“Rilindja” në Mat çon të vdekurit në votime, si delegatë

579
1. Me Nr. Rendor 2 të listës, figuron si anëtar i PS Burrel e votues edhe i ndari nga jeta A. K, i datëlindjes 6 maj 1929, me moshë aktuale 91 vjeç nëse do të ishte gjallë, i cili rezulton se ka votuar sipas parimit “1 anëtar-1 votë” për zgjedhjen e strukturave drejtuese të organizatës së PS edhe për zgjedhjen e delegatëve të kongresit të PS, sipas procesverbalit të mbledhjes rezulton se i ndjeri ka “sulmuar ashpër” dhe qëndrimin përçarës të Ben Blushit
2. Me Nr. Rendor 12 figuron edhe një person tjetër i vdekur, që është… “ringjallur” prej PS lokale, i quajtur Sh. M, i datëlindjes 11 maj 1933, me moshë aktuale 83 vjeç nëse do të ishte gjallë, i cili thuhet se pasi ka votuar dhe i “i ka dërguar përshëndetje të zjarrta vëllazërore kongresit dhe udhëheqjes largpamëse të PSSH”, ka shkuar e është futur përsëri nëntokë, ndoshta për të dalë sërish pas 4 vitesh në votimet e delegatëve të kongresit tjetër të vitit 2020!
Kur nuk të besojnë, kur nuk të kanë zgjedhur, kur nuk të duan e për rrjedhojë kur për “1000 arsye” motivuese nuk të binden të gjallët me të cilëve jeton e punon, ndodh që humbet mendjen dhe u drejtohesh për vota të vdekurve (ndjesë paçin)! Mund të mos e besoni, por “halli” që zuri në këto zgjedhje strukturash e delegatësh, drejtuesit e PS të rrethit të Matit, kaloi çdo kufi logjik! Për t’u (vetë)zgjedhur në krye të degës së PS lokale pas kongresit, për të zgjedhur në strukturat e partisë në organizata familjarët, krushqit, shokët e vartësit administrativë dhe për të caktuar si delegatë të kongresit të PS, ata që i duhen “byrosë” së partisë në qendër dhe jo ata që duan anëtarët e partisë, drejtuesit lokalë të PS të rrethit Mat, përveç manipulimeve gjetën si zgjidhje edhe këtë marifet: Vendosën në listat e votuesve edhe persona që… nuk janë gjallë prej vitesh! Kjo ka ndodhur në listat e anëtarësisë në disa organizata të PS të qytetit Burrel. Gazeta “Telegraf” nga burime socialistësh që kanë frikë të deklarohen publikisht, mbasi hiqen vetë dhe të afërmit nga puna, ka mundur të siguroj një listë emërore votimi të organizatës socialiste të Bashkisë Mat, Njësia Administrative Burrel, që tregon “pjesëmarrjen” në votime të anëtarëve të PS të kësaj njësie në “QV-0931”. Sipas informacionit, në këtë listë ka edhe emra personash të vdekur disa vite më parë, por që figurojnë akoma të “gjallë” në listën e organizatës socialiste, si anëtar të PS në qytetin Burrel, madje që paguajnë edhe kuotat e partisë. Sipas listës dhe proces-verbalit të pjesëmarrjes në votime në qytetin e Burrelit, të vdekurit (ndjesë paçin), rezulton se ditën e votimit në PS paskan “dalë nga varret” e paskan “shkuar të votojnë” për drejtuesit e rinj të PS në organizata dhe për delegatët e kongresit. Madje, sipas atyre që na sollën informacionin, thuhet se të vdekurit e “ringjallur” kanë firmosur si votues në listat që ka hartuar e miratuar kryetari i PS lokale, por edhe janë përshëndetur e përqafuar me të deleguarit qendror të kryesisë së PSSH Nikolla e Cani dhe janë kthyer përsëri në… “banesat” e tyre të përjetshme! Mos u çuditni, por ky është realitet. Listat zgjedhore të organizatës së PS në Burrel kanë brenda 2 persona të vdekur prej kohësh, madje njërin e kanë vendosur në krye të listës së votuesve. Konkretisht, me Nr. Rendor 2 të listës, figuron si anëtar i PS Burrel e votues edhe i ndari nga jeta A.K, i datëlindjes 6 maj 1929, me moshë aktuale 91 vjeç nëse do të ishte gjallë e në listë figuron “në pension”! Sipas