Reshat Arbana flet për herë të parë: Teatri duhet të mbetet atje, kullat do iu bien në kokë artistëve

1158
Sigal

Reshat Arbana, një nga gjigandët e skenës shqiptare ka folur sot për herë të parë në debatin për Teatrin. I pranishëm në dëgjesën me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, Arbana ka kërkuar që teatri të mbetet atje ku është.

Ai tha se ka nevojë për investim ashtu si është katandisur. Artisti i njohur kërkoi të bëhet një teatër të mirë dhe të lejohen ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin.

“Hera e parë që marr pjesë në debat. Mu kujtua shprehja që shqiptarët mund të fitojnë çdo luftë por duhet të fitojnë betejën mes veti. Kam parë konflikt mes aktorëve. Unë si aktor i teatrit, kam 27 vjet që kam ikur, them që teatri duhet të mbetet atje. I lutem Bashkisë t’ia lërë teatrit. Kollonat e atij teatri janë 10 me 10. E kemi parë të gjithë se në çgjendje është. Si është katandisur. Të mendojnë për këtë punë ata që janë specialistë. A bëhet një teatër në atë sallë apo një i ri, por lërjani territorin e Teatrit Tiranës. Salla e Teatrit të Shkupit është nga më të mrekullueshmet dhe se di sa ka kushtuar. Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër. Përfundimisht, në qoftë se do vazhdoni të dëgjoni gjithë sa jemi këtu, s’do mbarojmë kurrë. Merrni njerëz e diskutojeni se me 200 vetë nuk do dilni kurrë në krye. Bëni një gjë të bukur se ato kullat nëse do bëhen do duken sikur do bien në kokë të artistëve dhe teatrit. Nuk e di a do restaturohet por do më shumë se 1 milion. Merrni ata që merren me këtë punë, regjisorët, skenografët, grupet e interesit. Unë nuk jam interesuar, është hera e parë por që kam parë disa skena të turpshme”, u shpreh Reshat Arbana.

Kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia ka ofruar tokën si opsion. “Ne kemi ofruar tokën që të marrim teatër. Ne jemi gati, pa kullë. Ne jemi gati që tokën tonë ta vëmë si opsion”, u shpreh Veliaj.