“Rilindja” feston 25-vjetorin e themelimit të partisë, braktisje masive nga socialistët e vërtetë

670
Sejmen Gjokoli: Gëzuar, partia ime!
Një status që rastësisht më doli përpara e që mban firmën e një zonje deputete, personazh i Mero Bazes në një nga editorialet e radhës ma turbulloi shikimin. Të ishte një urim i thjeshtë feste as do ta konsideroja, por kur përmes urimit rreket të shpaloset edhe mirësia e reformës “made in Kokëdhima” thashë të qëndroja e të shkruaj dy fjalë. Në fakt më duhet që ta prish një pakt që kam shumë kohë që e kam bërë me veten time…Thjesht të mos prononcohem apo të mos ndërhyj me komente apo gjykime kur bëhet fjalë jo thjesht për figura të njohura, por edhe dikur, të vlerësuara nga ana ime. Po sot, de jure, aty në Tiranë festohet çerek shekulli i partisë time dhe, si anëtar e kontribues prej themelimit, s’mund të rri pa i thënë dy fjalë. Sidomos kur shikoj urime e përgjërime, madje edhe konkluzione me definicione, nga njerëz që më i thjeshti “kostum” që mund t’u shkojë është ai i mosmirënjohësit. Ndërkohë që kushdo është i lirë të ndryshojë e të ndërrojë koncepte e qasje, kurrsesi nuk mund të harrojë e mohojë ca të vërteta të mëdha, sa historike po aq dhe njerëzore. Kurrsesi nuk mund të harrohet kush ke qenë e ku ke qenë, nga vjen e nga ke shkuar, kush të ka përkrahur, nxitur e promovuar dhe deri në ato të uruara lista kush të ka shkruar. Pa lere pastaj nëse ke hedhur ca “dyfeqe” në luftën opozitare me kë në krahë ke luftuar…?! Se, të vazhdosh edhe sot t’i ngresh monument të ashtuquajturës reformë të ndodhur kohët e fundit në PS e Vlorës do të thotë që në plagën e hapur, të vështirë për t’u shëruar, të futësh e të gërryesh jo me majë thike a turjelë, por me barominë… Ti bësh hosanara e laj e lule maskaradës së pa shembullt; antivlerësuese, antikontribuese, antisolidare, antiprofesionale e sa e sa anti të tjera, siç ka ngjarë në PS e Vlorës, do të thotë të jesh ose miop ose antisocialist i thekur. Të thuash është ripërtërirë e shtuar partia kur, në krah e në front, të mungojnë detashmente të tëra me kontribues e profesionistë të sprovuar në beteja të njëpasnjëshme elektorale, kjo është më shumë se cinike!

Ndjesë! Jo mungojnë, por vet pseudoreforma “alla Kokëdhima” i ka hedhur tutje duke kultivuar një organizëm ku, në shumicë gjallojnë gjithfarë vesesh prej klientelistësh, karrieristësh të pa merituar, servilë e mendjellinj të pa shoq. Dhe pas kësaj, të marrësh guximin t’i urosh partisë që feston 25 – vjetorin më e pakta që mund të thuash është të tallesh me socialistët e vërtetë.

Gëzuar, partia ime që të kam dashur kur s’të donin! Gëzuar socialistë të vërtetë të idealeve europeiste! Harram të gjithë atyre që të vrasin edhe kur kuturisin, të të urojnë! Dhe të siguroj se bashkë me qindra e mijëra të tjerë të nëpërkëmbur e të pa begenisur nga të deleguarit e të përgjëruarit për “reforma” të duam më shumë! Ata duhet të shkojnë, pse keq të kanë trazuar!

Engjëll Musai-Gazeta Telegraf: Po rri rehat o Sejmen Gjokoli, se ju na latë një parti të lodhur dhe ne e rilindëm dhe e bëmë bashkëkohore. Nuk trajtohen gjerat nga interesat për 1 vend pune, sepse në fund të fundit administrata është e departizuar… apo jo more Muharrem Meko dhe Ergys Alushi…? Faleminderit dhe ndjesë për ndërhyrjen! 

