Në një reagim zyrtar menjëherë pas publikimit të deklaratës së përbashkët të dy eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstein, Partia Demokratike shprehu gatishmërinë për të filluar bashkëpunimin së bashku me mazhorancën për rezolutën e përbashkët parlamentare të hartuar nga negociatorët ndërkombëtarë.
“Partia Demokratike përshëndet deklaratën e negociatorëve të Parlamentit Evropian dhe dy grupeve parlamentare PPE dhe PSE dhe falënderon eurodeputetet Kukan dhe Fleckenstein për angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës parlamentare. Partia Demokratike konfirmon mbështetjen e plotë për Deklaratën e Parimeve dhe është e gatshme të fillojë menjëherë punën së bashku për rezolutën e përbashkët parlamentare. Partia Demokratike përshëndet dhe mirëpret angazhimin e mëtejshëm të Parlamentit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE për mbështetjen në vazhdim, të procesit të normalizimit të jetës parlamentare”, thuhet në deklaratën për media të Partisë Demokratike