Rezultatet e 2009-s dhe kush është i favorizuar nga aleancat aktuale

763
Sigal

Presidenti Nishani konsultohet me partitë politike për datën e zgjedhjeve të 2013-ës. ja kush do të fitojë

Takimi i Presidentit Nishani me drejtuesit e partive politike duket se, kanë piketuar datën 23 qershor 2013  si ditën më të preferuar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Koalicionet që do zgjedhin këto parti dhe  grupimet e tyre duket se, do të jenë përcaktuese për  krijimin e shumicës në Parlamentin e ardhshëm.  Koalicioni aktual i kryesuar nga demokratët, megjithëse nuk është dekretuar ende data zyrtare nga Presidenti i Republikës po ofron rreth vetes aleatë të tjera pasi e di mirë se çdo votë është e vlefshme dhe përcaktuese dhe këtë gjë e tregoi më së miri  rezultati i ngushtë për zgjedhjet në kryeqytetet midis Bashës dhe Ramës. Strategjia e partisë në pushtet dhe filozofia e fituesit e ka detyruar kreun e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht Kryeministrin e vendit Berisha të rimarrë rreth vetes shumë nga aleatët e tij tradicionalë duke i ofruar edhe poste shtetërore në rang zëvendësministrash, drejtor drejtorish dhe ato të pushtetit lokal.  Ofrimi në qeverisje i  demokristianëve të Ndokës si dhe LZHK-së së Shehit, tregon se sa të vështira dhe vendimtare do të jenë këto zgjedhje. Berisha me qëndrimet dhe ofertat e bëra  po   tregon se për të mbajtur pushtetin di të shpërndajë pushtet tek aleatët dhe tek ato grupime, të cilat dinë të konvertojnë pushtetin në vota. Partneri kryesor i PD-së në zgjedhjet e përgjithshme pritet të jetë LSI-ja. Kjo për vetë faktin se, kjo parti si forca e tretë në vend mund të mbledhë votat e mbetura dhe t’i përshtatë ato në numër deputetësh.  Nga ana e saj, opozita është ende e përçarë dhe nuk i ka të përcaktuara aleancat, të cilat mund të shihen si mbështetje për PS-në. Madje, socialistët po hezitojnë në koalicione, pasi trysnia e ushtruar nga partitë e vogla të opozitës janë të papranueshme për PS-në. Partitë aleate të së majtës kërkojnë të futen në listat e PS-së, gjë që, është e papranueshme për grupin parlamentar të PS-së, pasi një veprim i tillë do të thotë që të largohen një grup deputetësh socialistë  dhe vendin e tyre ta zënë krerët e partive të vogla. Ndaj PS-ja i ka kërkuar aleatëve bashkimin rreth koalicionit socialist dhe nëse e majta fiton, atëherë partitë aleate do të jenë pjesë e qeverisjes me poste në pushtetin legjislativ dhe administrative. Socialistët janë në mëdyshje për koalicionin me LSI-në, pasi ky koalicion aq sa i favorizon po aq edhe i penalizon. Në rast të një koalicioni të  PS-së me LSI-në, në radhë të parë u mbyllet rruga një herë e mirë aleatëve të së majtës pasi LSI-ja përveç mbetjeve të PS-së, do të mbledh edhe votat e tyre. Por nga ana tjetër Berisha do e përdorë se PS-ja mori në koalicion ata që janë përfolur për korrupsion dhe se dihet mirë që 21 Janari u bë si reagim ndaj videos së Metës dhe vrasja e 4 protestuesve në bulevard ndodhi pikërisht, kur kërkohej largimi i qeverisë për shkak të skandaleve Meta-Prifti.  Ndaj në këto rrethana elektorati i majtë do të abandonojë zgjedhjet nga pakënaqësia ose do të adresojë votën e tij në drejtim të partive të reja, të cilat kanë muaj që po zhvillojnë një aktivitet të ashpër antiqeveritare. Dalja e Aleancës Kuq e Zi të Spahiut  dhe e Frymës së Re Demokratike të Topit duket se, do të ndikojë në prishjen e ekuilibrave.  Në këto kushte, partia, e cila do ketë më shumë aleatë rreth vetes duket se do triumfojë. Ajo që tashmë është bërë prezente është fakti se kush është i predispozuar të bëjë aleanca. Dhe sipas të gjitha gjasave  Berisha di të joshë dhe nuk përjashtohet mundësia që në koalicionet e ardhshme të kemi një afrim edhe të partive të reja rreth qeverisjes aktuale. Rasti i Xhuvelit dhe më vonë ai i Metës tregoi thënien klasike se: “Në politikë nuk thuhet kurrë jo”. Po të shikojmë sondazhet e para që kanë filluar, por që kanë brenda tyre edhe pak rritje artificiale të atyre që i kanë  bërë këto teste të bjerë në sy që LSI-ja ende mbetet partia e tretë në vend. Menjëherë pas saj vjen AK-ja,  e cila duke  shpalosur  ndjenjën nacionaliste dhe kombëtare është ngjitur si partia e katërt shumë pranë partisë së Metës dhe duke lënë prapa PDIU-n e Idrizit, të cilit po i ikën nga duart edhe karta çame.  Ajo që ka rëndësi në këto zgjedhje do jetë edhe lista e deputetëve dhe e atyre që do të mbeten jashtë saj, pasi grupi i të pakënaqurve mund të shkaktojë një  goditje, e cila sado e vogël është e tillë që ndikon në rezultatin final.  Zgjedhjet e 2013-s do të tregojnë se edhe një votë e vetme është e rëndësishme.

