Rilind ideja për shkrirjen e Gardës së Republikës. Struktura e re, fati i puninjësve, garda dhe pagat

2686
Qeveria i kthehet shkrirjes së Gardës së Republikës
Rilind ideja e ngritjes së Shërbimit të Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore. Fati i punonjësve, trajtimi financiar, gradat, karriera dhe flota speciale e automjeteve

Qeveria “Rama” i është rikthyer idesë së katër viteve më parë për të shkrirë Gardën e Republikës. Gjatë muajve të ardhshëm, Ministria e Brendshme dhe më pas qeveria e Parlamentit pritet t’i vënë drynin Gardës, për të krijuar një strukturë të veçantë për ruajtjen e personaliteteve të larta. Një ligj i posaçëm pritet të hartohet për Shërbimin e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore. Në këtë nisëm ligjore do të përcaktohet organizimi dhe funksionimi i Shërbimit të Sigurisë së Personaliteteve dhe të Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, i sistemit të gradave dhe të karrierës së punonjësve të këtij Shërbimi, trajtimi i punonjësve, trajnimet dhe kriteret për ecurinë në karrierë. Projekti për shkrirjen e Gardës startoi me ardhjen në qeveri të Partisë Socialiste, por për shkak të mospajtimeve brenda koalicionit gjithçka mbeti në letër. 

Struktura e re
Ligji që do t’i japë fund jetës së Gardës dhe “do të sjellë në jetë” SHSPLSH-në nuk do të jetë i vetmi. Shërbimi i ri do të pajiset me të gjitha strukturat dhe pajisjet për të garantuar, jo vetëm sigurinë e zyrtarëve të lartë, por edhe objektet e rëndësisë së veçantë. Pas miratimit të ligjit të ri, qeveria pritet të miratojë me një vendim të posaçëm listën e personaliteteve të larta shtetërore, që do të sigurohen nga Shërbimi i Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore. Krahas krerëve më të lartë të shtetit dhe drejtuesve të institucioneve të ndryshme, Këshilli i Ministrave mund të shtojë në këtë listë personalitete të ndryshme, edhe në varësi të nevojave apo kërkesave. Gjithashtu, do të jetë detyrë e qeverisë të rishikojë edhe listën e objekteve dhe rezidencave që do të sigurohen nga Shërbimi i Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore. Ligji detyron Ministrinë e Brendshme dhe strukturat në varësi të saj të sigurojnë disa nga institucionet shtetërore, rezidencat qeveritare dhe objekte të tjera, krahas banesave të disa titullarëve të rëndësishëm, ndërsa qeveria mund ta “pasurojë” këtë listë edhe me ndërtesa të tjera. Së fundmi, në detyrat e Gardës aktuale të Republikës u shtua edhe garantimi i sigurisë së njerëzve dhe institucioneve të vetingut. Shërbimi i Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore do të ketë, ndër të tjera, uniformën dhe simbolet e tij. SHSPLSH do të pajiset edhe me armatimin dhe mjeteve teknike të posaçme për punonjësit e tij, ndërsa risi duket se do të jetë flota e automjeteve për autoritetet e larta. Me një vendim të posaçëm, qeveria do të standardizojë automjetet e posaçme për transportin e Personaliteteve të Larta Shtetërore. Krahas automjeteve, Shërbimi i ri do të ketë simbolet dhe emblemat e personelit. Për këtë personel do të përcaktohen edhe rregulla të posaçme mbi etikën, disiplinën dhe trajtimin, sipas çështjeve që parashikon ligji dhe ndryshimet ligjore që do të miratohen në muajt e ardhshëm. Nuk do të mungojë në paketën e re ligjore edhe ngritja e një Instituti të formimit dhe kualifikimit të Shërbimit të Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore.

Megjithatë mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me punonjësit aktualë të Gardës dhe nëse do të ketë ose jo shkurtime. Një pjesë e mirë e gardistëve mund të përfshihen në strukturën e re pas kalimit të procesit të kontrollit të figurës, integritetit, pasurive dhe aftësive. 
Sigal