Rilindja merr drejtorët por humbet, këshillat bashkiakë dhe qarqet

410
Nga MAKS TUFA
Nuk ndalet LSI, hapet “loja” edhe në rrethe. Bashkë me prishjen e koalicionit, PS humbet edhe të gjitha këshillat bashkiakë
Duket se akuzat e hedhura nga ministrat e LSI dhe deputetët e saj, lidhur me situatën e rënduar kriminale dhe trafikun e drogës në mjaft rrethe, ku janë përfshirë edhe uniformat blu dhe disa shefa të tyre, po ecin paralelisht me situatën krejt ndryshe edhe në selitë e Rilindjes në bazë. Elbasani ishte stacioni radhës, nga ku selia lokale e Rilindjes pas ngjarjeve të ditëve të fundit ka shkuar edhe më larg, duke propozuar me urgjencë lista emërore me njerëzit e saj, që do të zëvendësojnë drejtorët e LSI. Një burim nga selia e Rilindjes në Elbasan i tha “Telegraf” se “ndjehet largimi i LSI nga koalicioni, gjë e cila do të sjellë zëvendësimin e të gjithë drejtorëve, zyrtarëve dhe të punësuarve të tjerë në institucione, ne kemi gati listat tona, pasi një fushatë me LSI pas këtyre akuzave tepër të rënda publike, do të thotë një humbje e madhe për ne”. Edhe afrimi me PDIU, duket një shans i humbur për Rilindjen , duke e krahasuar me LSI, e cila mbetet një parti me baza të forta në disa qytete dhe jo vetëm në Elbasan. Vetëm në dy vitet e fundit 2015 dhe 2016, nga Rilindja u larguar drejt LSI mbi 710 persona, të gjithë ish-socialistë, duke u anëtarësuar tek partia e Metës në Elbasan. Por ajo që ndodhi fundjavën e kaluar, duket se ka gjasa të shkojë edhe më tej, pasi akuzat dhe denoncimet e ministrave dhe deputetëve të LSI nuk po ndalen, dhe nuk ka shanse për tjetërsimin e tyre. Frikës për ndonjë veprim praktik nga policia, ku sipas LSI “ajo po përpiqet t’u fusë drogë në makina eksponentëve të saj”, duket se i janë trembur edhe drejtuesit e saj në rrethe. Prej 2-3 ditësh edhe drejtuesit e asaj partie në rrethe, kanë kyçur makinat dhe u janë kthyer taksive apo biçikletave, duke u ruajtur nga ndonjë veprim trashanik dhe dashakeqës i uniformave blu, që mund të komprometonte ndonjë prej tyre. Në mjaft rrethe LSI tashmë është kthyer në një faktor të rëndësishëm politik, dhe kjo shihet në Këshillat Bashkiakë, në Këshillat e Qarkut dhe stafet e institucioneve ku ata bashkë qeverisin me Rilindjen. Kësaj situate dhe kësaj hapje duket se Rilindja i është trembur, duke menduar skenare të zinj për të diskredituar tani para fushatës ndonjë prej ministrave, deputetëve apo drejtuesve të rangut të dytë në rrethe. Gjithsesi “loja” e akuzave dhe denoncimeve ndaj uniformave blu dhe segmenteve të tjera drejtuese brenda tyre, është hapur edhe në disa rrethe. Në Elbasan kjo forcë politike, ka kohë që është kritike ndaj mënyrës së bashkëqeverisjes edhe në nivel vendor me Rilindjen, si dhe ndaj efikasitetit të punës së policisë në shkallë qarku. Drejtuesit e LSI në rrethe kanë përkrahur dhe kanë mbështetur pa rezerva çdo deklaratë dhe denoncim publik të bërë nga ministrat dhe deputetët e kësaj partie, dhe kanë shprehur njehsimin e tyre edhe për situatën e rënduar në vendbanimet e tyre. Toleranca dhe bashkëpunimi me rrjetet e trafikut dhe elementë kriminalë, ka qenë refreni i prononcimeve publike të mjaft drejtuesve lokalë të LSI edhe në rrethe, pasi sipas tyre “deviacioni dhe mungesa e dëshirës nga Rilindja për të bashkë qeverisur mbi norma e ligje, mbi marrëveshje dhe reciprocitete, ka kohë që ka degjeneruar në keq qeverisje, nepotizëm, korrupsion, paaftësi, dhe bashkëpunim me rrjetet e trafikut të hashashit, duke zhvatur dhe mbushur xhepat me miliona euro”. Krisja dhe pse jo, edhe prishja e koalicionit qeverisës Rilindje-LSI, natyrisht do të sjellë rrëzimin e kësaj qeverie të mbuluar me skandale, dhe 5 muaj më vonë humbjen më dramatike të PS në zgjedhjet e 18 qershorit. Shpresa e saj për koalicion me PDIU, mbetet një iluzion i humbur, pasi vetë ajo parti e krijuar nga skenarë teorish nacionaliste, mbetet aktualisht më e përçarë se kurrë, në pragun e shpërbërjes pas largimit të shumicës së çamëve drejt PD. Pavarësisht asaj se çfarë pritet nga kjo fushatë, një gjë mbetet e sigurt, LSI pas 18 qershorit 2017, do të jetë sërish surpriza e cila do të habisë shqiptarët , Rilindjen dhe vetë kreun e “karvanit”, pasi do të dyfishojë numrin e deputetëve në Parlamentin e ri.
Sigal