Ringritja e strukturave në PD, Spaho: Java që vjen, vendimtare

408
Java e parë e shtatorit pritet të thyejë akullin brenda Partisë Demokratike. Pas një humbjeje të thellë dhe pushimit të gjatë veror, nis riorganizimi
Partia Demokratike nis punën për riorganizimin e saj. Ndonëse strukturat qendrore ende nuk janë mbledhur, zërat brenda selisë blu bëjnë me dije se diskutimet kanë nisur, ndërkohë që shumë shpejt do të dilet edhe me program të qartë. Të njëjtat burime saktësojnë se reformimi i partisë do të fillojë nga baza. Fillimisht është menduar që të bëhet analiza e plotë e humbjes së zgjedhjeve në 25 qershor. Do të kalojnë në sitë të gjitha pikat ku është gabuar dhe më pas do të dilet me një plan të qartë. Periudha e pas zgjedhjeve për postin e kryetarit të partisë, duket se ka shërbyer më së shumti për reflektim brenda radhëve të PD-së. Por si do të mund të organizohen strukturat e partisë? Kur do të nis puna? Kur do të mblidhen strukturat qendrore? Si do të operohet? A ka nis puna e opozitës kryesore në vend për seancën e parë parlamentare? Ne u interesuam të merrnim një përgjigje të qartë për të gjitha këto pyetje. Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho i cili ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe në detyrë, zbuloi për gazetën “Telegraf” se puna në selinë blu ende nuk ka nisur me kapacitet të plotë. Pra sipas tij kryesia e partisë nuk është mbledhur për të diskutuar lidhur me mënyrën se si do të veprohet për të riorganizuar partinë. Spaho u shpreh se gjatë kësaj kohe deputetët dhe anëtarët e kryesisë kanë qenë të shpërndarë duke lënë të kuptohet se deri tani nuk ka asgjë konkrete, përveç deklaratave personale të publikuara në rrjetet sociale për çështje të caktuara. Sipas nënkryetarit të PD-së Edmond Spaho java e parë e shtatorit pritet të mbledh edhe strukturat e PD-së me qëllim përcaktimin e platformës për reformimin e partisë. Ai shtoi se duke nisur nga e hëna datë 3 shtator, mendohet të diskutohet për mënyrën se si do të veprohet. Po kështu java që vjen do të jetë vendimtare edhe për përcaktimin e platformës së të bërit opozitë në Kuvendin e Shqipërisë, i cili hap punimet e legjislaturës së re në datë 9 shtator. Partia Demokratike ka deklaruar se do të jetë opozitë e fortë, përballë mazhorancës së majtë të kryesuar nga lideri i saj Edi Rama. Një tjetër sfidë për PD-në është edhe puna për ringritjen e strukturave të saj. Për këtë qëllim fillimisht pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar. Do të jetë mbledhja e këtij këshilli, ajo që do të përcaktojë edhe vijueshmërinë e punës. Bashkë me analizën e zgjedhjeve, do të bëhet edhe një pastrim i strukturave në bazë. PD, javën që vjen pritet të përcaktojë edhe piketat për largimin e drejtuesve të degëve në rrethe, të cilët në zgjedhjet e 25 qershorit patën rezultate të dobëta. PD është akuzuar shpesh se nuk ka organizim të mirë të degëve në rrethe. Dhe pikërisht mendohet se puna do të nis nga këto struktura. Më pas do të behët edhe emërimi i anëtarëve të kryesisë. Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, një pjesë e mirë e anëtarëve të kryesisë dolën kundër platformës së Lulzim Bashës, duke u rreshtuar në të ashtuquajturin grupi anti-Basha. Javën që vjen, pritet të vendoset edhe për këtë strukturë kryesore të Partisë. 
Sigal