Rivendosja e vizave për shqiptarët, Holanda nis procedurat

568
Një grup deputetësh kërkojnë shpjegime nga qeveria. Ambasadorja shqiptare, Sakiqi: Ka një memo, por jo raport
Deputetët holandezë kanë nisur një procedurë zyrtare për të detyruar qeverinë të marrë masa ndaj Shqipërisë, pas shqetësimeve të shprehura për rritjen e kriminalitetit, si pasojë e lëvizjes së lirë. Pas publikimit të një raporti konfidencial të hartuar nga policia dhe prokuroria holandeze, dy agjencitë ligjzbatuese pranuan se ato i propozuan qeverisë pezullimin e lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë në zonën “Schengen”. Siç raporton “ABC News”, Parlamenti holandez reagoi menjëherë dhe tashmë ka nisur një listë me pyetje për qeverinë holandeze. Në këtë mënyrë, deputetët kanë marrë hapin e parë për të nisur diskutimin për propozimin e rikthimit të vizave për shtetasit shqiptarë në Evropë. Holanda për momentin nuk ka një qeveri të mbështetur nga një mazhorancë, pasi koalicioni ri nuk është formuar ende. Për këtë arsye do të jetë pikërisht parlamenti që do të dominojë qeverinë në këtë diskutim. Në raportin e policisë dhe prokurorisë holandeze, që këshillon rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë, shtimi i bandave kriminale shqiptare cilësohet si kërcënim për shoqërinë holandeze. Sipas këtij raporti, të cilit i referohen edhe deputetët, nisur nga shqetësimi i publikuar në shtyp, elementët kriminalë shqiptarë janë fuqizuar se tepërmi vitet e fundit në Holandë. “Kriminelët shqiptarë shikohen si një kërcënim serioz për shoqërinë holandeze, pasi janë të implikuar në trafikimin dhe shitjen e kokainës dhe kanabisit, trafikimin njerëzor dhe pastrim parash. Roli i kriminelëve shqiptarë po forcohet dhe ka marrë një rol prominent në Holandë. Ka një mbiprezencë të madhe te shqiptarët në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Një tjetër problem janë klandestinët shqiptarë, të cilët përdorin portet holandeze për të ikur ilegalisht në Angli”, theksohet në raport.

Debati për vizat, Sakiqi: Nuk ekziston asnjë raport
Ditët e fundit politika shqiptare është përfshirë nga një debat për rikthimin e vizave nga Holanda, pas një artikulli të publikuar nga gazeta “De Telegraaf” e këtij shtetit. E ftuar në studion e lajmeve të “Top Channel” ka qenë ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Aida Sakiqi, e cila ka sqaruar se një raport i tillë nuk ekziston. “Nuk bëhet fjalë për një raport, por për një artikull të një gazete. Ai është një artikull i shkurtër me një intervistë me një polic. U habita kur e pashë artikullin e përkthyer si raport në disa media në Shqipëri. Në artikull thuhet se ekziston një memo, normalisht duhet të ekzistojë një gjë e tillë, nga ana e policisë, por nuk është raport”, ka sqaruar ambasadorja Aida Sakiqi. E pyetur se nëse mund të rrezikohet rikthimi i regjimit për t’u pajisur me viza për të lëvizur në vendet e zonës “Shengen”, ambasadorja Sakiqi e sheh si të pamundur që kjo të ndodhë, duke theksuar se ky është një vendim i shumë shteteve, jo vetëm i Holandës. “Ky rrezik nuk ekziston, është një vendim i shumë vendeve. Nuk ka pasur asnjë kërkesë të autoriteteve holandeze. Jam interesuar dhe kam marrë sigurinë se një raport i tillë nuk ekziston”, tha ajo.


Sigal