Revolta universitare në mediat botërore/ Protesta e studentëve vazhdon në ditën e 13-të pa zgjidhje e pa bisedime. Kryeministri Rama nuk pranon të plotësojë 8 kushtet

511
Sigal

Protesta e studentëve vazhdon në ditën e 13-të pa zgjidhje e pa bisedime. Kryeministri Rama nuk pranon të plotësojë 8 kushtet, pa bërë dialog dhe pakt. Apeli i studentëve: Do futemi në grevën e urisë

Jakup B. GJOÇA

Dje protesta kombëtare para kryeministrisë. Studentët paralajmërojnë grevë urie: Do ngujohemi te Korpusi i Universitetit

Kryeministri Rama u takua dje me pedagogë tek Fakulteti i Gjeologjisë. Reagimi i Unionit Studentor: Është e turpshme, asnjë student

Dje studentët protestuan për të 13-tën ditë radhazi, por bashkë me ta dje u bashkuan edhe studentët e universiteteve të tjera, që erdhën nga rrethet. Prindër, qytetarë, artistë, intelektualë, personalitete të shquara, banorët protestues të Unazës së Re u solidarizuan me studentët protestues. Pedagogë në fakultete të ndryshme, bojkotuan leksionet dhe u solidarizuan edhe ata me studentët e tyre, ndërsa fakulteteve të tjera, si në atë të Drejtësisë, Ekonomikut, studentët iu vunë drynin.

Studentët: Ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona

Studentët protestues të grumbulluar para kryeministrisë deklaruan, se ata nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre. “Ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona. Ne po na bashkohen të gjithë shqiptarët”, tha një student. “Kjo është protesta e studentëve dhe nuk ka vend për militantët”, tha një tjetër studente.

Ende pa u grumbulluar studentët, kryeministri Rama poston foto me dron

Ende pa u grumbulluar të gjithë studentët përpara kryeministrisë Edi Rama ka nisur me fotot e tij nga ajri, për të treguar se në protestë marrin pjesë pak persona. “Sharrat e Doktoreshës dhe britmat në gjumë të Artistit, e gjymtuan si s’ka më keq protestën tuaj! Por unë dhe ju që s’jeni më aty, jo vetëm që s’do t’i lemë pa adresuar ato 8 pika, po do të bëjmë shumë më shumë se aq SË BASHKU.

Studentja: Zoti Rama hapi pak dritaret, burrat e shtetit nuk janë meme!

Një prej studenteve që foli i ka kërkuar kryeministrit Rama që të hapë dritaret e zyrës. “Zoti Rama hapi pak dritaret, mos ki frikë, se nuk të gjuajmë. Ne jemi studentë zoti Rama dhe nuk jemi as ngelës dhe as shpellarë. Nuk di zoti Rama, nëse kemi folur me një kryeministër apo me një meme. Do futesh në histori si një kryeministër instagrami, unë kam mësuar se diaologu bëhet me një burrë shteti dhe jo me një meme”.

Tymuese mes turmës, studentët: Jo dhunë, kush i hedh të ikë!

Në një kohë kur para Kryeministrisë qëndronin mijëra studentë dhe qytetarë që i mbështesin, është parë prezenca e tymueseve. 3 persona të maskuar me shall kanë hedhur mes turmës në drejtim të Kryeministrisë tymuese. Kaq mjaftoi që të reagonin protestuesit, të cilët kanë bërë thirrje që personat që hedhin tymuese të largohen, pasi nuk janë studentë. “Largohu ti aty, o zotëri largohu. Ik që këtej. S’ka tymuese këtu”-tha studenti. Ndërkohë një tjetër shtoi: “Kemi ardhur këtu si studentë, kemi kulturë. Nuk protestojmë në mënyrë të turpshme. Nëse është dikush që do të përdorë dhunë në emrin tonë, turp, turp. Kemi ardhur këtu për kërkesa tona, për arsimin. Ne nuk ushtrojmë dhunë”.

