Ristani: Leskaj të lerë mandatin pasi djeli fitoi koncesionin e hekurudhës

429
Partia Demokratike mban qëndrimin se me fitimin e koncensionit për hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë nga djali i nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, kjo e fundit humb mandatin e deputetes.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani në një deklaratë për mediat tha se, kjo përbën shkelje të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe lajmëroi se PD do të paraqesë sot në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetes së PS-së.
Ristani duke iu referuar ligjit tha se kufizimi për të lidhë kontratë apo nënkontratë me asnjë institucion publik për deputetët përfshin edhe personat e lidhur me të, ku sipas ligjit përfshihet edhe fëmija në moshë madhore.
“Partia Demokratike do të paraqesë sot në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetes Leskaj. Partia Demokratike nuk do të lejojë shkeljen e ligjit dhe do ta çojë deri në fund këtë çështje”, tha Ristani.
Një ditë më parë, Ministria e Transportit reagoi ndaj akuzave të Partisë Demokratike se djali i nënkryetares së Kuvendit ka marrë me tender për 25 vjet hekurudhën Fier-Ballsh-Vlorë pa respektuar rregullat e garës. Dikasteri i drejtuar nga Edmond Haxhinasto duke i cilësuar akuzat keqinformuese, thotë se tenderi i zhvilluar ka qenë i hapur dhe në përputhje me ligjin e prokurimeve publike.
Deklarata e plotë:
Bashkë me naftën e me mallrat e tjera, dhe me pasagjerët për 25 vite me radhë, hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë do të marrë me vete edhe mandatin e deputetes Valentina Leskaj, nënkryetare e Kuvendit.
Ekskluziviteti që Edi Rama i dha djalit të nënkryetares së Kuvendit, nuk është vetëm një korrupsion i pastër e ndarje privilegjesh, por njëkohësisht është shkelje e rëndë e ligjit.
Ky fakt përbën shkelje flagrante të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.
Neni 24 i këtij ligji, parashikon shprehimisht se personat e lidhur me deputetin, fëmija madhor i një deputeti nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik.
E zezë mbi të bardhë.
Pika 1 e nenit 21 shprehimisht përcakton: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara nga ligji (ku përfshihet edhe deputeti), nuk mund të lidhë kontratë apo nënkontratë me asnjë institucion publik”.
Ndërkohë pika 3 e nenit 24 parashikon se: “Ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, (deputetin) zbatohen edhe për personat e lidhur me të, ku sipas ligjit përfshihet edhe fëmija në moshë madhore (pika 1 e nenit 24)”.
Po pavarësisht këtij ndalimi, Edi Rama ka standardin e tij të dyfishtë dhe kur vjen puna tek miqtë e tij, ligji pushon së ekzistuari. Ndaj ai lidhi kontratë me djalin e Valentina Leskajt.
Nga dita që hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë mori emrin hekurudha Leskaj, nënkryetarja e Kuvendit është në shkelje të ligjit, është në papajtueshmëri me ligjin, çdo ditë që mban mandatin, çdo ditë që paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga dita e dhënis së këtij koncesioni zonja Leskaj është në shkelje të Kushtetutës, ku neni 71 i saj parashikon rastin e papajtueshmërisë së mandatit.
Partia Demokratike do të paraqesë sot në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetes Leskaj.
Partia Demokratike nuk do të lejojë shkeljen e ligjit dhe do ta çojë deri në fund këtë çështje.
Sigal