Rexhep Qosja: Do ta festoj 100 vjetorin vetëm në Vlorë!

473
Sigal

Ekskluzive/ Akademiku Rexhep Qosja mbërriti mbrëmë në Vlorë për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë

Mbrëmë rreth orës 23 mbërriti në qytetin e Vlorës, Akademiku Rexhep Qosja. Ishte një ngjarje e paralajmëruar nga vlonjatët, të cilët i bënë sfidë Akademisë së Shkencave, e cila nuk i bëri ftesë personalitetit të madh të kulturës kombëtare. Ndihem shumë i lumtur që po vij të marr pjesë në festimet për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare i ftuar nga vlonjatët. Në këtë vizitë historike Prof. Qosja ka anashkaluar Tiranën dhe rrugëtimi i tij i djeshëm ka qënë nga Prishtina në Vlorë. Do të festoj vetëm në Vlorë, tha ai, duke lënë të nënkuptohet se nuk i interesojnë organizimet qeveritare, sidomos në Tiranë. Kjo ishte fraza që shqiptoi mbrëmë Akademiku Rexhep Qosja ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”. Qëndrimet e tij kontestuese ndaj Tiranës zyrtare për rishikimin dhe rivlerësimin e historisë, Profesor Qosja i ka shprehur botërisht herë pas here, por në mënyrë më të thekshme i paraqiti në një shkrim ekskluziv për gazetën tonë një javë më parë. Ndaj dhe ishte e tepërt që të pyetej për këtë. Me këtë rast ai renditi meritat historike të Vlorës dhe pse ndihet shumë i nderuar që do të jetë mysafir i kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Me këtë rast Prof. Qosja do të marrë titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Vlorës. Janë të natyrshme emocionet e tij në këtë jubilee të madh të kombit shqiptar. Këto emocione ai i përcolli për “Telegraf, nëpërmjet kësaj interviste të shkurtër që dha sapo mbërriti në Vlorë.

– Profesor Qosja, ju keni udhëtuar drejt Vlorës në një moment vërtet kulminant dhe shumë domethënës. Si ndiheni me këtë vajtje në Vlorë në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe ç’është Vlora për ju, si do e përcaktonit?

– Vlora është vendi, qyteti më i madh në historinë e popullit shqiptar, sepse aty u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Dhe ajo u shpall jo rastësisht. Shpallja e Pavarësisë e bëri Vlorën të lavdishme, të madhe, por edhe Vlora u përzgjodh që të jetë vendi ku do të shpallet Pavarësia e Shqipërisë për disa arsye. E para, për arsye të lavdisë së saj, traditës së saj kulturore të përgjithshme. E dyta, për arsye se ishte vendlindja e prijësit të lëvizjes kombëtare, Ismail Qemalit. E treta, për arsye se natyra i kishte dhuruar një pozitë të veçantë, natyrore, gjeografike dhe gjeostrategjike. Këto janë ato arsye që e bëjnë Vlorën të madhe në historinë e popullit shqiptar.

– Ju do të nderoheni me titullin “Qytetar Nderi”, si e përjetoni këtë vlerësim që ju bën Vlora?

– Është një nderim jashtëzakonisht i madh për çdokënd që nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Vlorës. Ky është nderim i madh dhe obligim i madh. Është një nderim i madh sepse Vlora, po e përsëris që është qyteti ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë.

– Ju vini me iniciativën tuaj private, me ftesë të qeverisë, apo vini për të nderuar Vlorën si qytet dhe si histori?

– Unë jam i ftuar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika. Unë jam mysafir i Vlorës me 27 dhe 28 Nëntor.

– Ju do të merrni pjesë në festimet që do të bëhen në Vlorë, apo në festimet që do të bëhen në Tiranë?

-Unë do marr pjesë në festimet që do të bëhen në Vlorë. E kam për nder dhe për kënaqësi që të marr pjesë në festimet që do të bëhen në Vlorë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

– Ju faleminderit dhe urime, Profesor!

SHOQATA KULTURORE-ATDHETARE “LABARIA” NDERON KRYETARIN E SAJ TË NDERIT, REXHEP QOSJA

Sot Bashkia e Qyetit të Vlorë, në kuadër të veprimtarive për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë  organizon, ora 12.00, në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë  ceremoninë e akordimit të titullit “Qytetar nderi” dy personaliteteve: Akademikut Rexhep Qosja, “Nderi i Kombit” – kryetar nderi i Shoqatës Kulturore-Atdhetare Labëria, si edhe ish-ambasadorit amerikan John Ëithers. Shoqata Kulturore-Atdhetare “Labëria” ka propozuar Bashkisë së Vlorës që të nderohet me titullin: ” Qytetar Nderi”, Kryetari i saj i Nderit, akademiku, Rexhep Qosja. Kryetari i Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, Ago Nezha, në prononcimin për “Telegraf”, u shpreh:

” Është në nderin e Shoqatës tonë, që Kryetari ynë i Nderit të nderohet me titullin e madh” Qytetar Nderi” i qytetit ku është ngritur Flamuri i Pavarësisë”. Në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Shoqata ka organizuar një sërë aktivitetesh, kudo ku është komuniteti lab, në të gjitha qytetet e vendit, duke nxjerrë në pah rolin dhe kontributin e komunitetit të Labërisë, të luftëtarëve dhe prijësave të saj në luftërat për Pavarësinë e Shqipërisë.”