Pajtim Graci Kolonja: Duke qenë se jam personi më i papërshtatshëm për këtë status politik, për respektin tuaj personal dhe si një qytetar që i urrej gjithë politikbërsit, dhe politikpërfshirësit, desha të them: Nga një anë më vjen mirë që në PS paska ende zëra që thërrasin, edhe pse zëri i tyre fatkeqësisht nuk dëgjohet lart… dhe se PS e vërtetë është katandisur në minorancë… e pafuqishme përpara “ringjalljes”. Bravo Sejmen Gjokoli për kurajën…edhe pse prishe atë dreq pakti!

Asqeri Mucoima: I nderuar Sejmen! Është për të ardhur keq që në këtë përvjetor të 25, PS-ja në të dy qarqet tona është katandisur në nivele të papranueshme nga ne kontribuesit e kahershëm të saj. Jo se bëhemi xheloz, apo na ikin gradat (unë s`kam pasur asnjëherë grada pushteti), por ai projekti pilot famëkeq vuri në krye të PS diplomat e blera dhe individë që s`kanë asnjë lidhje me ne, individë që s`dinë as të flasin e as të shkruajnë. Por për inat të sime vjehrre nuk do flemë me millonanë. Ti dhe unë, dhe mijëra të tjerë, anëtarë të PS, jemi nga ata që biem si shkëmb e brofim si shqipe. Le t`i urojme njëri-tjetrit, ne kontribuesit e mirëfilltë festën e 25-vjetorit!

Shpëtim Abedini: A more shoku Sejmen Gjokoli Partia Socialiste ka histori dhe nuk kanë lindur akoma burra apo gra që të fshijnë nga mesorja 12 qershor 1991, 28 korrik 1992, 6 nëntor 1994, 26 maj 1996, 28 qershor 1997 apo qershor 2000 kur fituam bashkinë e Tiranës edhe data të tjera, historia nuk shkruhet me dy rreshta. PS është aset i socialistëve me zemër dhe shpirt. Jo i kalimtarëve.

Ergys Alushi: Dhe të mendosh që Sejmeni është fajtori numër 1 në këtë historinë e deputetes, të paktën duhet t’u kishte kërkuar falje publike socialistëve dhe sidomos të rinjve, që sot u nëpërkëmbën nga njeriu që Sejmeni e deshi aq shumë politikisht.

Engjëll Musai-Gazeta Telegraf: Z. Muharrem Meko dhe Ergys Alushi, bindeni shokun Sejmen Gjokoli t’i lerë kundërshtitë dhe të dërgojë grupin polifonik të na nderojë me përfaqësinë e tij, duke konkurruar me rrepistët e ftuar. Ndoshta ajo kënga… “mprehu shpatën edhe njëherë për situatën, por jo për Lad Kostën”, do kishte vlerë… Nëse e doni më të bukur, nesër lexoni vargjet brilante të Ismail H Xhaferi…