listës së PS të Burrelit, i ndjeri A. Kola rezulton se ka votuar sipas parimit “1 anëtar-1 votë” për zgjedhjen e strukturave drejtuese të organizatës së PS edhe për zgjedhjen e delegatëve të kongresit të PS, të 19 marsit 2016. Madje sipas procesverbalit të mbledhjes, rezulton se i ndjeri ka “sulmuar ashpër” edhe qëndrimin përçarës të Ben Blushit e madje ka bërë dhe propozime për drejtuesit e rinj të PS lokale! Po në këtë listë emërore të anëtarësisë e votuesve të organizatës socialiste të Bashkisë Mat, Njësia Administrative Burrel “QV-0931”, me Nr. Rendor 12 figuron edhe një person tjetër i vdekur, që është… “ringjallur” prej PS lokale, i quajtur Sh. M, i datëlindjes 11 maj 1933, me moshë aktuale 83 vjeç nëse do të ishte gjallë e në listë figuron “në pension”! Edhe i “ringjalluri” tjetër, i ndjeri Sh. M, sipas listës së hartuar prej kryesisë së PS të Burrelit, rezulton se “ka votuar” për kryetarin e organziatës dhe për delegatët e madje pasi “i ka dërguar përshëndetje të zjarrta vëllazërore kongresit dhe udhëheqjes largpamëse të PSSH”, ka shkuar e është futur përsëri nëntokë, ndoshta për të dalë sërish pas 4 vitesh në votimet e delegatëve të kongresit tjetër të vitit 2020! Nëse shikon listën e organizatës së PS që disponon gazeta “Telegraf”, konstaton edhe faktin që bie ndesh hapur e në mënyrë flagrante me Udhëzimin PS, lidhur me ndalimin e përbërjes nepotike në organizatën socialiste, sidomos kur bëhet fjalë për vendim-marrje e procese zgjedhore brenda partisë. Mirëpo në listën në fjalë, rezulton se organizata është e përbërë nga anëtarë të një familjeje dhe grup familjesh në krushqi e vëllazëri! Përbërja nepotike e organizatës që tregon këtë shkelje të Udhëzimit të PSSH është faktike në listën që po publikojmë sot… 
———————————————————–
Fenomeni, që po shkatërron votën e lirë të socialistëve brenda PS
Po e nisim me disa denoncime të ardhura në redaksinë e gazetës “Telegraf”, lidhur me faktin që drejtuesit e PS në rrethe e qarqe, kanë bërë abuzime të shumta e të rënda, lidhur me procedurat dhe praktikat e zgjedhjes së strukturave të drejtuese të PS në organizatat socialiste dhe të votimeve për delegatët e kongresit të PS, që do të nis punimet në datën 19 mars 2016. Faktet që denoncohen janë këto: Po vihen votime me lista false, të mbushur me emra që nuk janë as socialistë, as në Shqipëri e as të gjallë! Denoncimi i parë i bërë publik është bërë nga deputeti Ben Blushi, i cili deklaroi se nuk është njoftuar që ka zgjedhje strukturash në organizatë dhe zgjedhje delegatësh për në kongres, madje se edhe pse është deputet e anëtar kryesie i PSSH, nuk e ka pasur emrin në listat e votuesve të anëtarësisë së PS, gjë për të cilën kur ka pyetur nuk i është dhënë asnjë shpjegim se përse mungon: gabimisht, apo është hequr qëllimisht. Këto kanë ndodhur edhe në organizatat socialiste në Fier, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Dibër, Pogradec, Lushnjë etj. Por ka ndodhur edhe kështu: në emër të gjoja mungesës së emrave në listë, lejoheshin të vinin e të votonin individë pa asnjë verifikim, të cilët ose plotësonin një formular deklarimi që ishin anëtar të PS, ose që deklaronin se pranoheshin në PS dhe votonin direkt, duke u quajtur numër votuesish. Kudo ka pasur një skenar për të bërë zgjedhje strukturash me lista të mbushur me emra “besnikësh”, të “bindurish”, të “paguarish” enkas, që nuk janë as në PS dhe as jetojnë në Shqipëri. Për me tepër, që disa rezultojnë se nuk janë as gjallë siç ka ndodhur në listat e votuesve të PS së Burrelit. 
——————————————————————
Deklarata e Ben Blushit
Unë mendoj se e gjithë partia është në një klimë trysnie, që do të thotë se ajo që kemi thirrur si demokraci e brendshme nuk ekziston. Ndaj dhe shumica e delegatëve janë formalisht të zgjedhur, por praktikisht janë të emëruar. Listat janë bërë nga Tirana ose nga eksponentë të Partisë, kryetarë bashkie a deputetë me influencë në rrethe që i kanë servirur anëtarësisë emra që dalin pa garë, pa konkurrim normal, pa proces të hapur e transparent lobingu, pa afishuar listat e atyre që zgjedhin, kush voton dhe kur e ku voton. Do ju marr rastin e zgjedhjeve të delegatëve për Tiranën që mbahen të shtunën. Unë jam votues në kryeqytet, sepse kam 47 vite që banoj këtu, jam anëtar i PS prej dy dekadash, por pavarësisht këtyre treguesve, askush nuk më ka njoftuar se ka zgjedhje, ku duhet të votoj dhe në çfarë liste jam. Kur kjo më ndodh mua që jam dhe anëtar i kryesisë së partisë dhe deputet në tre mandate, mendo për të tjerët. Ka shumë të tjerë që kanë fatin tim, që nuk e dinë që ka zgjedhje, që nuk e dinë se ku do të votojnë. Ky është tregues i formalizmit dhe i pezullimit të demokracisë së brendshme
————————————
Deklarata e Bledi Çuçit
Ka një pjesëmarrje të lartë dhe them se do jetë ndoshta një nga proceset më pjesëmarrjen më të lartë kjo tregon që partia PS është në një rrugë reformimi. Vijmë sot në këto zgjedhje me një rifreskim të gjithë PS dhe pjesëmarrja e tregon. Nuk ka probleme me listat dhe nuk ka pasur kontestime. Çdo debat që ka pasur për delegatët është zgjidhur” 
—————————–
Deklarata e Mimoza Hafizit
“Zgjedhja e kryetarit është një çështje tjetër. Po krijohet një rebus që po zgjedhim delegatët dhe nuk do zgjedhim kryetarin. Ky është një rebus i çuditshëm që po krijohet në Partinë Socialiste, por besoj që përmes arsyes përgjigjja që do të japin socialistët do të jetë pozitive që të zgjedhim të gjitha forumet, duke nisur nga delegatët e kongresit deri tek kryetari i Partisë Socialiste”
——————————-
Denoncimi nga socialisti i Beratit Feim Ruka
Më datë 13.02.2016, në Berat u zhvilluan zgjedhjet për delegatët e Kongresit të PS. Para se të vija për të votuar kam shpërndarë një status në “FB”, me këtë përmbajtje: “Mirëmëngjesi të gjithë miqve dhe shokëve të mi! Uroj të jetë një poçes normal dhe jo një farsë zgjedhore, siç e kanë përgatitur një pjesë. Por, procesi filloj me propozimet në organizatat e partisë. Më pas u bë seleksionimi, u hartua lista e kandidatëve për delegat, u caktua komisioni i votimit, u krye procesi votimit, në fund numërimi i votave dhe shpallja e fituesve. Kush e bëri seleksionimin? Kush u dha këtë tagër këtyre individëve anonim? Cilat ishin kriteret që u përzgjodhën këta kandidat dhe nuk u zgjodhën disa të tjerë? Pse u anashkalua Asambleja Socialiste si organ legjitim për përzgjedhjen dhe caktimin e komisionit të votimit? Përse propozimet dhe votimet i organizuan ata që ishin vetë kandidatë? Sa fletë votimi ishin tërhequr dhe sa ishin përdorur, sa fletë u gjendën në kuti, nga këto sa të pavlefshme dhe sa të vlefshme? Kishte abuzim dhe luftë për të eliminuar nga kandidaturat deh nga votimi ata që nuk u binden drejtuesve të PS zonale dhe që nuk zbatojnë urdhrat e tyre qorrazi. Unë gjykoj, ne të gjithëve duhet të na shqetësoj fenomeni, sipas të cilit paska ardhur dita që edhe në PS po të përdorësh marifete bëhesh kryetar, bëhesh delegatë kongresi, deputetë, drejtor e gjitçk, mjafton të bësh marifete në kundërshtim me statutin dhe moralin socialist.
—————————————————– 
Atë që nuk e tregoi Fatmir Xhafa, gazeta “Telegraf” e mësoi nga burimet brenda kupolës socialiste
PS kongres me 2 ditë/ Ditën e parë miratim i Statutit të ri, të dytën rikonfirmim i kryetarit
Debatet në PS për zgjedhjen apo rikonfirmimin e “kryetarit të madh” të kësaj partie e ka “ndezur” deklarata publike e Fatmir Xhafës, bërë dje lidhur me njoftimin publik për përfundimin e Projekt-Statutit të ri të PS. Faktikisht, zoti Xhafa nuk deklaroi asgjë konkrete për asnjë ndryshim konkret në Statut, por vetëm theksoi se me statutin aktual të ndryshuar vetëm 2 vite më parë, sipas tij “janë bërë shumë gabime parimore në organizimin e jetës së partisë dhe zhvillimet brenda PS”! Sipas Xhafës, Statuti i i ri PS, do të ketë liri shprehje e vendim-marrjeje të bazës për zgjedhjet e kandidaturave të deputetëve, për përfaqësimin lokal në qendër, për raportet i zgjedhur politik-i emëruar në administratën shtetërore, për raportet fitues-humbës në zgjedhje. Por zoti Xhafaj, nuk publikoi se çfarë parashikon Projekt-Statuti i ri për zgjedhjen e kryetarit. Konkretisht, nuk sqaroi këto gjëra: Nëse kryetarin e e detyron ose jo Statuti, të zgjidhet ose jo në kongres. Nëse lejohen kandidatura të tjera përballë kryetarit. Nëse quhet fitues, apo humbës “kryetari i madh” i partisë, kur partia nuk fiton 50+1% në zgjedhjet parlamentare e lokale. Nëse kryetarit të madh kur është kandidaturë, i lejohet të bëjë fushatë për postin e kryetarit, duke qenë në postin e kryetarit të partisë. Nëse quhet fitues, kur bëhet kryeministër me vota të koalicionit politik? Nëse duhet bërë kongres partie, pa zgjedhjen e kryetarit? Nëse është normal një Statut, që detyron të zgjidhen kryetarët e PS nëpër rrethe dhe lejon të mos zgjidhet krenari i kryetarëve? Nëse quhet normal një Statut, që në një kongres ndalon kandidaturat e tjera, për kryetar partie. Nëse quhet normal një statut që lejon kongres jo zgjedhor vetëm për kryetarin. Edhe pse zoti Xhafa nuk e deklaroi nëse Projekt-Statuti lejon mos pasjen zgjedhje të kryetarit të partisë kur ai është kryeministër, fakti është se kongresi i PS nuk do të ketë në rend dite zgjedhje, por vetëm rikonfirmim kryetarit aktual në krye të PS. Por atë që Fatmir Xhafa nuk e tregoi me urdhër. Por, atë që nuk e tregoi Xhafa, gazeta “Telegraf” e mësoi nga burimet e saj brenda kupolës drejtuese socialiste. Çfarë do ndodh? Kongresi do të nis në datën 19 mars dhe do të zhvilloj punimet në 2 ditë. 
