Rilindja Urbane, turp dhe asgjë tjetër!

526
Sigal

Gjëja e parë që kjo qeveri shpalli me
të madhe ishte “Rilindja Urbane”. Termi është sa i pakuptimtë aq edhe i sajuar,
për të krijuar çoroditjen tek masat, (1 milion shuplakat) dhe për tu mbushur
mendjen atyre se “ja ne erdhëm të qeverisim dhe do ta nisim nga qendrat e
qyteteve”. Por në fakt qendrat e qyteteve sot janë pothuajse ashtu siç ishin,
me të vetmin ndryshim, janë shtruar disa qindra metra katrore me pllaka
“mermeri” që kanë nisur të thërrmohen. Janë ngulur edhe disa qindra shtylla me
vlerë sa 10 fishi i atyre që ngulen në superstradat nacionale. Ndërtimi i
bulevardeve dhe rehabilitimi i shesheve kryesore të qyteteve, është një ndër
investimet më fitimprurës dhe më të përhapura sot në Shqipëri. Pushteti lokal i
prezanton ato si projekte të vetat, duke u mburrur sa herë që është nevoja dhe
duke u justifikuar se projektin e gjeti gati kur ka probleme, ndërsa qeveria i
ka kanalizuar si investime “Made in Rilindja Urbane”. Kryeministri Rama është njeriu
që nuk mbetet rast pa i bërë reklamë idesë dhe projektit tij, dhe duket se kjo
do të jetë kryefjalë e fushatës elektorale të vitit 2017. Rilindja Urbane, e
ideuar dhe e projektuar kryesisht si “ndërtim bulevardesh dhe ristrukturim
sheshesh qendrore”, në të vërtetë është tentativë për të unifikuar traditën e
qyteteve. Por një përpjekje e tillë nuk parashikon ruajtjen e trashëgimisë kulturore
dhe historike që kanë qytetet. Rilindja Urbane ka patur dhe ka si qëllim
“shkrirjen e historive dhe traditës” së qyteteve të vogla me ato të mëdha.
Rilindja Urbane kërkon ta bëjë Ersekën si Elbasanin, Bilishtin si Korça, apo
Kavajën si Tirana. E ndërsa qytetet e mëdha kanë bërë historinë e këtij vendi
dhe kanë gjurmët e tyre, tendenca për t’i barazuar ato me qytetet e vogla,
mbetet me tendencë totalitare. Rama edhe pas 3 vite e gjysmë qeverisje, mbetet
shumë mbrapa nga paraardhësi i tij, i cili për 8 vite me radhë nuk la rrugë
rurale pa asfaltuar, investime që ato zona i nxorën përgjithmonë nga moçalet historike,
duke i urbanizuar. Mania për “pedonale” është tendenca e fundit e cila po
përqafohet nga pothuajse të gjithë kryetarët e qyteteve të mëdha të vogla, duke
mos marrë parasysh kaosin e trafikut në qytet, dhe duke ia bërë jetën
qytetarëve më stresuese. Qytetet kryesore dhe ato të vogla, janë duke i kthyer
sheshet qendrore në vende pa asnjë lloj funksioni, me hapësira betoni, që
shtohen çdo ditë në forma të pakuptueshëm dhe pa asnjë lloj funksioni.
Projektet e Rilindjes Urbane të qyteteve, vazhdojnë akoma në faza, dhe ndoshta
mbyllen para zgjedhjeve të 2017. Në mjaft qytete, janë prishur objekte të
hershme që i takojnë periudhës së Zogut apo Enverit, që ishin konceptuar sipas
një tradite të caktuar arkitekturore, duke mos patur lidhje fare me bulevardet
e betonizuar sot. Ndryshe nga sa ndodh në vendet e tjera të Europës, ku tradita
ruhet dhe konservohet si tregues të një periudhe të caktuar historike, tek ne
ato shkatërrohen për të “rilindur” bulevardet e rinj. Për afro 3 vjet e gjysmë,
janë hedhur në beton miliona euro për fasada, për të prerë pemë edhe 100
vjeçare, duke mos mbjellë asnjë fije bari. Rilindja Urbane qysh në nisjen e
saj, ka shërbyer si fasadë e një filozofie qeverisëse të dështuar, e cila vetëm
ka pasuruar kastën e oligarkëve. Në qoftë se për 45 vjet thamë se u “krijua
njeriu i ri”, sot e tutje do të mund të themi se kjo qeveri ndërtoi “bulevardin
e ri”, “sheshin e ri” “fasadën e re”, të lyer me bojëra të një korrupsioni të
ri, që quhet nga Rama si “Rilindje Urbane”.