Riatdhesohen rreth 100 shtetas shqiptarë nga Franca dhe Gjermania

405
Sigal

Rreth 100 azilkërkues shqiptarë janë riatdhesuar nga Franca dhe Gjermania me avion. Në total janë rreth 100 shtetas shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil në këto vende të BE-së, por që sigurisht kërkesat e tyre nuk janë pranuar dhe sot ata janë riatdhesuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto janë operacionet e para të riatdhesimit të shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Evropës për vitin 2019. Ligji për azil në Gjermani, për sa u përket shqiptarëve ka ndryshuar, madje do të ndryshojë prapë. Legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën. Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. INSTAT këto ditë publikoi të dhëna, ku pohoi se 200.000 shqiptarë u larguan vetëm gjatë 2018-s, për shkaqe ekonomike, pasi në Shqipëri e kanë të vështirë të mbijetojnë nga papunësia, varfëria.