Rikthehet debati për importin e plehrave

494
Rama kthehet te ligji i mbetjeve: E kërkon BE-ja
Historia e importit të plehrave, votimi nga socialistët, kthimi nga Nishani dhe bllokimi nga LSI në Kuvend
Kryeministri Edi Rama i është kthyer idesë për ligjin që lejon importin e mbetjeve. Ky ligj, i kthyer nga Presidenti Nishani, ka mbetur i bllokuar prej një viti në Kuvend për shkak të mungesës së votave nga Partia Socialiste. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk iu bashkua kërkesës së socialistëve për të kaluar ligjin, që i hap derën importit të mbetjeve në Shqipëri. 

Në një intervistë për televizionin “France 24”, kryeministri Rama ka argumentuar se ky ligj është sipas kërkesave të BE-së. Ai nuk mungoi të kritikonte edhe mediat franceze, e sigurisht ato shqiptare, për trajtimin e debatit mbi ligjin e ashtuquajtur të plehrave. “Kjo është një gjë që më duhet të them se edhe televizionet franceze, duke përfshirë tuajin (“France 24”), e kanë kthyer tërësisht në drejtimin e gabuar, pasi kjo çështje nuk ka qenë kurrë për të bërë ndonjë gjë tjetër, veçse miratimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama. Ai shtoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk e ka një ligj të tillë, ndonëse vetë qeveria socialiste miratoi bllokimin e importit të mbetjeve në vitin 2013. “Ne jemi i vetmi vend në rajon, ta lëmë Francën apo Gjermaninë, që ende nuk kanë miratuar legjislacionin e BE-së për sa i përket riciklimit, që do të thotë e drejta e industrisë për të importuar dhe për të eksportuar, që do të thotë se kjo na ka vënë ne në një pozicion të vështirë. Nuk ka këtu asgjë tjetër, përveçse thjesht miratimi i legjislacionit të Bashkimit Evropian, por kjo u shndërrua në diçka tërësisht tjetër. Më keq, por po ashtu duket sikur është diçka seksi që të gjesh ngjarje që i bëjnë njerëzit që të mendojnë, që të shokohen”, u shpreh Rama në intervistë. Sipas tij, të flasësh për këtë gjë është gjë e mirë, por “mendoj se është edhe gazetaria shqiptare e cila duhet të bëjë disa gjëra më përpara, duke bërë pyetjet e duhura”. 

Në Kuvendin e ri, që do të nisë punë në shtator, Partia Socialiste do të ketë mundësinë ta miratojë e vetme ligjin që lejon importin e mbetjeve, ndërsa më parë ajo ishte e kushtëzuar nga votat e LSI-së. 

Integrimi
Në intervistën për televizionin francez “France 24”, kryeministri Rama ka folur për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, situatën aktuale në vend pas zgjedhjeve parlamentare, por edhe për atë në Ballkan. Shefi i qeverisë u shpreh se bisedimet me BE do të nisin këtë vit, por ai tha se nuk do të habitej edhe nëse kjo gjë nuk do të ndodhte. “Ne nuk kemi tjetër alternativ përveç BE-së. Presim që bisedimet të fillojnë këtë vit, por nuk do të çuditesha edhe nëse nuk do të ndodhte dhe jo për fajin tonë, por për situatën aktuale në BE. Në Ballkan jemi optimist. BE për ne është projekti më i besueshëm për paqen”, tha Rama.

Në intervistën e dhënë, ai ka prekur edhe një sërë temash të tjera, si lufta kundër kanabisit. “Kemi pasur një kthesë këtë vit për situatën e kanabisit, kemi pasur një ulje dramatike. Unë kam besim që në fund të vitit ka për të qenë histori. Ekonomikisht mund të jemi të dobët, por jo se po vdesim urie, jemi si vendet e rajonit”, deklaroi ai. Sa i përket marrëdhënieve mes shteteve të Ballkanit, Rama u shpreh se po jetojmë kohën më të mirë. “Për sa kohë që BE do të jetë objekti ynë, nuk është befasi që ne të rikujtojmë të shkuarën, por ne tani po jetojmë kohën më të mirë dhe kjo për shkak të BE-së. Nëse be do të largohet ëndrra që kemi, atëherë do të shohim të tjera alternativa”, tha kryeministri për “France 24”. 

Gjatë intervistës, Rama u pyet edhe për marrëdhëniet me SHBA. Rama tha se presidenti amerikan është mbi Perëndinë në vendin tonë sa i përket popullaritetit. “Kushdo të jetë presidenti i SHBA, do të jetë mbi Perëndinë për sa i përket popullaritetit. Ne kemi jetuar në komunizëm dhe SHBA ishte një mollë e ndaluar për ne, por tashmë gjërat kanë ndryshuar”, tha Rama.
Sigal