Rishpërndara e mandateve është në kundërshtim me ligjin

447
Sigal

Nënkryetari i KQZ-së dhe 2 anëtarët e saj argumentojnë paligjshmërinë e rishpërndarjes së mandateve

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba dhe 2 anëtarët e saj, Albana Shtylla dhe Jani Jani, në një letër të hapur, deklarojnë se janë thelbësisht kundër me vendimin me objekt: “Caktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013” si në lidhje me pjesën arsyetuese ashtu edhe me pjesën urdhëruese (dispozitivin) “Vendosi: Të mos caktojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin 2013”. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, dhe dy e anëtarët e tjerë Albana Shtylla (PS) dhe Jani Jani (PBDNJ) rendisin 27 argumente kundër ndarjes së mandateve në Qarkun e Kukësit. Duke e cilësuar vendimin “nul” dhe të paqenë, anëtarët opozitarë të KQZ kërkojnë që çështja duhet të rimerret në shqyrtim nga KQZ, pasi është në shkelje të procedurave të parashikuar prej tij.  Më tej,  në letrën e hapur, thuhet se përfaqësuesi i PS-së në KQZ, z.Genci Gjonçaj, bazuar në shkresat e Ministrisë së Brendshme të dërguara këtij subjekti për periudhën qershor-nëntor 2012, paraqiti dyshime dhe pretendime për rritje fiktive të numrit të shtetasve, apo për inxhinierim elektoral të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, të paktën për katër komuna të Qarkut Kukës, konkretisht komunat Topojan, Fierzë, Shishtavec dhe Tropojë.

Të gjendur përpara dy shkresave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, të cilat të vlerësuara në lidhje me njëra tjetrën krijonin dyshime të arsyeshme mbi numrin real të shtetasve në qarkun e Kukësit, anëtarët e KQZ-së, z.Biba dhe znj.Shtylla, me arsyetimin se është venë në dyshim integriteti i zgjedhjeve, bazuar në kompetencën që iu njeh neni 21, pika 3, i Kodit Zgjedhor, kërkuan që të merrej një informacion shtesë nga Ministria e Brendshme. Me shkresën nr.807, datë 21.11. 2012, dy anëtarët e KQZ, z.Biba dhe znj.Shtylla i kërkuan Ministrisë së Brendshme informacion shtesë për katër komunat e Qarkut Kukës, ndërkohë që kjo e fundit iu përgjigj kësaj kërkese me shkresën zyrtare të datës 22.11.2012, duke refuzuar në thelb dhënien e informacionit me arsyetimin se përbënte “të dhëna personale”. Në mbledhjen e datës 23.11. 2012, anëtarët e KQZ të cilët kishin kërkuar informacionin shtesë nga Ministria e Brendshme, vlerësuan publikisht se informacioni dhe argumentet e paraqitura në shkresën e Ministrisë së Brendshme nr.8157, datë 22.11.2012, nuk ishin të bazuara në ligj, si dhe nuk sqaronin dyshimin e arsyeshëm për lëvizje demografike të inxhinjerua në katër komunat e Qarkut Kukës. Për këtë arsye, anëtarët z.Biba dhe znj.Shtylla, kërkuan përsëri shtyrjen e mbledhjes së KQZ, deri në ardhjen e informacionit të kërkuar, duke qenë se ishin në përmbushje të kompetencës së tyre ligjore, si dhe meqenëse trupa ishte ende në një procedurë hetimi administrativ.  Megjithë argumentet e paraqitura, kjo kërkesë e anëtarëve D.Biba e A.Shtylla nuk u pranua nga anëtarët e tjerë të KQZ. Më tej pas përfundimit të diskutimeve, Kryetarja e KQZ hodhi për votim në parim aktin/projektvendimin me objekt “Caktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013. Në përfundim të votimit, akti mori 4 vota “pro”, dhe në kuptim të nenit 24, pika 1, gërma “ë”, të Kodit Zgjedhor, ai nuk konsiderohet i miratuar në parim. Anëtarët e KQZ-së, Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani, refuzuan të votojnë “pro” apo “kundër”, duke e arsyetuar këtë me faktin se, kompetenca e tyre ligjore për të arritur në një vendim po cenohej dhe se KQZ duhet ta shtynte sërish marrjen e vendimit për caktimin e numrit të mandateve, ndonëse përtej afatit kohor të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, pasi integriteti i procesit zgjedhor ishte shumë më i rëndësishëm se një afat kohor, shkelja e të cilit nuk sillte në thelb asnjë pasojë. Për të tre këta anëtarë procedura e hetimit administrativ vijonte të ishte e hapur; ata kërkonin informacion të mëtejshëm nga Ministria e Brendshme në mënyrë që të arrinin me bindje në krijimin e një vullneti të pastër vendimmarrës. Pas rënies në parim të aktit, Kryetarja e KQZ-së, në mënyrë plotësisht të pambështetur në Kodin Zgjedhor, hapi për herë të dytë votimin, duke ndryshuar këtë radhë dispozitivin e tij në “vendosi: të mos miratojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit të 2013”. Për këtë votim asnjë nga anëtarët e KQZ-së nuk votoi “pro”, ndërkohë që “kundër” ishin 5 anëtarë (jo të gjithë për të njëjtat motive).  Ky vendim i cili tashmë  është bërë fakt i kryer, në gjykimin e 3 anëtarëve të KQZ-së, është absolutisht i pavlefshëm. . Neni 24§1, pika “ë” i Kodit Zgjedhor parashikon se “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas nenit 76 të Kodit”, ndërsa neni 23§3 po aty parashikon se “Çdo akt normativ i KQZ-së votohet tri herë, sipas radhës së mëposhtme: a) votohet në parim; b) votohet nen për nen ose, sipas rastit, pjesë për pjesë; c) në fund votohet në tërësi.”.

20. Në rastin në analizë, ky projektvendim u hodh në votim dhe mori vetëm 4 vota “pro” në parim. Si pasojë, ai nuk konsiderohet i miratuar (që në parim). Është e kuptueshme që ky është rasti kur, për shkak të specifikës së vendimmarrjes, organi administrativ nuk arrin të marrë një vendim.  “Ne, – shkruajnë në letrën e hapur 3 anëtarët e KQZ-së,-  gjykojmë se vendimi që na është sjellë për të firmosur me dispozitiv “Të mos caktojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin 2013” është një akt në kundërshtim me ligjin. Kjo formë vendimmarrje në lidhje me këtë rast është jashtë kompetencave të KQZ-së për t’u marrë. Asgjëkund tjetër në Kodin Zgjedhor apo Kodin e Procedurave Administrative, nuk parashikohet që në rastet kur (projekt)vendimi nuk miratohet në parim kemi një votim të dytë. Rrjedhimisht, dispozitivi i këtij vendimi, fryt i votimit të dytë të KQZ është një shkelje e rëndë dhe flagrante e procedurës së vendimmarrjes së KQZ, sipas parashikimeve ligjore që e rregullojnë atë, të cituara më lart. Është thjesht absurd një vendim i cili konsiderohet i marrë, ndonëse kundër tij ka votuar shumica (5 nga 7) e anëtarëve të KQZ. Në gjykimin tonë, ky vendim duhet të konsiderohet “nul”, i paqenë, dhe çështja duhet të rimerret në shqyrtim nga KQZ, pasi realisht, në kuptim e respekt të ligjit, asgjë nuk ka ndodhur, asnjë pasojë nuk ka ardhur.