Rezultat i ndryshëm nga 25 qershori në 24 QV në Tiranë, KQZ kallëzim penal për 76 numërues: Të hetohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë dhe vërë para përgjegjësisë, numëruesit që kanë nxjerrë rezultatin përfundimtar në 24 qendra votimi në Tiranë, ku pas rinumërimit, ka pas mosrakordim mes dy rezultateve përfundimtare.

Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ deklaroi sot se për 76 anëtarë të komisioneve të numërimit kanë konsumuar elementë të veprës penale. Rezultati sipas saj, edhe nga rinumërimi nuk e ndryshon rezultatin përfundimtar.

“Për 24 Qendra Votimi, rezultati i rinumërimit ishte i ndryshëm i nxjerrë nga grupet e numërimit. Anëtarët kanë shënuar numër më të vogël votash për disa subjekte dhe numër më të madh për disa të tjera, krahasuar me numrin real. Rezultati nuk ishte real, duke favorizuar disa subjekte zgjedhore. Ndryshimet e konstatuara nuk sjellin pasoja, në rezultat apo në pavlefshmërinë e zgjedhjeve por anëtarët e komisioneve të numërimit kanë konsumuar elementë të veprës penale.

Rinumërimi i votave tregoi se veprimtaria e numëruesve mbështetet nga subjektet zgjedhore. KQZ i bën thirrje prokurorisë të hetojë dhe çojë para ligjit përgjegjësit. KQZ iu bën thirrje të gjithë atyre që kanë prova t’i dorëzojnë para prokurorisë”, deklaron KQZ.