“Rilindja”/ Veliaj, 600 mln lekë nga taksat për lyerje fasadash

457
Sigal

Rreth 600 milionë lekë taksa të qytetarëve të Tiranës do të shpenzohen nga Erion Veliaj,  për blerje boje. Shifra marramendëse, me shumë mundësi do të përdoret për “bojatisje” fasadash, një prej elementëve që karakterizon punën e “Lali Erit” dhe mentorit të tij politik, Edi Rama.

Ndërmarrja e Punëtorëve nr.3 të Bashkiasë së Tiranës ka hapur procedurën e prokurimit publik për blerje boje, me vlerë totale 58.3 milionë lekë (të reja). Sipas të dhënave të publikuara në Buletinin e Prokurorimit Publik, afati i dorëzimit të ofertave është mesdita e datës 20 Mars 2019.

Sasia e bojës që do të blihet parashikohet që të përdoret në dy vitet e ardhshme, 2019-2020, periudhë në të cilën ende nuk dihet nëse Erion Veliaj do të jetë në krye të Bashkisë së Tiranës.

Ky tender për “bojatisje” vjen vetëm pak orë pasi Bashkia e Tiranës dhe Erion Veliaj vetë u “masakruan” nga komentuesit në rrjete sociale për cilësinë dhe ideimin e lyerjes së fasadave të pallateve.

Shkak për reagimin e qytetarëve është bërë fasada e një pallati, në zonën e ish-stadiumit “Dinamo”, e lyer nga Eljan Tanini, dikur kundërshtar i Veliajt dhe sot fitues i tenderave për bojatisjen e çuditshme të ndërtesave.

Pavarësisht reagimeve, Veliaj nuk tërhiqet nga idea e tij për të ndryshuar historinë e qytetit të Tiranës. Ndërmarrja në varësi të tij pritet të shpenzojë më shumë se gjysëm milioni dollarë vetëm për blerje boje.

Pas përfundimit të këtij tenderi, qytetarët e Tiranës, me shumë mundësi do të shohin të tjera “shpikje artistike” gjatë vitit 2019 në fasadat e ndërtesave.

Veliaj, njëlloj si mentori i tij politik, Edi Rama, duket se e kanë shndërruar në strategji të mandave të tyre ndryshimin e historisë së Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera.

Gjatë mandatit të tij 4-vjeçar në krye të Bashkisë së Tiranës, firma e Veliajt, krahas asaj të Ramës, gjendet në projektet për zhdukjen e memories historike të kryeqytetit.

Firma e dy rilindësve është në projektin për rrëzimin e ish-stadiumit “Qemal Stafa”. Gjithashtu, dyshja Rama-Veliaj janë ideatorët dhe zbatuesit e projektit për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.

Në vijim të kësaj “strategjie”, tashmë Veliaj, nëpërmjet ndërmarrjes në varësi, po synon të vendosë gjurmët e tij në “bojatisjen e pallateve”. E, këtë plan, natyrisht që do ta zbatojë me të ardhurat e taksave të rritura mbi xhepat e qytetarëve të Tiranës.

(Boldnews)