Rishfaqet fantazma greke për kufirin detar

601
Sigal

Qeveria greke, duke parë edhe këtë herë pafuqinë e saj për të tronditur besnikërinë dhe devotshmërinë e banorëve, filloi të zbatojë një taktikë tjetër…ajo përpiqet t’ia arrijë qëllimet me rrugë diplomatike”. (Memorandum i Lidhjes Shqiptare drejtuar Fuqive nënshkruese të Traktatit të Berlinit, Paris Berlin, Vjenë, 3,19,29 Maj 1879)    

 Tentativat diplomatike greke kanë vijuar deri në ditët tona, me të njëjtin qëllim që të shtrinin hapësirat detare në thellësi të Ngushticës së Korfuzit, pranë brigjeve shqiptare të Sarandës. Kjo u duk në “Marrëveshjen për Kufirin Detarë midis Shqipërisë e Greqisë”, që u firmos në Athinë midis dy qeverive ne pranverën e vitit 2009, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. (“Marrëveshja për Përcaktimin e Kufirit Detarë midis Shqipërisë e Greqisë”. Kjo Marrëveshje u firmos pas negociatave diplomatike midis dy palëve të Ministrive të Punëve të Jashtme në prani të dy Kryeministrave të të dy vendeve në pranverë 2009. Kjo marrëveshje ishte sukses i diplomacisë greke dhe dështim i diplomacisë shqiptare. Parlamenti shqiptar, i vënë nën presion të madh të ekspertëve të ndryshëm shqiptarë dhe të opinionit publik nuk e kaloi për ratifikim atë. Debati kaloi iu paraqit Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e quajti këtë Marrëveshje antikushtetuese dhe për rrjedhojë e hodhi poshtë atë).

Ditët e fundit jemi informuar se sërish “fantazma greke” për kufirin detarë po risillet nëpër zyrat qeveritare të të dy vendeve. Kjo do thotë Pretendimet greke, diplomatikisht kanë vijuar të mbeten konstante edhe në kohët tona, por tanimë nëpërmjet zërave të greqizuar apo organizatave greke brenda Shqipërisë, me qëllim që në aparencën e marrëdhënieve politiko-diplomatike formale të ketë një “normalitet” ndërkombëtarisht dhe europianisht të pranuar. Mirëpo, përmes këtyre faktorëve grekë ose të greqizuar apo emigrantë është pretenduar në mënyra të papranueshme dalja në brigjet e Himarës, manipulimi korruptiv i regjistrimit të popullsisë shqiptare me qëllim kryesor që ortodoksët shqiptarë, vllahët shqiptarë e të tjerë emigrantë mjeranë ekonomikisht të regjistroheshin si minoritarë grekë, duke ndryshuar kështu artificialisht sasinë dhe shtrirjen gjeografike të pakicave greke në Shqipëri. Edhe këto tentativa derimë tani kanë dështuar. Kjo nuk do thotë se nuk do shpiken rrugë e forma të tjera për cungimin e shtrirjes detare të Shqipërisë dhe për të kaptuar territore të saj në Jug. Natyrisht nuk kanë munguar edhe zërat më realistë zyrtarë në Greqi që hedhin poshtë doktrinën e Vorio-Epirit. Kështu, Kryetari i Bashkisë së Selanikut i vitit 2011 në një intervistë të dhënë në Prill 2011 thekson se “Nuk ekziston çështje e Epirit të Veriut, por Shqipëri e Jugut”.

Përpjekjet për cungimin e detit të shqiptarëve nuk kanë munguar edhe nga Perëndimi, posaçërisht nga Italia e së kaluarës. Pa hyrë në thellësitë historike kur flotat e Perandorisë Romake godisnin pambarim anijet e Ilirëve, duke u shkatërruar atyre disa herë flotën, por po i referohemi vetëm zhvillimeve të shekullit 20-të. Italianët, në Luftën e Parë tentuan me çdo kusht të merrnin Vlorën, duke synuar strategjikisht të kontrollonin Otranton, si Turqit Bosforin. (Lufta e Vlorës, 1920, ishte shembull unik i rezistencës shqiptare për mbrojtjen e detit nga invazioni italian) Edhe në Luftën e Dytë Botërore, fashistët Italianë nuk hoqën dorë nga Vlora, Karaburuni dhe Ishulli i Sazanit. Sidomos në Luftën e Dytë Botërore, italianët shkatërruan deri në pushtim të dhunshëm zonat strategjike të bregdetit të Vlorës dhe Ishullin e Sazanit. (Italianët e lëshuan Ishullin e Sazanit 2 vjet mbasi kishte mbaruar de facto Lufta e Dytë Botërore, me shpresën se do të mund ta mbanin atë).

