Revoltë e FRESH-it Vlorë, kërkojnë “Dua të shoh votën time”!

576
Sigal

Rebelohen të rinjtë, anëtarë të FRESH në Vlorë. Kërkojnë zgjedhje të lira dhe kandidim të të gjithë atyre që janë përzgjedhur nga vetë të rinjtë e Vlorës, për të kandiduar për postin e kryetarit të FRESH. Reagimi ka ndodhur, kur është mësuar se një ndër tre kandidatët e përzgjedhur për të kandiduar, rrezikon të shmanget për të mos u kandiduar nga drejtuesit e FRESH, në Tiranë.  Klajdi Myzafera, kryetar aktual i FRESH rrethi Vlorë, Viktor Lagji dhe Françesko Muçaj, janë tre të rinjtë e përzgjedhur nga të rinjtë e Vlorës, për të kandiduar për postin e kryetarit të FRESH Vlorë. Të tre filluan fushatën një muaj më parë dhe takuan të rinjtë, duke prezantuar vizionin e tyre për drejtimin e FRESH. Tre kandidaturave ju garantua nga drejtuesit e partisë në Vlorë, si dhe nga drejtuesit e FRESH në Tiranë, një garë e ndershme dhe votime të lira. Por duket se nuk ka ndodhur kështu dhe gjithçka ka rezultuar një mashtrim. Të rinjtë e FRESH në Vlorë kanë mësuar nga burime të sigurta në Tiranë se në votimin e kryetarit të FRESH Vlorë, do të miratohen nga lart vetëm dy nga tre kandidaturat, ku mësohet se është shmangur emri i  Viktor Lagjit, i cili ka kandiduar dhe në zgjedhjet e kaluara për postin e kryetarit të FRESH, rrethi Vlorë, ndërkohë që ka qenë dhe një nga grevistët e grevës së urisë të kryer nga opozita e para 23 qershorit 2013, në bulevardin kryesor të Tiranës. Sapo është mësuar se pritet të ndodhë një veprim i tillë, shumë të rinj të FRESH Vlorë kanë kërkuar shpjegime në PS Bashkia Vlorë e PS e rrethit, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Disa të rinj thanë për gazetën “Telegraf” se Viktor Lagji gëzon mbështetjen e shumicës së rinisë së FRESH Vlorë, ndaj dhe është marrë dhe vendimi për ta shmangur nga gara, me qëllimin e vetëm që të shmanget një fitore e mundshme e tij e për të fituar një kandidat që gëzon mbështetjen e drejtuesit të FRESH në Tiranë. Të tjerë të rinj shprehen se për t’ia arritur kësaj, kanë filluar të kërcënohen të rinj me heqje nga puna, janë kërcënuar njerëz me largim nga partia, janë kërcënuar njerëz për mos të mbështetur njërin apo tjetrin. Fressh-istët e Vlorës kërkojnë që të gjithë kandidatët të futen në kandidim të lirë, për të fituar më i miri e ai që gëzon mbështetjen reale të të rinjve dhe jo mbështetjen e diktuar nga “të mëdhenjtë” në Tiranë, nëpërmjet formave jodemokratike. Ata kërkojnë që FRESH të jetë një organizatë jo e mbyllur klanesh e njerëzish, por një organizatë e hapur, ku të rinjtë t’i shkëmbejnë hapur dhe me vizion mendimet e tyre. Shumë të rinj, paralajmërojnë bojkotin e votimit, nëse në votim nuk hyjnë të tre kandidaturat e miratuara nga vetë ata, duke kërkuar që drejtuesit e FRESH në Tiranë, të monitorojnë situatën e jo të bëhen mbështetës të hapur të njërit apo tjetrit kandidatë. Ata kërkojnë thjesht liri për të votuar atë që mendojnë se do të bëj më të mirën për ta, duke shpresuar në një Rilindje të FRESH, e cila duhet thënë se, pas punësimit në shtet të dy kryetarëve, atij të qytetit e të fshatit, është krejtësisht inekzistente, duke i braktisur të rinjtë, të cilët kanë mbajtur një peshë jo të vogël në fushata të ndryshme elektorale të PS-së.

Ergys Alushi