Rinis puna për reformën në drejtësi

502
Maxhoranca dhe opozita pritet të rinisin paraditen e sotme dialogun politik për reformën në drejtësi në nivelin e komisionit të posaçëm parlamentar. Pas ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve të premten, palët ranë dakord të ulen e të gjejnë mirëkuptim për çështjet e mbetura hapur në Opinionin Përfundimtar të Komisionit të Venecias për paketën e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese. Më pas, pikat e mbetura pezull parashikohet t’u shtrohen për zgjidhje ekspertëve të misioneve ndërkombëtare të drejtësisë, EURALIUS dhe OPDAT.
Thelbi i mosmarrëveshjeve, sipas opozitës, lidhet me Këshillin e Emërimeve, ku ajo kundërshton procesin e emërimit të funksionarëve në sistemin e drejtësisë, që nuk garanton pavarësi. Reforma në drejtësi hyri në ngërç pas mosdakordësive në zbatimin e rekomandimeve te draft opinionit të Venecias.
Por, me miratimin përfundimtar nga Komisioni më 11 mars, paketa e ndryshimeve kushtetuese i kaloi Kuvendit të Shqipërisë për miratim, i cili pritet ta kalojë brenda këtij muaji reformën më të rëndësishme për politikën shqiptare, që është dhe kushti kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
Sigal