Si konkluzion mund të thuhet pa kurrfarë hezitimi se, gjithë strategjitë jo shqiptare të lartpërmendura, të mpleksura me injorancën e servilizmin e lidershipeve mediokre apo të implikuara shqiptare të çdo kohe deri në ditët tona e kanë lënë Shqipërinë e Shqiptarët aktualisht pa detari e peshkim, duke e privuar këtë vend e këtë popull detarë të lashtë prej njërës nga pasuritë më të mëdha dhe më strategjike ekonomikisht, që është deti. E kjo situatë ndodhte kur Naimi i madh na kishte lënë porosinë “pa jakë këtu o dritë që lind andej nga Perëndon” (N. Frashëri, Drita e Diturisë, Përmbledhje Poetike) ose Noli i jashtëzakonshëm na kishte lënë ankesën brengosëse për Atdheun që ishte “anës Detit i palarë” (F.S.Noli, Poezi, Anës Lumenjve”).

Asimetria, mesa duket ka ndodhur në faktin që shqiptarët si popull janë gjeografikisht, mentalisht e kulturalisht detarë, pra Perëndimorë, derisa e kanë mbrojtur trimërisht si radhë ndonjë popull tjetër në Mesdhe e Ballkan kufirin detarë në mijëra vjet, ndërsa lidershipit i kanë pasur gjeografikisht, kulturalisht e mentalisht orientalist, pra Lindorë, që vetëm janë hequr si perëndimorë nga ndrojtja përpara popullit të tyre ose varësisht nga konjukturat ndërkombëtare. Mesa duket popullit shqiptarë i është dhënë pak herë rasti t’i zgjedhë vetë liderët e vet.

Qëndrimi ndaj detit dhe detarisë është argumenti më kokëfortë që shërben për të zbuluar vërtetësisht mentalitetin, por edhe mjaft elementë të bekgraundit dhe të lidhjeve të tjera të dukshme e të padukshme të lidershipit shqiptarë prej shumë vitesh. Në një kohë kur liderët thërrasin në gjithë mediumet “kombi drejt detit”, në fakt Kombin e kanë lënë pa porte, pa zona jahtesh, pa flote detare, pa flotë tregtare, pa flotë peshkimi, pa flotë turistike, pa flotë ushtarake dhe e qeverisin Shqipërinë detare pa një Ministri Detarie e Peshkimi. Në këtë mënyrë, lidershipet jo Perëndimore shqiptare nuk u shërbejnë rivitalizimit, shfrytëzimit dhe modernizimit të pasurisë më të madhe që shqiptarët sollën deri në ditët tona-hapësirën detare-por u bëjnë shërbim të madh interesave të tjetërkujt në Rajon, apo gjetiu. Të thërrasësh “kombi drejt detit”, kur detin e ke izoluar sikundër komunizmi dikur izoloi kufirin territorial me tela e bunkerë,  ekonomisht e strategjikisht, do thotë të thërrasësh “kombi drejt ri-izolimit”.

Në kohët tona rëndësia e pozicionit strategjik të Shqiptarëve, duket në interesimin prioritar që shpalosi Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO), e cila qysh në fillim vlerësoi më shumë rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Rajon sesa arritjet e standardeve të saj për në këtë organizatë euro-atlantike, standarde të cilat edhe sot e gjithë ditën lënë shumë për të dëshiruar. Sidomos, Over Seas Missions, vëmendja për realizimin afatgjatë të përqendrimeve të specializuara në bazat tona detare shumë të rëndësishme si dhe lidhja e Korridorit vertikal Kosovë-Shëngjin-Durrës vijojnë të dëshmojë lokacionin shumë strategjik të Shqipërisë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre ekonomik, por edhe për aspekte të paqes e sigurisë të mbarë Rajonit.

Pozicioni detar i Shqipërisë dhe shqiptarëve u jep atyre një rëndësi shumë strategjike edhe në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Në qasjen ndaj Bashkimit Evropian, pra komunitetit  të popujve të lirë të Evropës, Shqipëria dhe shqiptarët përbëjnë portal të jashtëm. Shqipëria dhe shqiptarët janë kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian drejt Mesdheut. Këtu është një nga vlerat dhe njëkohësisht një nga përgjegjësitë e mëdha të Kombit shqiptar ndaj Kontinentit Evropian. Kombi ynë këtë sfidë e pati përballuar për 25 vjet me Mbretin e ndritur shqiptar, Gjergj Kastrioti, duke ruajtur Shqipërinë dhe civilizimin Evropian nga barbarizmi i osmanëve lindorë. Këtë sfidë lypet ta përballojë Kombi shqiptar edhe në kohët moderne me rrugët e mjetet e nevojshme.

Megjithë përpjekjen e fqinjëve shovenë për t’i zhvendosur shqiptarët nëpër male, e shpella dhe për t’i larguar përfundimisht nga deti, sërish, shqiptarët ruajtën pjesën më të madhe të detit të tyre. Doktrina e “malsorizimit” të dhunshëm të shqiptarëve dështoi. Detaria e shqiptarëve triumfoi më së shumti, ndonëse edhe në Veri, edhe në jug na morën portet e pjesët më të rëndësishme detare.