Revolta e 16 shkurtit ndërgjegjësoi shqiptarët, se koha e Ramës ka mbaruar

521
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Arian Galdini, Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë

– Zoti Galdini si ta kuptojmë protestën e djeshme të Opozitës?

– Një Protestë nuk ka pse të kuptohet. Ajo ndodh dhe kaq. Po mbushim 3 dekada si shoqëri që ende kemi një raport të çartur mes Protestës dhe Qytetarit. Ndryshe nga sa ndodh në vendet e zhvilluara demokratike, aty ku është qytetari, aty është edhe protesta, tek ne ndodh që Protesta dhe Qytetari të jenë krejt larg njëri – tjetrit. E keqja e protestave partiake është se ato janë natyrisht të paragjykuara, si të njëanshme e me qëllime shpesh meskine. Por si t’ia bëjmë? Protesta e 16 shkurtit e Opozitës e ka një kumt. Dhe kumti është kundërshtia ndaj Qeverisë Rama. Edi Rama sot është shpallur ‘Non grata’ nga një pjesë e qytetarëve të vendit që drejton. Ai mund të ngrefoset me idenë se e ka votuar shumica. Por gabon rëndë. Kur një pjesë e shoqërisë e deklaron Kryeministrin e vendit ‘Non grata’, do të thotë se ai nuk punon më për të tërën. Pra nuk mund të jetë më Kryeministër.

– Po mitingun e kryeministrit Rama në Vlorë?

– Edi Rama në Vlorë m’u duk si Sadam Huseini kur bënte mitingje me mbështetësit e tij, kur bombat e Aleatëve kishin filluar të binin mbi Bagdad.

– Cila ishte pritshmëria e protestës?

– Shpirti i revoltuar i popullit opozitar i demonstruar në protestën e 16 shkurtit, duhet lexuar me kujdes nga Qeveria Non grata e Rilindjes por edhe nga e gjithë shoqëria shqiptare. Nuk e ka fajin Opozita, kur ka kaq shumë revoltë. Faji është i gjithi i Qeverisë.

– Krerët e Opozitës premtuan se protesta do të vazhdonte pa pushim deri në largimin e Edi Ramës nga kryeministria. Derisa protesta vazhdoi vetëm 5 orë, mund të quhet i dështuar qëllimi i protestës?

Jo. Dhuna ishte dështim. Vetëm dhuna është gjithmonë dështim. Protesta në vetvete nuk ishte aspak dështim. Qytetarët shqiptarë duhet të mësohen me durimin dhe sakrificat e shtrira në kohë. Madje dhuna vjen si rezultat i trysnisë së padurimit. Unë do të zgjidhja rrugën e rezistencës qytetare dhe opozitare ku të gjithë të sakrifikojmë nga vetja e të heqim dorë nga shumëçka që kemi.

– A u zhgënjyen protestuesit nga qëndrimi i krerëve të opozitës pas kësaj proteste?

– Për vete jam i zhgënjyer veç nga dhuna. E urrej dhunën dhe nuk e shoh kurrsesi si zgjidhje. Pastaj pushteti i Edi Ramës ka lindur nga dhuna e mbahet nga dhuna. Edi Ramën duhet ta rrëzojmë duke ia ndalur gjuhën dhe përmbajtjen e dhunës. Ai bie vetëm nga modeli ndryshe.

– A doli e humbur Opozita?

– Sipas meje jo. Opozita e ka shpallur Edi Ramën ‘Non grata’ në dt 16 shkurt. Kjo nuk mund të jetë humbje në asnjë formë a mënyrë për Opozitën. Thjesht tani Opozita duhet të vijojë të udhëheqë qytetarët deri në përmbushjen e këtij vendimi që ka shpalosur me revoltën e 16 shkurtit.

– A është më i fortë kryeministri Rama pas protestës?

– Jo. Ai është më tinëzar dhe më i vendosur në projektin e tij të lig si Kryeministër. Por kurrsesi i fortë. Por revolta e 16 shkurtit, besoj ka vlejtur, së paku për ta ndërgjegjësuar, se koha e tij ka mbaruar.

Djegia se mandateve a është kjo një rrugët që duhet të zgjedhë Opozita?

Djegia e mandateve kap lajmin, vëmendjen, skenën, protagonizmin dhe shuan e sikterris çdo alternativë a mendim ndryshe, por nuk siguron domosdoshmërish fitoren. Madje e bën më keq situatën, sepse fuqizon të keqen e madhe që është vetë Edi Rama.