 21 qershor, do të kenë kandidatura të përbashkëta për kryetarët e bashkive?

– Mesa di unë, dhe e gjykoj që kjo është më e mira, është që kandidaturat do të jenë të përbashkëta PS-LSI. Mendoj që kjo është më e drejtë dhe do të tregojë, njëkohësisht, edhe forcën e kësaj maxhorance pas zgjedhjeve lokale, për të dhënë mesazhin e vazhdimësisë.

– Ju do të jeni kandidat për Bashkinë e Fierit?

– Jo! Unë nuk do të jem kandidat për Bashkinë e Fierit.

Nuk është marrë vendimi politik, apo nuk janë as ambiciet tuaja personale?

– Nuk është marrë vendimi politik.

– Nëse ju kërkohet, do të zbrisni në zgjedhje si kandidat?

– Çdo gjë do të vendoset në dhe në kohën e duhur. Ju thashë që këto vendime do të jenë të përbashkëta, LSI-PS.

– Kjo maxhorancë, edhe pse me 84 vota, përse disa reforma që i ka nisur po i zvarrit në kohë?

– Pengesat janë objektive, por në moment të caktuara janë edhe subjektive.

– Ku qëndron “subjektiviteti”?

– Qëndron te qëndrimi që opozita po mban për këto reforma, duke mos marrë pjesë në  komisione parlamentare, të cilat hartojnë e diskutojë këto reforma, pengesa të sajuara, që kjo opozitë nxjerr për gjithë problematikat që duhet të diskutojmë politikisht dhe duhet t’u japim zgjidhje. Nuk mund të bëhet politikë, duke thënë gjithmonë “jo”.Opozita e ka të gjithë lirinë dhe mundësinë, që oponencën e saj ta bëjë në parlament, në debatet që bëjmë në komisione parlamentare për projektligjet, për reformat që duhet të ndërmarrim, pasi reformat i duam për të gjithë dhe t’u shërbejnë gjithë shqiptarëve. Reformat nuk janë për t’i dhënë privilegje maxhorancës.

– Cilat do të jenë hapat konkretë që do të ndërmarrë politika për dekriminalizimin e vetvetes së saj?

– Sipas mendimit tim, unë nuk e gjykoj që kriminalizimi i Parlamentit është konkret. Çdo i zgjedhur, derisa ka të pastër kriterin moral, ka të drejtën, siç zgjedh, edhe të zgjidhet. Dhe kriteri i përzgjedhjes është shoqëria që i voton. Derisa populli zgjedh me votë kë përfaqësues do që t’i përfaqësojë në Parlament, cili tjetër mund të hedhë poshtë vullnetin e votës të popullit?! Prandaj, që të propagandosh me fjalë për kriminalizimin, pasi populli ka votuar, më e pakta është që pretendimi për kriminalizimin mbetet abstrakt.

– Pretendimi i opozitës është se ligji i ri, që ju aprovuat në mungesë të saj, është kartë elektorale dhe jo ndarje reale territoriale. Ju si e argumentoni qëndrimin e maxhorancës, duke iu referuar Qarkut të Fierit?

– Ka pasur disa variante, dhe opozita, në kushtet dhe momentin që u krijuan, kur ligji ishte në diskutim dhe debat, me kokëfortësinë e saj, mbase edhe me ndonjë opsion që kjo reformë e re të mos bëhej fare, ndenji pasive, u largua dhe deri në fund nuk dha ndonjë opsion, që mund të merrej në konsideratë edhe nga pozita. Unë e gjykoj, p.sh, në Qarkun e  Fierit, i cili ka 6 bashki, që është një ndarje shumë e drejtë dhe shumë më afër asaj, që me të vërtetë duhet vlerësuar pozitive dhe reale. Nuk mund të kishte ndarje të tjera më të vogla akoma, sepse edhe qëllimi i vetë reformës së re të ndarjes territoriale ishte që ta bëjmë më efiçente, të jemi më të zhdërvjelltë në veprime dhe të jemi më frytdhënës në investimet që duhet të bëhen. Kishim administratë kaq të madhe kur ne kishim 40 komuna dhe 6 bashki vetëm në Qarkun e Fierit, që ka një popullsi rreth gjysmë milionë banorë. Madje, në vetveten time, mendoja që bashkitë mund të ishin edhe më pak.

 -Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA