Revoltohen drejtuesit e bazës të PD ndaj ish-ministrave: Pastrimi fillon nga ju

383
Eksponentët historik të PD nuk e fshehin më kritikën e tyre ndaj pafuqisë të kryetarit të partisë, Lulzim Basha për të bërë opozitë të fortë, konstruktive. Jozefina Topalli, fill pas humbjes në 21 qershor, e akuzoi publikisht kryetarin e PD Lulzim Basha, për mungesën e alternativave politike, për mosbërje të një opozite që do t’i japë shpresë elektoratit të Djathtë. Kritikat e Topallit u anashkaluan, ndërsa ditë më parë, mekanizmat partiake u vunë në lëvizje për të filluar tani analizën e humbjeve të 21 qershorit. 
Kryesia e PD: “Të këputen” kokat e drejtuesve në rrethe
Nga kryesia e PD ka dalë një udhëzim për analizën që do të kryhet në forumet e partisë, ku veç të tjerash, kërkohet që të shkarkohen nga detyra të gjithë drejtuesit e forumeve të partisë, ku ka rezultate të dobëta. Por, çështja është se duhet gjetur ndonjë bashki, ku PD të paktën arriti rezultatin zgjedhor pozitiv, në 21 qershor 2015, në krahasim me 2013. Kjo shkresë me karakter konfidencial e kryetarit të PD ka shkaktuar një valë zemërimi nga vetë baza e PD, sepse ata shikojnë që nga kryetari Basha, jo vetëm nuk kërkohet analizë dhe përgjegjësi, por thjesht kërkohet që të bëhen spastrime edhe në forume, që të vihen në krye vetëm njerëzit e besuar të kryetarit të partisë, pavarësisht kontributeve dhe personalitetit.
Revolta e bazës: Të pastrohet PD nga ish-ministrat e korruptuar
Krerët e PD në forumet e rretheve, janë revoltuar nga qëndrimi i eksponentëve të partisë, që në 8-vjeçarin e qeverisjes së Berishës, abuzuan me pushtetin, korruptuan dhe u sollën arrogantë, pasoja të cilat sollën humbjen e thellë të PD në 23 qershor 2013, por edhe me mungesën e një rinovimi të thellë nga kryetari i ri i PD, Lulzim Basha. Ky qëndrim i krerëve të PD në forumet e rretheve ka revoltuar edhe disa ish-ministra, të cilët i kanë kërkuar kryetarit të PD, Bashës, që t’u presë, ose kokën, ose gjuhën kritike të vegjëlve nëpër rrethe, ndaj tyre. Genc Ruli, si ish ministri më i përfolur nga kryetarët e PD në rrethe për afere dhe abuzime, është revoltuar shumë, aq sa në mënyrë demonstrative replikoi me Bashën në grupin parlamentar të PD, duke bërë edhe aludime për përgjegjësinë e kryetarit të tanishëm Basha, si ish ministri i Transporteve, për “Rrugën e Kombit”, si ministër i Jashtëm për marrëveshjen detare me Greqinë, si ministër i Brendshëm për ngjarjet e 21 janarit 2011. Edhe për ish-ministrin Bode demokratët janë të irrituar, sepse ende nuk ka mbajtur përgjegjësinë për abuzimet me tenderat, për koncesionet korruptive, për shpërdorimin e financave, për korrupsionin në dogana, etj. Në shënjestrën e kritikave të demokratëve janë edhe ish-ministrat Imami, Bregu, Pollo, por edhe Jozefina Topalli. Kështu, kryetari i PD në Lushnjë Myslim Murrizi, në intervistën për gazetën “Telegraf” qartazi kërkoi që pastrimi i PD fillon nga kërkimi të falur nga ish-ministrat, dhe largimi i tyre nga udhëheqja e PD. Edhe kryetari i PD në Gjirokastër Roland Bejko. Kreu i Partisë Demokratike në Gjirokastër, Roland Bejko, i ka cilësuar kërkesat e ish-ministrave të PD-së, si shfaqje të vjetra teatrale. Kërkesa për përmirësimin e komunikimit etik për Bejkon vjen nga njerëzit e gabuar dhe pikërisht nga ata që nuk janë dalluar për komunikim gjatë kohës, kur ishin në rolin e “apostujve”. Në po të njëjtën linjë është shfaqur edhe kreu i PD-së së Vlorës, Moisi Meminaj.
Sigal