“Rilindje politike e PS-së, nënkupton një rilindje të institucioneve dhe të shtetit”

566
Sigal

INTERVISTA/ Deputeti i PS-së, Ilir Bejtja: “Njerëzve duhet t’iu garantosh të paktën minimumin jetik, që të respektojnë ligjin”

 

CEZ-i po vjedh qytetarët, shteti mbron juridikisht dhe favorizon ekonomikisht CEZ-in. Këtë shqetësim të madh e trajton deputeti Ilir Bejtja në intervistën për “Telegraf”. Sipas zotit Bejtja, PS-ja në qeverisje, pas 2013-s, do të çojë në gjykim të gjitha korrupsionet që denoncon sot, duke synuar një rilindje të institucioneve, ligjit dhe shtetit. 

 

– Zoti Bejtja, muajt e fundit, ERE miratoi një ulje çmimi për shitjen e energjisë elektrike të KESH-it te CEZ-i. A mund të përligjet kjo humbje e madhe valutore që pëson Buxheti i Shtetit?

– Paaftësia e CEZ-it për të menaxhuar shitjet e energjisë në vend, arsyeja për të cilën ky sektor u privatizua, është kthyer të peshojë përsëri mbi qytetarët shqiptarë, si ndaj financimit të humbjes së CEZ-it nga Buxheti i Shtetit, ashtu edhe me këtë vendim tjetër absurd. Do të ishte më e udhës të rishikohej marrëveshja dhe të zgjidhej një herë e mirë problemi i mos likuidimit të faturave nga konsumatorët, se sa të vazhdojmë me truke të tilla, që peshojnë mbi ata që paguajnë, qoftë nëpërmjet çmimeve që CEZ-i  i ndryshon në rritje, që të ketë më shumë fitime.

– Mos vallë ky është një vendim politik, që qeveria shqiptare u nënshtrohet presioneve të qeverisë çeke, në këmbim të një qëndrimi çek në favor të qeverisë shqiptare në BE?

– Shteti është i paaftë të garantojë funksionim të mirë e normal të investitorëve të huaj në vend. Ky është problem i të gjithë investitorëve, të cilët shpesh duhet të zgjidhin problemet e tyre në mënyrë informale, sepse nuk gjejnë mbështetje tek shteti dhe rendi publik. Pastaj, nga ana tjetër, justifikoj dhe qytetarët për sjelljen e tyre, sepse vërtet, që janë në pikë të hallit e nuk kanë të hanë bukë e jo më të paguajnë detyrimet publike. Njerëzve duhet t’iu garantosh të paktën minimumin jetik, që të respektojnë ligjin dhe shtetin, përndryshe janë në kushtet e veprimit për të mbijetuar dhe mund të ndërmarrin çdo veprim që e garanton këtë të drejtë të natyrshme të tyre. Kjo shpjegon edhe një rritje të jashtëzakonshme të krimit ordiner në vend.

– Njëkohësisht, CEZ-i bëri rritje të çmimit të shitjes. Së pari,  A është i justifikueshëm kjo rritje e çmimit ndaj konsumatorëve? Dhe e dyta, kuota maksimale e 300 kë/muaj, me çmimin minimal të shitjes, a nuk është e ulët?

– Për kuotën e di që është shumë pak, kur tregu sot ka stimuluar shërbimet familjare, bazuar kryesisht në energji elektrike. Kurse, rritja e çmimit nuk ka pse të ndodhë në këtë mënyrë. Kjo është monopol i pastër, sepse kemi vetëm një shitës, i cili vendos çmimin dhe fitimin e tij të garantuar, pa reflektuar aspak luhatjet e çmimit të energjisë në blerje dhe në bursën e energjisë. Unë mendoj se zgjidhja lidhet vetëm me shtetin e së drejtës dhe respektimin e ligjit si nga CEZ-i edhe nga konsumatorët, por gjithashtu edhe me ndalimin e ndërhyrjeve abuzive politike e të pista për të favorizuar zona të tëra, me mospagim të energjisë, në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë, duke nxitur kështu edhe një armiqësi krahinore e lokale mes komuniteteve konsumatore.

– Derisa CEZ-i nuk përmbush asnjë detyrim që ka, në bazë të nënshkrimit të koncesionit, për investim, për rindërtimin e rrjetit të shpërndarjes të energjisë elektrike, për rritjen e shërbimit ndaj popullit, a nuk duhet të rishikohet kontrata, deri në ndërprerje të saj?

– Patjetër që duhet rishikuar, dhe mendoj se kjo do të ishte në të mirë edhe të CEZ-it.

– Sa të drejtë ka sot PS-ja të bëjë fjalë që Kryeministri po uzurpon pushtetet, derisa me ndryshimet kushtetuese të 2008-s, PS-ja iu dha e drejta maxhorancës, që të zgjedhë me shumicën të thjeshtë parlamentare, Presidentin, dhe ky të zgjedhë kreun e një sërë institucioneve të pavarura,  ?

-Ka po aq të drejtë sa patën shqiptarët në revoltat e tyre në 90-91’ për përmbysjen e regjimit komunist, që kasta e atëhershme e kishte ngritur nën të njëjtën demagogji, atë të kujdesit për qytetarët dhe rritjes së mirëqenies së tyre. Përjashtimi i kontributit të gjysmës tjetër të popullsisë, asaj që mendon ndryshe, nga ajo që është në pushtet, i dha dikur rezultatet e tij dhe ne e rrëzuam atë shtet. Ndryshimet e bëra në Kushtetutë kishin një frymë mirëkuptimi e marrëveshje, për mbështetjen e transparencës dhe integritetit që në atë kohë u shkel me këmbë me procesin e zgjedhjes së presidentit Topi, nëpërmjet manipulimit të turpshëm të disa deputetëve të majtë nga ana e Berishës. Dhe sot është përsëri “i djallëzuari” Berisha që na imponon të kemi këtë qëndrim e të kërkojmë garante për shtetin e së drejtës e për të shpëtuar nga rreziku akoma më i rëndë, që përfaqëson Berisha, ai i instalimit të një diktature të re, në vend, por që vetëm demokraci nuk aspiron dhe nuk vendos. Kultura e tij demokratike është “zero” dhe i vetmi problem që ka ai është mbretërimi me çdo mjet, duke shfarosur demokracinë dhe duke rrënuar vendin, për interesat e tij të çmendura të pushtetit dhe ato mafioze ekonomike.

– Katër kërkesat që kërkon PS-ja po të vijë në pushtet,  do t’i realizojë, pas 2013-s si maxhorancë?

– Ndryshimet janë gurë themeltare në instalimin e demokracisë në vend dhe në garantimin e shtetit të së drejtës. Sikur të gjykonim si Berisha e të  mendonim si do mund të përfitonim nga pushteti, kur ta kemi atë, natyrisht që nuk do kishim propozime të tilla. Por ne mendojmë se duhet të garantojmë mundësi për të jetuar për shqiptarët, për vete, këtu në vend dhe jo të instalojmë një sage frike, që na bën të ndjehemi të pasigurt e gjithnjë të jemi të varur nga “miku në qeveri, apo në drejtësinë e shtrembëruar nga diktatura”. Të jeni të sigurt, se fytyrat që njerëzit e thjeshtë duan të shohin apo të njohin më pak, janë ato të qeveritarëve dhe ofiqarëve, dhe shpesh edhe të politikanëve në përgjithësi. Ata duan të shohin fytyrat e mjekëve, punonjësve të shërbimit që iu garantojnë jetesë normale, punonjësit e rendit të ndershëm që iu garanton jetë të sigurt nga krimi, mjedis të pastër e të shëndetshëm etj si këto, dhe aspak fytyrat e ndyra të atyre që për çdo gjë iu kërkojnë para, para, para, aq sa këto të shkreta të mitizohen në atë masë, sa të humbin kuptimin konvencional të tyre dhe të kthehen në magjinë e jetës. Kjo është e turpshme, dhe këtë turp e ka instaluar dhe ngritur në institucion kjo qeveri. Prandaj, duhet t’i votojmë e t’i trupëzojmë në Kushtetutë këto ndryshime, sepse ndihmojnë sado pak sigurimin e garancive të mësipërme. Sa për imunitetin, duhet ta dini të gjithë që atë ka kohë që ne si opozitë nuk e kemi, asnjëri prej nesh; na e kanë hequr dhe na e heqin sa herë që duan Berisha me të vetët.

– Derisa PS-ja bën fjalë për gjunjëzimin e institucioneve përballë politikës të Kryeministrit, përse opozita jep konsensusin  kësaj maxhorance, për një sërë reformash?

– Reformat kanë qenë të domosdoshme për progresin tonë drejt BE-së dhe për funksionim më të mirë të shtetit. Janë reforma që i përgjigjen realitetit, që duhet të ndryshojë në Shqipëri. Nuk i kemi dhënë konsensus Kryeministrit, thjesht për përulje, apo për konsensusin në vetvete, apo thjesht për të mos qenë “sebep sherri”. Reformat duhen bërë, por jo me lejen e Kryeministrit, që nuk lë rast pa thënë “shih sa i mirë po tregohem me ju”. Nëse ai është kuçedër, që ka zënë burimin e ujit, vërtet që mund të jetë kështu. Ne mendojmë se instalimi i shtetit të së drejtës në vend duhet të kalojë përmes këtyre reformave dhe atyre që do vazhdojmë të bëjmë, me një synim të madh, atë të rritjes së mirëqenies në vend dhe futjen e Shqipërisë në familjen europiane.

– Reforma e imunitetit, kështu siç është, kur Berisha nuk do të pranojë ndryshimet kushtetuese që kërkon PS-ja, ka mundësi që PS-ja ta miratojë, nga frika se mos quhet bllokuese e reformave?

– Nëse do të ishte kështu, d.m.th nga frika, do e kishim votuar në 6 gusht, ditën e hedhjes së bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Por ne mendojmë se jo Berisha, por vetë populli, nëpërmjet referendumit, do t’i japë përgjigje kërkesave tona.

– Faleminderit!

 

 

PS-ja, në qeverisje, do t’i çojë në gjykim korrupsionet e sotme

Rilindje shqiptare nënkupton një rilindje të institucioneve, nën një klimë të re, nën klimën e ndëshkimit të fajit dhe shkeljes së ligjit, të shkatërrimit të korrupsionit të frikshëm, që na ka pllakosur, të çinstalimit të shtetit që është duke vendosur Berisha, të rivendosjes së drejtësisë, si në standarde transparence dhe integriteti, ashtu edhe në fuqinë e vërtetë të saj, që duhet të ketë si pushteti i tretë, dhe, mbi të gjitha, në një rindërtim të Shqipërisë për ta bërë atë vërtetë vendin më të preferuar nga ne, shqiptarët, ashtu edhe nga të gjithë ata që duan të punojnë e ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në Shqipëri.