Studentët bllokojnë rrugën tek “Zogu i Zi”: Do të protestojmë kudo në Tiranë

Pasi protestuan para kryeministrisë, studentët u ndanë, shumë prej studentëve bllokuan rrugën tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi” duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Ata thonë se janë të indinjuar nga tallja e kryeministrit por nëse ai vazhdon të mos i marrë parasysh, ata do të bllokojnë dhe arterie të tjera të Tiranës. “Kryeministri po na tall. Do të protestojmë kudo. Do protestojmë tek Zogu i Zi, tek kryeministria dhe në akse kryesore, do e bllokojmë Tiranën”, – u shpreh njëri nga studentët.

Rama u drejtohet studentëve: Çfarë borxhi ju kemi?

Kryeministri Edi Rama sulmon lëvizjen e studentëve për bllokimin e rrugëve dhe tenton të ta kthejë në partiake protestën e tyre. “A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktoresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë”, shkruan kryeministri Rama në postim në Twitter.

Kryeministri Rama takon pedagogët tek Gjeologjiku, reagon unioni studentor: Është e turpshme!

Kryeministri Rama në përpjekje për të gjetur mënyra komunikimi me studentët, ka mbledhur pedagogët tek fakulteti i Gjeologjisë, por i menjëhershëm është edhe reagimi i unionit të këtij fakulteti. Unioni Studentor i Gjeologji Minierave bën me dije se asnjë studentë nuk ka marrë pjesë me pëlqimin e tyre në këtë mbledhje turpshme, sipas tyre, në ambientet e këtij fakulteti. Ndërkohë u bëhet thirrje studentëve që të vazhdojnë rezistencën e tyre deri në tërheqjen e ligjit për arsimin, si pikënisje për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Reagimi i Mediave botërore

“Zëri i Amerikës”: Protesta e studentëve vazhdon në ditën 13-të pa zgjidhje e pa bisedime

Studentë të universiteteve publike po vazhdojnë sot për të 13-tën ditë protestën e tyre me 8 kërkesa ekonomike dhe akademike. Prej shumë ditësh është e njëjta gjendje; kryeministri kërkon dialog dhe shpreh dyshime, se ata po i përdor opozita, ndërsa studentët thonë se duan realizimin e kërkesave të tyre. Ata kërkojnë të përgjysmohen tarifat universitare, të rritet buxheti për arsimin dhe të marrin pjesë në bordet e menaxhimit të fakulteteve dhe në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve. Studentëve të universiteteve të Tiranës iu bashkuan edhe grupe studentësh nga universitetet e qyteteve të tjera, Durrësi, Elbasani, Shkodra. Protestuesit kanë ndërprerë studimet qysh prej dy javësh dhe thonë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe se nuk do të bisedojnë me asnjë prej autoriteteve shtetërore dhe universitare. Kryeministri Edi Rama edhe sot komentoi në rrjetet sociale se protestuesit para zyrave të tij ishin veprimtarë të opozitës dhe se ai priste të dialogonte me përfaqësues të studentëve. Zoti Rama mori pjesë në një mbledhje rutinë me drejtues të institucioneve kryesore të shtetit lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar, ku mbajti edhe një fjalë të shkurtër pa ndonjë lidhje me protestën e mijëra studentëve./VOA

Deutsche Welle: E ardhmja, shqetësimi kryesor i studentëve

Mijëra studentë para kryeministrisë në Tiranë kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre për arsimin. Ata nuk janë për dialog, pasi nuk kanë besim se në politikë zhvillohet një lojë e ndershme edhe kur dialogohet. Mijëra studentë kanë protestuar të hënën (17.12) para kryeministrisë në Tiranë për 8 kërkesat e parashtruara për ndryshime në arsimin e lartë shqiptar. Madje ka pasur edhe tensione, kur studentët kanë tentuar të kalojnë në pjesën e pasme të kryeministrisë e janë penguar nga policia. Por një grup studentësh ka ndërhyrë për të qetësuar situatën. Studentët thonë se do të hyjnë në grevë urie, nëse të hënën kryeministri, Edi Rama nuk jep përgjigje pozitive për kërkesat e tyre. Mbështetja e studentëve vjen ndërkohë edhe qytetarë, por nga studentët e rretheve, mjaft prej tyre janë nisur drejt Tiranës. “Protesta në ditën e 13-të e ka dhënë efektin e vet, ujërat kanë filluar të lëvizin, të gjithë e kanë kuptuar se këtu diçka çalon. Kjo protestë e ka dhënë mesazhin e saj, që arsimi është në udhëkryq”, thotë një student për Deutsche Wellen. “Duhet të vazhdojmë e të këmbëngulim”, kërkon një studente tjetër. Ndërsa një studente e komunikimit thotë, se ne do ta vazhdojmë të bllokojmë shkollën e “do të vazhdojmë të qëndrojmë deri sa të marrim atë për të cilën kemi dalë.”

Refuzim i politikës

Ajo që bie në sy në këtë protestë është refuzimi i qartë që studentët i kanë bërë përzierjes së politikës në to. Sipas tyre, politika është përgjegjëse për krizën morale, shoqërore e ekonomike të vendit. Nga kryeministri Rama kanë ardhur këto ditë disa ftesa për dialog, por studentët nuk i kanë pranuar. Refuzimin e ftesave për negociata, një student i gazetarisë, i pyetur nga Deutsche Welle e shpjegon kështu. “Kemi kuptuar se në këtë vend nuk ka fairplay, nuk ka lojë të drejtë”. Frika e studentëve duket se është “shitja”, siç thotë një student në protestë, shkon në dialog dhe protesta sfumohet. “Ne e kemi parë se ku kanë shkuar dialogët e mëparshëm, prandaj nuk e duam atë e i themi jo negociatave.”

Ku do të punoj? Pyetja që i shqetëson studentët

Shumë studentë shqetësim kryesor kanë të ardhmen e tyre pas studimeve. “Jam student i gazetarisë, viti i tretë bachelor”, thotë një student, dhe nuk e di se çfarë do të bëhem nesër. Si unë janë 90% e studentëve në të gjithë Shqipërinë.” Shumë prej tyre janë të zhgënjyer edhe nga puna e pedagogëve. Para disa ditësh u publikua edhe një listë me emra pedagogësh të përmendur si ata që u kërkojnë studentëve para për provimet. Prandaj një ndër kërkesat e studentëve është edhe vettingu për pedagogët. Protesta mbështetet edhe nga vetë pedagogët, që kërkesat e tyre i quajnë legjitime. Shkrimtari e pedagogu i letërsisë në Universitetin e Tiranës, Agron Tufa, thotë se për studentët tarifat janë të papërballueshme, kushtet e padurueshme që nga auditorët deri tek konviktet e sistemi korruptive e klientelist qeveritar. Por për pedagogun Agron Tufa më jetike mbetet e ardhmja e studentëve pas studimeve, “shumë prej tyre kanë një të ardhme të zymtë kur mbarojnë studimet, prandaj unë e lexoj atë si formë proteste për sistemin e dështuar politik”, thekson Agron Tufa. Ndër kërkesat kryesore të studentëve janë; ulja ose përgjysmimi i tarifave studentore, rritja e buxhetit shtetëror për investime në fakultete, përmirësim infrastrukturor të fakulteteve, duke shtuar laboratorët e të tjera./DW

Dhori Kule u shmanget të gjitha pyetjeve të studentëve për korrupsion

Dje, studentët e fakultetit Ekonomik të UT e mbyllën derën kryesore, duke mos lejuar askënd, që të futej brenda. Ndërsa gjithë studentët ishin para kryeministrisë një pjesë e studentëve protestues u takuan edhe me dekanin Dhori Kule, duke i adresuar një sërë pyetjesh dekanit Kule, si për shpenzimet për fakultetin, rritjen e tarifave etj., por kanë hasur në shmangien e Dekanit. Mësohet se Dhori Kule u është shmangur të gjitha pyetjeve. Natyrisht, dekani Dhori Kule nuk mundet t’u përgjigjet studentëve, sesi i ka harxhuar paratë që u ka vjelë nga tarifat, as për emërimet nepotike që ka bërë në UT, kur ishte rektor, dhe emërimet në fakultetin Ekonomik, tani që është dekan. Prandaj protestojnë studentët, edhe për korrupsionin që ndodh nga dekani i tyre.