Resul Bedo, një jetë duke shkruar për dëshmorët dhe LANÇ

1594
Sigal

Shkrimtari 86 vjeçar: “E quaj veten ushtar të Shqipërisë”

Kënaqësia e këtyre ditëve ishte intervista me njeriun që nisi të shkruajë për luftën dhe dëshmorët, qysh 13 vjeç: Shkrimtari Resul Bedo. Tani është 86 vjeç. Mban një bastun në dorë, mban kapele “republike”, ecën ngadalë, por është i fortë. Kur ishim fëmijë, lexonim skicat dhe novelat e tij. Është shkrimtari nga i cili ne të gjithë kemi marre “live” imazhin e “partizanit trim e guximtar”. Ky shkrimtar i palodhur ka edukuar breza të tërë të rinjsh shqiptarë me idealet e LANÇ. Ka arritur “të ngrejë një lapidar” me 120 librat që ka shkruar. Lapidarët ngrihen me llaç e tulla, kurse Resul Bedo e ka ngritur me libra. Të gjithë për dëshmorët dhe luftën. Vetëm pak kohë më parë ai promovoi librin e ri “Ballëndriturit”. Serial i ri. Aty janë dëshmorët që ranë për luftën e Tiranës. Bisedoja me këtë njeri dhe pashë tek ai origjinalitetin e “luftëtarit shqiptar” në betejë. Ka luftuar edhe në Vidohovë gjatë provokacioneve greke të gushtit 1949. Thotë se aty ishte oficer komandues. Thotë se aty janë vrarë 25 oficerë e nënoficerë shqiptarë. Kanë qenë të gjithë shokë të tij. Resul Bedo është shkrimtari i legjendës partizane…. E dëgjova me respekt dhe admirim këtë shkrimtar me prodhimtari letrare të jashtëzakonshme dhe ndërkaq u ndjeva i privilegjuar që më pranoi për ta intervistuar.

-Zoti Bedo, si i hytë kësaj rruge kaq të vështirë të krijimtarisë për luftën?

Frymëzuese për mua ka qenë lufta. Dhe mos më pyet se “ç’moshë pate kur shkove ne luftë”, se ajo dihet: Jo vetëm unë, por të gjithë ishim fare të rinj. Ishim djem 13-14-16 vjeçarë; kishim ideale. Kam shkruar qysh në luftë. Libri i parë është “Nga Kuçi në Vishegrad”. Libri përshkruan rrugën heroike të 3 brigadave partizane të divizionit të dytë, të krijuar në Tomorr, pas operacionit të qershorit, që u nis drejt Vishegradit. Në Kosovë gjatë luftës kam qenë 18 vjeç komisar kompanie.

-Si ishte i organizuar shtypi i kohës së luftës?      

Brigada partizane kishte një organ shtypi të saj. E tillë ishte revista “Flaka”. Kishim për drejtor Xhemil Frashërin. Merita e tij ishte se dinte të inkurajonte partizanët përmes revistës “Flaka”. Bëhet fjalë për vitet 1944-’45. Se lufta çlirimtare vazhdoi edhe në ish Jugosllavi. Ishte edhe “Ditari partizan”, një përmbledhje që kishte vetë kompania.

-Cilën pjesë të krijimtarisë tuaj vlerësoni më shumë?

Kjo është pyetje e vështirë. Kush është ai shkrimtar që thotë se nuk i pëlqen libri i vet? Kam shkruar 100 e ca libra. Por “dobësia ime” janë 20 vëllimet “Yje të pashuar”. Kam derdhur energji pafund për to. Çdo dëshmor, aty ka të evidentuar jetëshkrimin dhe fotografinë e tij. Nuk është punë e lehtë kjo.

-Në librat tuaj janë përshkrimet e të gjitha periudhave të LANÇ?

Sigurisht. E gjithë lufta për çlirimin e Shqipërisë ishte heroike. Të ndalemi një çast tek lufta për çlirimin e Tiranës. Gjermanët deshën ta bënin Tiranën hi. Tiranë është i vetmi qytet në Europë që u çlirua vetëm me forcat e popullit të vet. Dëshmorët që dhanë jetën në kryeqytet ishin nga e gjithë Shqipëria. Ishte një luftë titanike, ajo e nisur në muajt tetor, deri më 17 nëntor 1944. Katër brigada ishin të Tiranës, kurse 12 brigada të tjera partizane erdhën nga të gjitha anët. Trupat tona u goditën edhe gjatë rrugës nga gjermanët. Beteja e Mushqetasë ishte lufta mes gjermanëve dhe e 3 batalioneve të brigadës së katërt. Gjermanët luftuan me të gjitha rezervat e tyre, por në fakt u asgjësuan nga partizanët. Ishte luftë prag më prag, rrugicë më rrugicë. Mijëra gjermanë të vrarë, dhe e gjithë teknika luftarake e tyre, e shkatërruar.

-Po për provokacionet greke të gushtit 1949?

Edhe për to kam shkruar, natyrisht. Ka qenë një luftë që ka zgjatur për ditë të tëra në zonën e Vodohovës. Kanë rënë në fushën e nderit 25 ushtarakë shqiptarë. Është luftuar me trimëri të rrallë aty. Edhe aty kam qenë me detyra komanduese dhe e kam përjetuar nga afër dhe efektivisht atë luftë.

-Çfarë po shkruani për momentin?

Pas promovimit në mars të “Ballëndriturit”, kam përsëri në vijim pjesën tjetër të tij. Goja për dëshmorët duhet të jetë gjithnjë e hapur. Të flitet gjithmonë, pa u ndalur për ta.

Shkrimtari që frymëzoi breza

Ashtu si shkrimtarët e tjerë të luftës, si Llazar Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, Petro Marko, Sabri Godo, Memo Meto, etj., edhe vepra letrare e shkrimtarit Resul Bedo, ka frymëzuar breza. Rinia shqiptare e kohës së luftës, por edhe ajo që më pas ndërtoi Shqipërinë, është ushqyer me mesazhet brilante të atdhedashurisë që ka përcjellë krijimtaria e tij. Brezi i 40-60 vjeçarëve, sot ende kanë të gjallë në kujtesë tregimet nga lufta të Resul Bedos, të mësuara në bankat e shkollës, apo dhe “librat për lexim jashtë klase” të rekomanduara nga mësuesit e tyre. Tani shkrimtari 86 vjeç, preferon të dalë nga shtëpia zakonisht vetëm paraditeve. Shkopi dhe kapela barsolinë që mban, mund t’i shkojnë për shtat thjeshtë për moshën që ka, por ato “stonojnë” për energjinë dhe kujtesën e tij brilante. Ai ende ndjehet i ri. “Për dëshmorët e shkruara nuk ka fund”. Unë e quaj veten ushtar të Shqipërisë”, thotë.

Në Kosovën e pasluftës, biseda me akademikun Rexhep Qosja

Kur mbaroi lufta në Kosovë pas vitit 1999, shkrimtari Bedo ka shkuar si gazetar atje. Është frymëzuar nga heroizmi i popullit që solli lirinë me armë në dorë kundër serbomëdhenjve, dhe ka shkruar dy libra: “Po ku je Adem Jashari” dhe “Në Kosovë mes vëllezërve”. Gjithashtu i ka shkuar në shtëpi akademikut Rexhep Qosja. Të dy shkrimtarët kanë biseduar gjatë me njeri-tjetrin. Bedos i ka bërë përshtypje një perifrazim filozofik i akademikut Qosja, kur është shprehur për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. “E çfarë është në fakt Kombi?… Kombi është jeta dhe gjaku i dëshmorëve”, ka thënë ai. “Po bashkimi? Mbase na bashkojnë dëshmorët”, ka përfunduar mbyllur bisedën ai.