Richard Lukaj:Vjedhja në Bankën e Shqipërisë krijon shumë pikëpyetje

507
Sigal

Diaspora, e gatshme të bashkëpunojë në zgjidhjen e situatës së BSH. Ne si popull kemi shumë aftësi, burime dhe energji

 Bankieri shqiptaro-amerikan Richard Lukaj i tha “Zërit të Amerikës” se diaspora shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet financiare të Shqipërisë, por deri tani rrallë ka patur raste konkrete bashkëpunimi. Zoti Lukaj, themelues i një banke të suksesshme në Stamford të shtetit Connecticut, kohët e fundit priti në shtëpinë e tij nënpresidentin e SHBA-ve Joe Biden dhe është i njohur për veprimtaritë në shërbim të komunitetit. Në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi në Nju Jork, ai u pyet gjithashtu, për çështjen e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, për korrupsionin dhe informalitetin në Shqipëri si dhe për tema të tjera. I pyetur rreth ftesës që i ka bërë nënpresidentit amerikan Joe Biden në shtëpi, ku dhe sponsorizoi  një takim për grumbullim fondesh me pjesëmarrjen e nënpresidentit, Lukaj u shpreh se: “Ky aktivitet ishte rezultat i një investimi të gjatë. Kemi pasur rast ta presim nënpresidentin edhe kur ishte senator, sidomos në momentet më të rëndësishme të ngjarjeve në Ballkan”.

Në rezymenë tuaj lexojmë se ju personalisht keni bërë transaksione që arrijnë në mbi 100 miliardë dollarë. Nga pikëpamja profesionale çfarë konsideroni ju si suksesin tuaj më të madh?

Lukaj: Këta artikuj janë shkruar nga njerëz që kanë opinionet e tyre, por unë rrallë i lexoj shkrimet ku flitet për mua. Kemi patur fat që kemi marrë pjesë në shumë transaksione në botë dhe sot mund të jenë bërë shumë më tepër se sa 100 miliardë dollarë. Por unë besoj se suksesi për të cilin ju më pyetët është diçka e shtrirë në kohë dhe nuk është një gjë e vetme konkrete. Mendoj se në përgjithësi, jeta ime profesionale ka qenë shumë e kënaqshme për mua dhe shpresoj të vazhdojë ashtu. Përsa i përket bakës së tij, BankStreet, ai tregon se si arriti që t’i mbijetojë stuhisë financiare të viteve 2008-2009-2010, ku shprehet se, ‘ajo ishte një krizë financiare që lidhej shumë me kreditin. Ne nuk kemi qenë të ekspozuar ndaj kredive, nuk kemi patur borxhe që mund t’ u kishte rënë vlera. Në atë kohë ne jemi marrë shumë me investim. Pati edhe kompani të mira, të cilat ranë në vlerë, por ne ishim blerës.’

Lukaj shprehet entuziast për brezin e ri, i cili synon bizneset dhe jo ndërtimtarinë. ‘Unë i shikoj shqiptarët pjesëmarrës në çdo fushë. Në industrinë e ndërtimit mund të them që janë bërë një superfuqi, sidomos në zonën e Nju Jorkut. Por edhe në industrinë bankare, financiare e të teknologjisë, jam krenar që shikoj gjithkund pjesëmarrjen e shqiptarëve. Rreth çështjes së vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, ai tha se, ‘çdo krim i këtij lloji është shumë i dhimbshëm për të gjithë ne. Sidomos ky lloj krimi që ndodhi vë në pikëpyetje edhe institucionin e bankës qendrore në shumë nivele. Për shembull, sigurimi i parave është ndër vlerat kryesore të çdo banke. Kur fizikisht mund të merren paratë e popullatës ose të institucioneve të ndryshme, atëherë është në pikëpyetje sigurimi elementar. Por në pikëpyetje është edhe besueshmëria në një kuptim më të thellë, sepse nëse paraja fizikisht nuk mund të mbrohet, atëherë si mund të kesh besim kur është fjala për transaksione me sofistikim të lartë, në të cilat lidhen interesat shtetërore, kombëtare e të tjera? Korrupsioni është një problem shumë i madh në Shqipëri. Por mendoj se problemi nuk është vetëm te korrupsioni, është edhe tek aftësia. Aty ku mungon aftësia shpesh ka korrupsion. Është edhe orientimi i institucioneve, mënyra se si funksionojnë ato, sepse niveli i informalitetit pak a shumë është bërë pjesë e formalitetit. Kjo duhet kundërshtuar. Nëse institucionet nuk kanë dëshirë t’i luftojnë këto dukuri, atëherë nuk mundet që vetëm të kundërshtosh, por duhet të prodhosh alternativa që funksionojnë dhe që krijojnë opsione ekonomike, pra që njerëzit të mos i lejojnë ato mënyra të cilat bëhen pengesë për të gjithë.’ Bankieri shqiptaro-amerikan Richard Lukaj, përsa i përket vizitës së Papa Françeskut, tha se, mesazhi i tij nuk u drejtohej vetëm udhëheqësve të Shqipërisë, por edhe të botës, që të mendojnë se ka gjëra me vlerë, të cilat janë më të rëndësishme se paraja, se ka gjëra me vlerë të cilat qëndrojnë më lart se çështjet e ditës. Ne si popull dhe shqiptaria si histori është plot me shembuj të këtij lloji. Ne kemi shumë aftësi, burime dhe energji, kemi një popullsi mjaft të re dhe rrënjët e diasporës shqiptare shtrihen në të gjitha vendet e botës, nga Australia në Amerikë. Unë mendoj se me një popull që kanë aftësi të tilla është për të ardhur keq që akoma edhe sot flasim për ngërçe që krijohen brenda vendit, të cilat nuk ka pse të na pengojnë.’