Muharrem Meko: Mirë e ke, Engjëll….Ne u shporrëm; rrofshin rilindasit! Mua dje me erdhi një “ftesë”, por thashë me vete;- sikur edhe kjo “kartë” që në fakt, në mënyrën me hipokrite, kërkon të identifikojë 24 vjet kontribute, të miat, të përfaqësonte një lloj “çeku”, për karrierë e pasuri, s’do të kishte mbërritur kurrë, në destinacion… I dhashë karar;-s’kam pse shkoj, sepse tashmë, s’më lidh asgjë, as me “dekorin”!
Sejmen Gjokoli: Mbase ca të lodhur nga “betejat”, por të pa epur o Drejtor, ndërsa këta reformatorët që e paraqesin si “të pa epur” në fakt e kanë katandisur të lodhur e sfilitur…!
Zamira Çavo: Kur të jepet pushteti, je më keq se diktatori! 
Kur lexoj disa komente të disa individëve, që kurrë nuk janë në gjendje të shkruajnë një status, ama nuk kursejnë sharje e shpifje në komente, me vjen sinqerisht të besoj se kur injorantit i jepet në dorë një instrument “pushteti”, sikundër është rrjeti social, ai shndërrohet me i keq se çdo diktator. Eh kjo puna e lirisë, kërkon pak mend… Ndërsa ajo puna e barazisë, kërkon edhe më shumë mend… për ta kuptuar!
Marko Bello: Duajeni më shumë Shqipërinë, se kryetarin e radhës! 
Me rastin e 25 – vjetorit u them të gjithë socialistëve: Gëzuar, me dëshirën që kjo forcë politike të rigjejë kohezionin, solidaritetin dhe demokracinë e brendshme që fatkeqësisht i ka humbur në këto vite. Duke perifrazuar Konicën, i cili u bënte dikur thirrje shqiptarëve të donin më shumë Shqipërinë se udhëheqësit, uroj që socialistët ta duan më shumë Shqipërinë, sesa kryetarin e radhës.
Xheni Halili: “Rilindja” nuk është partia ime
Kryetarja e të rinjve eurosocialistë FRESSH të Shkodrës, Xheni Halili ka reaguar në një postim në rrjetin Facebook, lidhur me letrën e hapur të deputetit Vladimir Kosta, duke i dhënë të drejtë atij, sidomos sa i takon ministrit Arben Ahmetaj “Nuk më tërhoqi asnjë fjalë e thurur bukur, aq shumë sa mbiemri Ahmetaj. Po the Ahmetaj i ke thënë të gjitha”,- e fillon kështu reagimin e saj kryetarja e FRESSH-it të Shkodrës, ndërsa për të, Ministri i Financave Arben Ahmetaj është një, një… “P…” i PS e shumë të tjerë si ai. Unë besoj se Partia Socialiste për të cilën iu bashkova betejës, kam ecur me kokën lart, sepse i kam ditur kufijtë e mi dhe aq sa kam premtuar kam bërë (kam dëshmitarë kur kam premtuar) do luftoj shumë për të, se kur them ia dalim dhe fitojmë”,- shkruan Xheni Halili, por nuk e mbyll me kaq. Ajo është aq e bezdisur dhe e neverituar nga prania e Ahmetajt në PS, saqë bën edhe një premtim burrneshash: “Ne ia dalim dhe fitojmë, por n.q.s Ahmetaj e disa si ai janë prapë në 2017, fjalë burrneshash: Unë, Xheni Haliliu, heq dorë! Unë tërhiqem! S’është ky ideali im, s’është kjo partia ime”.
Mesazhi i Nanos për 25-vjetorin: Të ringjallemi përpara se “Rilindja” të shtrijë vdekjen mbi gjithçka 
Ndoshta shumëkush që priste më shumë është zhgënjyer, apo habitur nga urimi teje i shkurtër që kryetari themelues i PS, Fatos Nano, bëri sot me rastin e 25-vjetorit të themelimit. Ai shkruajti në facebook vetëm: “Gëzuar Socialistë!”. Por faktikisht, Fatos Nano, urimin e tij të plotë në formë mesazhi dhe thirrje politike, e ka bërë një muaj më parë dhe pikërisht në ditën kur duhet bërë, më 12 Qershor që është edhe dita fiks kur është themeluar Partia Socialiste, në vitin 1991. Nano në atë mesazh për socialistët, pasi rikujton vlerat dhe kontributet e PS për demokracinë në Shqipëri, ngre alarmin për sëmundjen e rëndë që e ka kapluar atë. Sipas Nanos ajo sëmundje është e ashtuquajtura “Rilindje”, e cila po shtrin vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar në 25 vitet e jetës së partisë. Deri tani, pak orë nga nisja e ceremonisë zyrtare, duket se Nano nuk ka ndryshuar mendim.
Sigal