Ja rendi i ditës i punimeve të Kongresit të PS, zbuluar nga “Telegraf”
Në ditën e parë, pra në datën 19 mars 2016, Kongresi i PSSH, do të ketë si rend dite, këto tematika: 1. Do të shfuqizoj Statutin aktual, që detyron zgjedhjen e Kryetarit të PS, 1 herë në çdo 4 vjet! 
2. Do të miratoj e do të fus në fuqi për zbatim Statutin e ri që në atë kongres, me nenin që nuk detyron zgjedhjen e kryetarit të PS, 1 herë në 4 vjet. 
3. Do të miratoj zgjedhjen e kryetarit të PS pa kufizim numerik mandatesh. 
4. Do të miratoj cilësimin “kryetar fitues” edhe në rastet kur partia humbet me nën 50% të votave, por që bëhet pjesë e pushtetit me koalicione të tjera, pra në këtë rast, me Statut kryetari nuk detyrohet të jap dorëheqjen si “humbës” dhe nuk detyrohet të zgjidhet në kongres 1 herë në 4 vjet. 
5. Do të miratohet raporti i kontroll revizionit të partisë. 
6. Do të verifikohen dhe miratohen listat emërore dhe mandatet e delegatëve të kongresit. 
7. do të depozitohen propozimet, ankesat dhe kërkesat e delegatëve
Në ditën e dytë të kongresit do të jetë kjo tematikë punimesh 
1. Do të lexohet nga kryetari i partisë, raporti në emër të PSSH. 
2. Do të bëhen përshëndetje nga delegacionet e huaja dhe vendase
3. Do të bëhen diskutime delegatësh nga rrethet. 
4. Do të zhvillohet një “seancë” debatesh të lira, pa praninë e medieve dhe të ftuarve
5. Pika e fundit e rendit të ditës së dytë dhe e fundit të punimeve të kongresit, do të jetë rikonfirmimi si kryetar partie edhe për 4 vjet, i kryetarit aktual të PSSH.
———————– 
Neni 30 
Kryetari i Partisë Socialiste 
1. Kryetari i Partisë Socialiste ka këto kompetenca kryesore: a. është drejtuesi më i lartë politik i partisë; b. është përgjegjës kryesor për drejtimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë së përditshme të Partisë në zbatim të Programit, të linjës politike të miratuar nga Kongresi dhe forumet drejtuese të Partisë, të Statutit dhe të Rregulloreve të ndryshme; c. përfaqëson PS në marrëdhëniet me partitë e tjera, me organizatat, shoqatat dhe institucionet brënda e jashtë vendit; ç. propozon në Kryesinë e Partisë masa të veçanta në zbatim të Programit dhe Statutit të Partisë; d. thërret dhe drejton mbledhjen e Kryesisë së Partisë; e. drejton e bashkërendon punën e Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë; f. ka të drejtën e kërkesës për rishqyrtim të vendimeve të Kryesisë së PS në Asamblenë Kombëtare, kur e gjykon të nevojshme. Kërkesa miratohet në Asamblenë Kombëtare me shumicë të thjeshtë të votave të pjesëmarrësve në votim; 2. Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a. jep dorëheqjen; b. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP).
Neni 26 
Kompetencat e Kongresit të Partisë
3. Përfaqësia e Kongresit administron kandidaturat për Kryetar të PS, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për Kryetar të PS duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PS. 4. Kandidatët për Kryetar të PS paraqesin në Kongres platformat e tyre. 
Rendi ditës nuk është njoftuar
Neni 24 
Kongresi i Partisë Socialiste 1. Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë. 2. Kongresi Zgjedhor mblidhet një herë në 4 vjet kur përfundon mandatin e tij. Ai mund të mblidhet jashtë radhe me kërkesë të AK të PS, me kërkesë të jo më pak se 1/3 e delegatëve të Kongresit ose 1/3 e anëtarëve të Partisë. 3. Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret me vendim të Asamblesë Kombëtare të PS jo më vonë se 2 muaj nga data e marrjes së vendimit. 4. Kongresi i Partisë, përveç atij zgjedhor, si rregull mblidhet 1 herë në vit. Mbledhja e Kongresit dhe rendi i ditës lajmërohen 30 ditë më parë. 
Sigal