_____________________________________________________________________________________

Ja tabela e koalicioneve në  zgjedhjet e përgjithshme 2009 dhe atyre lokale 2011

NË ZGJEDHJET E 2009-S GRUPIMI I SË DJATHTËS;

Koalicioni Aleanca e Ndryshimit  ka marrë  712.745 vota, 46,92% ose 70 deputetë

Koalicioni Aleanca Poli i Lirisë  ka marrë 27.655 vota, 1,82%  asnjë deputet

Koalicioni Aleanca Socialiste për Integrim ka marrë  84.407 vota  5,56% ose  4 deputetë. Këtij grupimi i është larguar PSV ‘91, e cila mori 6.548 dhe që është bashkuar me PS-në.

Në total të tre këto grupime që aktualisht janë pranë PD-së përbëjnë 818,259 votues. Ndarja në 2 partitë e të drejtave të njeriut i shton këtij koalicioni edhe afërsisht 10 mijë vota plus. Këtu nuk janë llogaritur largimet e grupimit të Shpëtim Idrizit. Përfundimisht ky koalicion mbledh sipas të dhënave të zgjedhjeve të fundit afërsisht 830 mijë vota.

NË ZGJEDHJET E 2009-S GRUPIMI I SË MAJTËS:

Koalicioni Bashkimi për Ndryshim  ka marrë  688.748 vota , 45,34% ose  66 deputetë. Duke shtuar edhe votat e PSV ‘91 dhe PLIDR  ky grupim merr rreth 700 mijë vota.

Ajo që duhet theksuar është se  pas 4 vitësh numri i votuesve rritet me afërsisht 160 mijë votues, ku pjesëmarrës në votime minimalisht janë 90 mijë të rinj.

Zgjedhjet lokale 2011

Aleanca për të Ardhmen e kryesuar nga PS-ja ka marrë: 671.612 vota ose 42,75%

(PDK aleate me PS-në ka marrë  47.930, por që aktualisht ka kaluar me PD-në)

Aleanca për Qytetarin e kryesuar nga PD-ja ka marrë 813.335  vota ,ose 51,77%

Shuma Jashtë Koalicionit 75.813  vota ,ose 4,82%